Kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik, Mirela Karabina, ka reaguar ashpër ndaj një akti që ajo e cilëson si “skandal elektoral të turpshëm” në qytetin e Elbasanit. Në një deklaratë publike, Karabina denoncon prerjen e një peme për të ekspozuar një poster elektoral të nënkryetares së Bashkisë Elbasan, aktualisht kandidate e Partisë Socialiste.
Karabina iu drejtua me emra konkretë drejtuesve të lartë lokalë dhe përfaqësuesve të PS-së, duke përfshirë Ministrin e Pushtetit Vendor Arbjon Mazniku, kryebashkiakun Gledian Llatja dhe deputetët e zonës, duke kërkuar reagim të menjëhershëm dhe publik.
“Ky veprim tregon arrogancën me të cilën trajtohet hapësira publike dhe dëshmon se si për pushtet përdoret pa ndjeshmëri ndaj ligjit, etikës apo qytetarëve,” – shkruan Karabina, duke e konsideruar incidentin si një tregues të qartë të keqpërdorimit të pushtetit në prag të zgjedhjeve të 11 majit.
Në të njëjtën deklaratë, Karabina denoncoi edhe përdorimin e administratës publike për qëllime elektorale, duke përfshirë drejtues të shkollave dhe mësues të cilët, sipas saj, morën pjesë të organizuar në aktivitetin elektoral të kryeministrit Edi Rama në Elbasan. Ajo e quajti publikimin e fotove të tyre si “pjesëmarrje spontane” një akt tjetër manipulimi.
Ajo njoftoi se do të depozitojë denoncimet pranë SPAK dhe do të informojë OSBE/ODIHR për situatën e krijuar, që sipas saj, dëmton seriozisht klimën zgjedhore.
Deklarata e plotë e Mirela Karabinës:
I drejtohem publikisht drejtuesit politik të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit dhe Ministër i Pushtetit Vendor Z. Arbjon Mazniku, Kryetarit të Bashkisë Z. Gledian Llatja dhe deputetëve të Elbasanit,
Akti i prerjes së një peme në qytetin e Elbasanit, vetëm që të bëhej i dukshëm posteri elektoral i nënkryetares së Bashkisë Elbasan, aktualisht kandidate për deputete e Partisë Socialiste është një skandal elektoral i turpshëm dhe një shkelje e rëndë ndaj pasurisë publike.
Ky veprim tregon arrogancën me të cilën trajtohet hapësira publike, dhe dëshmon se si për pushtet përdoret pa asnjë ndjeshmëri ndaj ligjit, etikës apo qytetarëve.
U bëj thirrje Z. Arbjon Mazniku, Z. Gledian Llatja si dhe deputetëve të PS-së, të mbajnë qëndrim të qartë dhe publik për këtë ngjarje e cila fyen qytetarët dhe cënon standardet e garës zgjedhore.
Gjithashtu denoncoj përdorimin politik të administratës publike, të drejtuesve të shkollave dhe mësuesve, të cilët morën pjesë në mënyrë të organizuar në aktivitetin elektoral të kryeministrit Edi Rama në Elbasan. Publikimi i fotove të tyre në rrjete sociale si “pjesëmarrje spontane” është një tjetër akt manipulimi.
Përdorimi i punonjësve të shtetit dhe i institucioneve publike për fushatë është shkelje e ligjit dhe cënon drejtpërdrejtë lirinë e votës. Të gjitha këto do të denoncohen pranë SPAK dhe do të informoj OSBE/ODIHR, që të jenë të qartë mbi klimën e presionit dhe të keqpërdorimit që po ndodh në këtë fushatë.
Fushata duhet të jetë e ndershme, e lirë dhe në shërbim të qytetarëve, jo e bazuar në shkelje, frikësim dhe propagandë të ulët.
Beso te Shqipëria. Zgjidh të drejtën. Zgjidh dinjitetin.
#shqipëriameritonmëshumë
#elbasanimeritonmëshumë
#voto4