Ministri i Shëndetësisë emëron drejtorin e ri të Spitalit të Beratit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Beqiri shkarkoi dje drejtorin e Spitalit të Beratit, Idlir Frashëri për pjesëmarrje në fushatë elektorale dhe emëroi drejtorin e ri Arqile Vasili. Bëhet e ditur se, Beqiri ka zhvilluar një takim me dyer të mbyllura me shefat e pavioneve në Drejtorinë e Spitalit të Beratit. Pas këtij takimi, Beqiri konfirmoi pezullimin nga puna të Idlir Frashërit, drejtorit të Spitalit të Beratit, ndërsa në vend të tij emëroi Arqile Vasilin.
“Jam në Spitalin e Beratit ashtu si në të gjitha spitalet e vendit për të demonstruar edhe një herë se gjëja më e rëndësishme në këtë periudhë para elektorale është aderimi në përputhje të plotë me ligjin për mospërfshirjen e administratës publike në fushatë. Është e rëndësishme që të gjithë punonjësit dhe personeli i shëndetësisë të mos këtë kundërvajtje me ligjin”, tha Beqiri.
Ky vendim i ministrit vjen, pasi policia nisi hetimet për Frashërin, pasi dyshohet se ka blerë vota  për llogari të një partie politike. Ai akuzohet për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe  “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”. Nën hetim për të njëjtat akuza është vënë edhe Gledion Rehovica, kandidati për deputet i LSI-së në Berat, i cili renditet i dyti në listë.

Exit mobile version