Nishani me Ban ki Moon: Njerëzit kanë nevojë për shpresë

Presidenti Nishani, në kuadrin e pjesëmarrjes në punimet e Sesionit të 71-të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, zhvilloi takime dypalëshe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, zotin Ban Ki-moon, me Presidentin e Republikës së Polonisë, zotin Andrzej Duda si dhe me Presidenten e Republikës së Kroacisë, zonjën Kolinda Grabar-Kitarović. Presidenti Nishani, në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, e vlerësoi atë për lidershipin e treguar në iniciativat e ndërmarra nga Organizata gjatë drejtimit të tij, veçanërisht në ato që lidhen me klimën, agjendën për njerëzimin, si dhe planin e veprimit për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. “Njerëzit kanë nevojë për shpresë dhe me iniciativat tuaja ju ia keni dhënë këtë.” u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti Nishani evidentoi gjithashtu faktin se Shqipëria është tërësisht e angazhuar për zbatimin e këtyre iniciativave në nivel kombëtar, si dhe e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm edhe për rolin pro aktiv të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare dhe avancimin e të drejtave të njeriut. Në takimin me Presidentin e Republikës së Polonisë, Andrzej Duda, Presidenti Nishani vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve dhe theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, i cili është ende larg pritshmërive dhe mundësive reale që kanë të dy vendet. Gjithashtu, Presidenti Nishani e falënderoi homologun polak për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë veçanërisht në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike, si dhe shprehu besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe për marrjen e vendimit të hapjes së negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian. Mes dy bashkëbiseduesve u fol edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes rajoneve evropiane, zhvillimet më të fundit në Bashkimin Evropian dhe krizën e refugjatëve, si dhe për mundësinë e mbështetjes së kandidaturave reciproke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Exit mobile version