Hetimi për rënien e avionit të Guido Guidit, në Ishëm duket se ka mbetur në vend. Prokuroria për Krimet e Rënda i ka dërguar një sërë shkresash disa institucioneve në varësi të Ministrisë së Transporteve, ku kërkon përcaktimin e saktë të shkakut të rënies dhe mënyrës si ka ndodhur ajo.
Prokuroria ka dyshime se avioni ka rënë gjatë ngritjes, pasi ka qenë i ngarkuar me 2 ton drogë.
Hetuesit janë në pritje të informacioneve nga zyra për aksidentet dhe incidentet ajrore, për të sqaruar nëse avioni ka patur defekt në motor, që për pasojë ka sjellë dhe uljen e detyruar, e cila fillimisht u pretendua nga piloti 69-vjeçar. Por dëshmia e dytë e Guidit ku pranoi se kishte ardhur për të ngarkuar kanabis i bën prokurorët të dyshojnë, se defekti ka qenë në ngritje. Kjo gjë pritet të sqarohet vetëm pas mbërritjes së përgjigjeve nga këto institucione.
Dëshmia e dytë e pilotit ka bërë që t’i kërkohen informacion INTERFOZA-s italiane për disa persona shqiptarë dhe italianë, të cilat janë të përfshirë në trafikun e drogës në Itali.
Ndërsa zyrtarisht, piloti në vendin tonë akuzohet për kalim të paligjshëm të kufirit. Vepër e cila është kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet. Kjo është vepër penale që hetohet në gjendje të lirë. Por pavarësisht kësaj, piloti mbahet në një vend të sekret dhe nën masa të forta sigurie në qytetin e Durrësit.
Këto masa nuk i përgjigjen veprës penale për të cilën akuzohet, pasi konsiderohet mjaft e lehtë. Për këtë arsye dëshmia e dytë e italianit se kishte ardhur për të transportuar kanabis është pista kryesore e hetimeve që po ndjek Prokuroria.
Ndërkohë, mediat italiane shkruajnë se shoqëria Aeroclub e Savonës dhe e Riviera di Ponente, ndodhen përpara një situate paradoksale që nga e enjtja e kaluar, kur avioni i tyre Piper Pa-32 Saratoga, me vlerë rreth 500 mijë euro, ra në Ishëm, jo shumë larg nga Durrësi.
Shoqëria ‘Aeroclub’ i dërgoi një letër Ambasadës italiane në Tiranë, për të kërkuar më tepër informacione lidhur me mënyrën se si do të veprojnë autoritetet shqiptare, pasi shoqëria kërkon të marrë avionin. Por sipas mediave italiane, Ambasada italiane në Tiranë nuk i ka kthyer ende asnjë përgjigje shoqërisë. “Është një histori e paqartë”, shprehet presidenti i shoqërisë ‘Aeroclub’, Mauro Zunino.
Avioni ‘Piper Pa-32 Saratoga’ që ngeci në grykëderdhjen e Ishmit javën e kaluar, drejtohej nga piloti italian Guido Andrea Guidi, i cili sipas burimeve të pakonfirmuara thuhet se kishte pranuar një kontratë prej 20 mijë euro për të transportuar 200 kg marijuanë.