Modeli i dalë boje i kryeministrit të fundit të tranzicionit

Nga Red VARAKU

Edi Rama përfaqëson një model tashmë të vjetër, të lodhur dhe diskretituar. Një model që nuk i ka fituar asnjëherë zgjedhjet, por i ka ‘vjedhur’ gjithmonë ato, në kuptimin që nuk i ka fituar asnjëherë me votën e lirë të qytetarëve, por me anë të marrëveshjeve të errëta në dëm të qytetarëve, dhe vetëm në interes të pushtetit të tij personal. Në 2013 bëri pakt me djallin, shkeli mbi viktimat e Gërdecit dhe 21 Janarit për të ardhur në pushtet. Ndërsa në vitin 2017, përmes një batërdie elektorale, që të gjithë e dëgjuam nga përgjimet e ekspozuara nga Zëri i Amerikës dhe BILD. Madje edhe fitoret e tij në bashkinë e Tiranës, në fakt kanë qenë pasojë e kontekstit historik, mbështetjes jashtëzakonshme nga kryeministrat socialistë Ilir Meta dhe Fatos Nano dhe marrëveshjeve të fshehta të tij me botën e krimit në Tiranë.

Pra, ai nuk ka fituar kurrë me votën e qytetarëve shqiptarë, por ka fituar gjithmonë vetëm nëpërmjet servilizmit dhe aleancave të dyshimta me njerëz që pëfaqësonin klane dhe grupe të caktuara kriminale. Sigurisht, që aftësia për të bërë marrëveshje është bekim, por vetëm kur këto marrëveshje bëhen në interes të qytetarëve, sepse nëse bëhen në interes të pushtetit personal, këto marrëveshje kthehen në mallkim. Mjafton të kthehesh pas në kohë, të rendisim datat dhe ngjarjet për të kuptuar që të gjitha “fitoret” e tij i ka marrë në tavolinë, me marrëveshje në kurriz të interesit të qytetarëve.

Në vitin 2000, fitoi përballë Besnik Mustafajt, jo aq për nga merita e tij sesa nga konteksti politik, kur u zhvilluan këto zgjedhje. Partia Socialiste kishte gati të gjithë parlamentin dhe Partia Demokratike kishte vetëm 28 deputetë. Ishte një kohë ku bandat bënin ligjin. Ishte koha që edhe nëse një gomar të vendosje në Tiranë nën siglën e PS-së, sërish gomari do të fitonte, sepse gjëma e vitit të mbrapshtë 1997 ishte akoma e freskët për shqiptarët. Plus PS nuk ishte ndarë akoma. Edhe pas këtyre disavantazheve për kandidatin Mustafaj, përsëri fitorja e Ramës ishte me diference minimale.

Në vitin 2003 vodhi hapur zgjedhjet kundër kandidatit Spartak Ngjela, i cili bëri një nga fushatat më model në histori, të paharrueshme për nivelin intelektual, qytetarinë dhe kulturën që demonstroi. Në 2005, Fatos Nano e emëroi në krye të PS, pas një poshtërimi të paharrueshëm që një ditë më parë i bëri platformës së tij politike, të cilën ia rrëzoi me 99% të votave, pastaj e votoi kandidaturën e tij po me 99% të votave, si për t’i thënë se ishte ai që po ia ‘dhuronte’ partinë. Gojët e liga thonë që Nano ia ‘shiti’ Ramës partinë asokohe, por çfarë çmimi nuk e dimë akoma. E vetmja fitore e tij është përballë Sokol Olldashit, por edhe atëherë, në marrëveshje me LSI-në. Në fitoren kundër Olldashit ndikoi gjithashtu edhe fakti se ai ishte kryetar i opozitës, plus dhe tradhtia që iu bë Sokol Olldashit nga ana e Bamir Topit me shokë.

Pastaj, për nderin që i bëri LSI-ja për Tiranën, ai ia shpërbleu pikërisht me marrëveshje me Sali Berishën në 2008 për të eliminuar atë që asokohe i dha fitoren, LSI-në. Një marrëveshje e turpshme,sepse arkitekti i saj ishte pikërisht ai. Duke qenë opozitë, ishte ai që diktonte kushtet. Një marrëveshje që synonte në thelb shkatërrimin e LSI-së. Një marrëveshje ku praktikisht fituesi i merrte të gjitha. Një marrëveshje ku u sanksionua dhe ajo që më së shumti po vuajmë sot. Asgjësimi i fuqisë së votës dhe ndërrimi i pushtetit vetëm me marrëveshje, ama marrëveshje politike!

