Mister fati i anijes së marrë peng, familjarët apel qeverisë

Vazhdon të mbetet mister vendi ku marinari egjiptian po mban peng dy peshkatarët shqiptarë. Autoritetet Portuale në Durrës kanë kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve, por akoma nuk ka ndonjë informacion mbi fati e tyre. Nuk ka asnjë sinjal nga marinari egjiptian, i cili ka marrë përsipër pengmarrjen e peshkarexhës “Çelepia 2”, në bordin e së cilës ndodhen edhe dy marinarë shqiptarë, Dhimitër Malja dhe Luan Mema. Autoritetet shqiptare ende nuk kanë informacion mbi koordinatat e vendndodhjes së peshkarexhës. Prej së mërkurës të gjithë aparaturat sinjalpërcjellëse të anijes janë fikur, duke shkëputur çdo kontakt.
Ndërkohë, familjarët i bëjnë apel qeverisë që të kthejë në atdhe dy marinarët. Ata thonë se nuk kanë asnjë lajm për gjendjen e dy pengjeve, ndërsa gjatë komunikimeve telefonike që vazhdojnë të kenë me Adel Mohamed Sallam nuk kanë mundur të mësojnë asgjë për shëndetin e tyre.
Egjiptiani Adel Mohamed Sallam për herë të fundit kontaktoi me bashkëkombësin e tij, duke pohuar se anija “Çelepia 2” është marrë peng nga ana e tij. Për lirimin ai kërkon 70 mijë euro, në të kundërt kërcënon se do të fundosë anijen së bashku me 2 marinarët shqiptarë.
Për të konfirmuar pengmarrjen egjiptiani i ka dërguar pronarit të anijes Murat Çelepia, foton e njërit prej marinarëve të lidhur me litar e zinxhir. Kurse vendi i fundit që ka deklaruar se ndodhet është në afërsi të Aleksandrisë në Egjipt.
Për të hedhur dritë mbi pengmarrjen, motivin që ka detyruar egjiptianin të kryejë një akt të tillë, Prokuroria e Krimeve të Renda dhe Policia e Durrësit kanë nisur hetimet.
Marinari egjiptian, Adel Mohamed Salam dyshohet se u ka hedhur ilaç gjumi në ushqim dy kolegëve të tij shqiptarë, në mënyrë që të kryente planin e tij të rrëmbimit të peshkarexhës.
Anija e peshkimit është rrëmbyer prej 6 ditësh. Edhe gjatë ditës së djeshme, egjiptiani ka komunikuar në WhatsApp me familjarët e dy pengjeve, duke u dërguar fotografi që tregojnë dy personat të lidhur me zinxhirë.
Egjiptiani kërkon 70 mijë euro, ndërsa në të kundërt kërcënon me fundosjen e anijes bashkë me dy pengjet. Peshkarexha “Çelepia 2”, në bordin e së cilës ndodhen motorist Luan Mema, kapiten Dhimitër Malja dhe marinari egjiptian Muhamet Salam, ka humbur kontaktet me kapitanerinë vetëm pak orë pasi kishin lënë kalatën e Portit të Durrësit për të dalë për peshkim.
Egjiptiani i ka dërguar dhe një foto të marinarit Luan Mema, pronarit të anijes. Në këtë foto marinari është i lidhur këmbë e duar me zinxhirë. Denoncimi për humbjen e anijes është bërë nga vetë pronari Murat Çelepia, i cili u paraqit pranë Policisë Kufitare në Durrës, duke deklaruar se ka humbur kontaktet me anijen që prej mesnatës së 21 qershorit.
Anija është nisur nga Porti i Durrësit më datë 18 qershor, me kapiten Dhimitër Malja, 54 vjeç, marinarin shqiptar, Luan Mema nga Durrësi dhe marinari egjiptian Adel Mohamed Salam, 30 vjeç, që rezultoi të jetë pengmarrësi. Anijes iu dha leje nga autoritetet portuale për gjueti në ujërat e brendshme territoriale, por akti ekstrem i shtetasit egjiptian tashmë ka vënë në rrezik jetën e dy marinarëve shqiptarë.
“Unë jam djali i kapitenit të anijes. Babai u nis ditën e shtunë dhe prej asaj dite nuk pata asnjë kontakt. Sot mësuam se anija është në Egjipt. U trembëm, i bëjmë thirrje shtetit të na ndihmojë. Nuk kemi pas probleme financiare, ishte shumë i kënaqur punën. Kam tentuar vazhdimisht të kontaktoj në telefon me babain gjatë ditës, por është e pamundur”, është shprehur djali i marinarit të marrë peng.

Exit mobile version