Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro bën fushatë zgjedhore me fondet e Ministrisë në kundërshtim me ligjin. Denoncimi është bërë nga kandidati i PD për deputet në Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu. Kandidati i PD, thotë se ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, njëherësh kandidate e PS, po shfrytëzon postin për fushatën e saj.
Në një postim në Facebook, Tritan Shehu ka publikuar një ftesë, që sipas tij tregon se Ministria e Kulturës ka planifikuar zhvillimin e një panairi në Libohovë, në kulmin e fushatës elektorale. Shehu hedh dyshime se paratë e ministrisë që drejtohen nga Kumbaro, po përdoren për fushatë elektorale në favor të saj dhe Partisë Socialiste.
“Në kulmin e fushatës elektorale, datë 9-11 qershor, në zonën e saj elektorale, Libohovë, sipas një ftese pa firmë e pa vulë, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë (e drejtuar nga PS-ja), organizojnë një “Festival Tradicional”, shkruan Shehu, duke ngritur njëkohësisht edhe pyetjen retorike, se kush po e financon atë. Sipas kandidatit të PD-së, në Qarkun e Gjirokastrës, gjatë kësaj periudhe elektorale janë organizuar disa aktivitete të tilla abuzive.
Ndërkohë, ministrja e Mbrojtjes dhe kandidatja e PS për deputete, Mimi Kodheli, imiton variantin e PD për Universitetin në Kukës. Kodheli, kandidatja e PS në Kukës, nr. 1 i Listës, deklaroi një ditë më parë se në Kukës do të hapet një Universitet. Natyrisht, ajo nuk e di se flet pa lejen e qeverisë së vet, e cila e shembi Universitetin tre vjet më parë, ose ajo nuk e di se tre vjet më parë kishte Universitet në Kukës, por e mbylli “Rilindja”, ndërsa Mrika për fushatë elektorale, thotë se, “do hapim Universitet në Kukës”. Ajo mendon se do të mashtrojë qytetarët, sidomos të rinjtë e Kukësit me hapjen e Universitetit. Çelja e një Universiteti në Kukës është në programin e PD dhe do të realizohet pas fitores më 25 qershor.