Aventura e Alvaro Moratës do të vazhdojë në Madrid, aty ku ai u rrit dhe u formua si lojtar profesionist. Reali e ktheu në shtëpi sulmuesin pas dy sezoneve të suksesshme me fanellën e Juventusit dhe fillimisht u mendua se klubi “Los Blancos” do ta shiste kartonin e tij për të arkëtuar minimalisht 30 milionë euro, por është trajneri Zinedine Zidane ai që vendos veton dhe respekton dëshirën e lojtarit për të qëndruar në shtëpi. Në këtë mënyrë, bomberit iu desh vetëm një muaj për të bindur trajnerin francez, i cili preferon të ketë dy emra në listë për rolin e qendërsulmuesit, duke shtuar konkurrencën e Karim Benzema. “Morata do të qëndrojë gjatë gjithë sezonit të ardhshëm sepse ne jemi krenarë që e kemi mes nesh. Ai tashmë është rikthyer në shtëpi”, theksoi trajneri kampion Europe, i cili siguroi gazetarët se Morata nuk ka qenë dhe nuk është në shitje.
Diskutimi për këtë çështje mbyllet përfundimisht dhe tashmë Morata duhet të sigurojë vendin e titullarit edhe pse nuk do ta ketë të lehtë. Ai ishte vendosur në shënjestrën e Arsenalit dhe Chelsea-t, dy klube që ishin të gatshme të ofronin deri në 60 milionë euro për kartonin e tij. Pas dy sezoneve si bardhezi, Morata u rikthye në Madrid për rreth 30 milionë euro, shifër kjo e parashikuar në klauzolë nëse Reali do të vendoste ta riblente sulmuesin e rritur në skuadrat zinxhir të klubit “Los Blancos”.
Spektakël i Realit të Madridit në International Champions Cup, me madrilenët që u imponuan 3-2 ndaj Chelsea-t dhe Zinedine Zidane që del fitimtar nga sfida me Antonio Conten. Publik fantastik me mbi 105 mijë spektatorë në “Michigan Stadium”, rekord absolut për një ndeshje të Chelsea-t siç njoftoi vetë klubi londinez. Mëkat që Chelsea nuk ishte në lartësinë e rastit dhe u hodh në tapet pasi një dygolësh i Marcelos dhe një tjetër rrjetë nga i riu i akademisë Mariano Diaz e kthyen në makth ndeshjen për Antonio Conten. Ka ende shumë punë për të bërë pasi Chelsea është ende një kantier i hapur dhe mundi ta marrë veten vetëm në finale kur Zidane hodhi në fushë shumë të rinj me dygolëshin e Eden Hazard, që gjithsesi nuk mund të ndryshonte krahun e fitores.
Zhgënjyen ndërkohë në Amerikë skuadrat milaneze. Interi u gjunjëzua 4-1 nga Bajerni i Mynihut. Zikaltërit e mbyllin me zero pikë aventurën në International Champions Cup dhe padyshim edhe me shumë pikëpyetje për sa i përket formës së skuadrës, pasi Bajerni shënoi 4 gola që në pjesën e parë ku Interi nuk dha sinjale jete për t’u mjaftuar duke administruar në të dytën.