Suksesi i Shkëndijës 2-0 ndaj Mlada Boleslav në sfidën e parë ka rritur entuziazmin e skuadrës dhe tifozëve, të cilët besojnë tek një kualifikim ndaj skuadrës që shihet si favorite për të vijuar më tej. Megjithatë në sfidën e kthimit në Çeki tradita nuk mundet të vijojë, kjo për shkak se skuadra çeke nuk ka nënshkruar me asnjë televizion për prodhimin e sinjalit.
Shkëndija shkon në sfidën e kthimit me një avantazh të rëndësishëm dhe me lojën e treguar deri më tani gjasat janë që të vendosë emrin në play off të Europa League. Kuqezinjtë shkojnë të plotë në “Adidas Arena” për të përballuar një kundërshtar që ka nisur kampionatin. Por ecuria e Shkëndijës është mbresëlënëse pasi në 5 ndeshjet e luajtura deri më tani në Europa League ka regjistruar 4 fitore dhe një barazim me golavarazh 7 gola të shënuar dhe një i pësuar. Golashënuesi më i mirë për tetovarët në Europë është Besart Ibraimi me 3 gola, i ndjekur nga Stenio Junior dhe Ferhan Hasani që kanë realizuar nga 2 gola secili. Në Çeki shpresohet tek një tjetër rezultat pozitiv për të kaluar turin dhe për të shkruajtur historinë.