Në zgjedhjet politike të vitit 2009, u dërrmua keqas. Mendoj, që marrëveshja e vitit 2008, dhe rezultati i zgjedhjeve e vitit 2009, ishin shkaqet kryesore që kanë prodhuar këtë situatë ku ndodhemi dhe sot. Asnjë votë nuk shtoi PS nga performanca e tij artistike dhe G99-çave të tij në tetë vjet opozitë. Ndërkohë, në skenë hyri LSI. Koalicioni PD-LSI vulosi përfundimisht fundin e Ramës, në kuptimin që ai nuk mund të vinte në pushtet kurrë vetëm, por vetëm nëpërmjet një koalicioni me LSI-në.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2011 , ai u bë politikani i dytë pas Arben Ahmetajt, i cili theu turinjtë përballë Lulzim Bashës. Ai humbi dhe kalanë e tij të fundit, bashkinë e Tiranës përballë ‘studentit’ hollandez, edhe pse konteksti kur u zhvilluan këto zgjedhje ishin në disfavor të madh për z. Basha, sepse zgjedhjet u zhvilluan në Maj, katër muaj pas ngjarjes ku mbetën të vrarë 4 njerëz në bulevard.

Pas, gjithë këtyre dështimeve të njëpasnjëshme, ai u bind që nuk mund ta mundte dot kurrë Sali Berishën dhe LSI-në. Kështu që, në mënyrë krejt të pamoralshme në 1 Prill, 2013, ai shkeli mbi gjakun e katër të vrarëve, preu në besë aleatët e tij, me të cilët kishte bërë opozitë, dhe u ul në gjunjë përballë LSI-së, duke shkelur mbi parimet në emër të pushtetit. Pas firmosjes, së koalicionit me LSI, ai filloi pabesisht edhe largimin e aleatëve opozitarë me të cilët kishte kuftuar përballë PD-LSI, Kreshnik Spahiun, Paskal Milon, Spartak Ngjelën etj.

Me pabesinë që e ka karakterizuar që herët, ai e bëri marrëveshjen me LSI-në vetëm dy javë para se të regjistroheshin koalicionet zgjedhore dhe 46 ditë para datës së zgjedhjeve.
Besoj se është e qartë pse e bëri këtë koalicion vetëm 46 ditë para zgjedhjeve lokale. E bëri me dinakëri, që të gjithë t’i kapte në befasi, në mënyrë që askush të mos kishte mundësi për të reaguar. Sepse, as PS nuk mund ta largonte dot kalin e betejës në fund të garës, dhe as aleatët nuk kishin se ku të shkonin. Ata ishin të deryruar t’i bënin fresk Ramës, sepse zgjedhjet ishin shumë afër.

Në zgjedhjet e 25 Qeshorit, 2013 ai ‘fitoi’ përballë Sali Berishës, por në fakt më shumë se sa fitore, ishte një ‘fitore’ me marrëveshje me gjysmën e qeverisjes së Sali Berishës, që e solli në pushtet duke hequr dorë kështu përfundimisht nga dy kauzat kryesore , kauzën e Gërdecit dhe atë të 21 Janarit. Asnjë votë nuk i shtoi ky njeri PS-së, as në opozitë, as në pushtet, me gjithë qelbësirat që nuk ishin pak, plot 19 deputetë.

Pas 2013, ai nisi dhe projektin e tij të uzurpimit të partisë dhe të bashkëqeverisjes me krimin. Duke emëruar kriminelë me damkë në poste shtetërore kyçe. Në vitin 2015, ai i fitoi pas një reforme territoriale shumë të dyshimtë , që e kishte bërë në favor të tij duke injoruar kërkesat e opozitës. Një reformë që u bë pa miratimin e opozitës, dhe që në fakt është ilegjitime për shkak, se reforma të tilla nuk bëhen pa njëbkonsensus gjithëpërfshirës.

Në 2017, ai i ‘fitoi’ zgjedhjet lokale me anë të një marrëveshje të pastër me krimin. Me kuti që mbusheshin plot e përplot, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Dibër, Elbasan, Vlorë, e të tjerë. Me njerëz të kërcënuar nga bandat, nga militantët apo mbështetësit e tij. Të gjitha këto i dëgjuam me veshët tonë nga përgjimet e gazetës Gjermane BILD. Një katastrofë elektorale e padëgjuar. Dosjet 339 dhe 184 apo të tjera e kanë përmbysur fitoren e Ramës dhe e kanë bërë atë ilegjitim si kryeministër në sytë e gjithë shqiptarëve.

Por, edhe pas këtij skandali, edhe kur të gjithë prisnin dorëheqjen e tij, ai i qëndori besnik natyrës së tij të pabesë dhe pa dinjitet. Në vend që të dorëhiqej dhe të mos kthehej më kurrë në politikë, ndërmori hapin fatal të një skenari makabër, atë të futjes në zgjedhje pa opozitën, me qëllimin e ulët të mbulimit të skandalit të përgjimeve.
Vetëm një njeri me një trashëgimi të tillë politike mund të ndërmerrte një hap të tillë. Gjithsesi. votimet u quajtën nul, të pavlera menjëherë pas 30 Qershorit nga OSBE/ ODHIR dhe të tilla do të mbeten jo vetëm në sytë e shqiptarëve, por edhe ligjërisht më vonë.

