Kapobanda Emiljano Shullazi ka bërë një deklaratë të fortë dje në procesin gjyqësor ndaj tij për gjobëvënie dhe kërcënim të biznesmenit Ylvi Beqja. Para togave të zeza, Shullazi ka folur edhe për planin e ndërtimit të një fabrike për riciklimin e mbetjeve spitalore me ndihmën e një ministri të Ramës. Gjatë seancës gjyqësore Emiliano Shullazi e pyeti biznesmenin Ylvi Beqja nëse kanë pasur një plan për një biznes të përbashkët. Shullazi ka pyetur Beqajn nëse e pranonte se do të hapnin së bashku një fabrikë për riciklimin e mbetjeve spitalore me ndihmën e një ministri. Pasi Beqja pranoi, Shullazi tha se, biznesmeni i kishte garantuar mbështetjen nga Ministria e Shëndetësisë dhe pasi e kishte pyetur për emra, biznesmeni i kishte thënë se ishte kushëri i tij, Ilir Beqja dhe kishte garancinë e tij.
Gjatë seancës gjyqësore, biznesmeni Beqja ka treguar të gjithë peripecitë që ka kaluar që nga vera e 2014, kur ishte njohur me Emiliano Shullazin. Ai tregoi momentin e njohjes me Shullazin, tek i cili e kishte dërguar avokati Neshat Fana. Pas prezantimit të shqetësimit, Ylvi Beqja tha se, Shullazi i kishte marrë përsipër t’i regjistronte pronën kundrejt 20% të vlerës së ish-Hotel “Vollgës”. Por në momentin që prona u regjistrua në emër të tij, Beqja tha se, Shullazi e ka kërcënuar dy herë me armë, duke i kërkuar t’i kalojë 30% të sipërfaqes së ish-Hotel “Vollgës” atij dhe rreth 550 mijë euro cash që ka paguar në formën e gjobave. Sipas Beqjas, kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme me telefon, në takime e deri kur nipi i Shullazit i ka shkuar edhe në banesë, duke kërkuar të heqë dorë nga prona. Të gjitha këto presione e kërcënime, sipas Beqjas, e kanë shtyrë të kërkojë ndihmë në Prokurori. Por edhe pas dhënies së dëshmisë e arrestimit të Shullazit, dëshmitari i mbrojtur tha se banda e tij ka vazhduar kërcënimet.
Beqja: Më ofruan 7 milionë euro të tërheq padinë ndaj Shullazit
Biznesmeni Ylvi Beqja ka deklaruar para trupiot gjykues se i kishin ofruar 7 milionë euro që të tërhiqte padinë ndaj Emiliano Shullazit. “Elvis Martini më ka ardhur në shtëpi, duke më kërkuar të heq dorë nga dëshmia kundër Shullazit, kundrejt 7 milionë eurove. Martini shprehu gatishmërinë të paguajë 1 milion euro në moment dhe pjesën tjetër disa ditë më pas. Unë e refuzova këtë ofertë, por Martini më kërcënoi me vrasjen e pjesëtarëve të familjes”, deklaroi dëshmitari Ylvi Beqja në seancën gjyqësore që po zhvillohet në Tiranë ndaj bandës së Emiliano Shullazit. Në seancën gjyqësore ka pasur debate të ashpra ndërmjet Shullazit dhe Beqjes.
Në sallën e gjyqit para Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe në prani të avokatëve e prokurorëve, Ylvi Beqja akuzoi direkt Shullazin për kërcënime dhe gjobëvënie edhe gjatë kohës që ishte në mbrojtje. Në sallë nuk munguan edhe replikat mes të pandehurve dhe dëshmitarit të mbrojtur, i cili në dy raste edhe u kërcënua dhe u fye nga të pandehurit. Por pavarësisht presioneve psikologjike, Ylvi Beqja vazhdoi dëshminë e tij, duke treguar me detaje të gjitha takimet, kërcënimet, presionet dhe gjobat që ka paguar për llogari të Shullazit dhe bandës së tij.
Biznesmeni Ylvi Beqja i tregoi gjykatës, një moment kur Elvis Martini, i kishte shkuar në shtëpi duke kërkuar të heqë dorë nga dëshmia kundër Shullazit, kundrejt 7 milionë eurove. Sipas Beqjas, Martini kishte shprehur gatishmërinë të paguajë 1 milion euro në moment dhe pjesën tjetër disa ditë më pas. Këtë ofertë, Beqja tha se e kishte refuzuar, duke bërë që Martini ta kërcënojë me armë atë me vrasjen e pjesëtarëve të familjes. Por jo vetëm kaq, Beqja akuzoi edhe avokatët e të pandehurve, që sipas tij, me ndihmën e njerëzve të Shullazit kanë mbledhur disa biznesmenë të ndryshëm, të cilët i kanë kërcënuar për ta akuzuar Beqjan për mashtrim.
Ndërkohë Emiliano Shullazi dhe Gilmando Dani dorëzuan një kallëzim penal ndaj dy prokurorëve, duke pretenduar se kanë falsifikuar proceseverbalet e deklarimeve të Beqjas, që prokurorët e hodhën poshtë, duke argumentuar se janë dy dëshmi të ndryshme. Në fillim të procesit, një nga të pandehurit, Gilmando Dani ka lexuar një kallëzim të bërë ndaj prokurorëve të çështjes, Elisabeta Ymeri dhe Ened Nakuçi, të cilët akuzohen nga grupi për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dëshmisë së biznesmenit.
Enton DOÇI