Pra, ky është një bilanc i “fitoreve” të Edi Ramës me disa ngjarje specifike, apo më kryesoret e gjashtë viteve të fundit. Që fillojnë që nga vjedhja e votave në bashkinë e Tiranës, më pas vazhdojnë me marrëveshjen me LSI-në për zgjedhjet e 2013-ës, asgjësimin Reformës Administrative, veshjen e krimit me pushtet, martesën me krimin e organizuar në zgjedhjet e 2017-ës, përgjimet e Zërit të Amerikës dhe BILD, realizimin e votimeve moniste të 30 qershorit, që u shpallën një fitore e madhe, në një fushë pa kundërshtarë.

Ajo që vërehet qartë është fakti se ‘fitoret’ e tij kanë qenë gjithmonë , fitore ‘me taktikë’, nëpërmjet të bërit aleancë me cilindo, qofshin këta vrasës dhe kriminelë të dënuar për përdhunim në grup, hajdutë, trafikantë apo tutorë prostitutash, por kurrë në një aleancë me qytetarët shqiptarë. Ndaj, edhe programi i tij politik, është një projekt që synon zhvatjen e pasurisë së qytetarëve dhe shpërblimin e ‘aleatëve’ të tij dhe asnjëherë përmirësimin e e jetës së qytetarëve.

Por kësaj here, ai është kapur në çark. Pikërisht atëherë kur mendonte se i kishte kapur të gjitha pushtetet dhe ishte më i fuqishëm se kurrë , mori dy goditje në mënyrë të sinkronizuar nga Zëri i Amerikës dhe gjermanët e BILD. Këto përgjime zbuluan fytyrë e vërtetë të këtij njeriu. Rrëzuan makiazhin , dhe zbuluan shëmtinë dhe deformimin e një njeriu të shndërruar në përbindësh. Ata e kanë të qartë pabesinë e këtij njeriu në dëm të interesit të tyre dhe fëmijëve të tyre. Prej Janarit, i ka hasur vërtet sharra në gozhdë. As propaganda miliona dollarëshe nuk pi më ujë. Çfarë nuk ka bërë për të nënshtruar opozitën! Dhunë , para , burg, kërcënime , një represion i paparë mbi përfaqësuesit e Opozitës! Sulm i padëgjuar kundër liderit të Opozitës së Bashkuar , z. Basha.

Por, asgjë nuk mund ta ndalojë rrokullisjen e tij nga pushteti, jo më shumë për shkak të dështimeve të tij spektakolare, sesa si shkërmoqje përballë një modeli të ri politikani, i cili përfaqëson kohën e re që po vjen dhe vlera të pastra perëndimore. Një model tjetër politikani, që ndryshe nga Rama, nuk do të pranonte të bënte asgjë në interes të pushtetit të tij, asnjë kompromis të shëmtuar, asnjë aleancë me kriminelët dhe hajdutët për të ardhur në pushtet, dhe këtë na e ka provuar në të dy fushatat e drejtuara prej tij të cilat kanë qenë ndër më qytetaret dhe civilet e organizuara ndonjëherë në Shqipëri.

Një kundërshtar që hedh poshtë me neveri pikërisht modelin e një politikani si Rama. Një model, që mbase edhe për shkak të formimit të tij si jurist, ka një përbuzje gati patologjike për kriminelët dhe ‘të fortët’ dhe ka një nderim të madh për qytetarët e ndershëm të këtij vendi.

Një model, i cili nuk ka ceduar në asnjë moment përballë luftës së tij me krimin dhe kriminelët duke thënë të vërteta të mëdha, duke denoncuar me emra dhunuesit e këtij vendi, veprime që kanë ngjallur shpresë se ky vend mund të bëhet. Një model tjetër , që në asnjë rast, në asnjë mënyrë, nuk do të bënte gabimin e një aleance me krimin, sado i fortë qoftë ky i fundit, dhe sado humbje personale t’i sjellë, sepse i ka të qarta pasojat helmuese të një aleance të tillë sepse beson se kriminelët janë dhunues më të mëdhenj të shoqërisë edhe se vetë diktatorët. Një model që beson tek liria dhe tek forca qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, që beson se vendi i kriminelëve është në qeli me pranga në duar, dhe jo në krye të bashkive ose në parlament.

Një njeri, që ka vendosur të largojë prej fronit, horrat dhe kriminelët , të cilët Rama i ktheu në polet më të rëndësishme shoqërisë duke i dhuruar një pushtet të jashtëzakonshëm. Një model që ka vendosur të mos bëjë asnjë kompromis në dëm të qytetarëve, dhe asnjë hap pas nga parimet e moralit dhe të drejtës. Një model, që ka vendosur të risjellë në fron qytetarët e ndershëm të këtij vendi, duke i dhënë kështu fund një herë e përgjithmonë përpëlitjeve të fundit të tranzicionit shqiptar.

Exit mobile version