Alvaro Morata duket gjithnjë e më larg Real Madridit e më afër Milanit. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja spanjolle “AS”. Sipas AS, delegati i Milanit, Marco Fassone dhe drejtori sportiv, Massimiliano Mirabelli, kanë udhëtuar të hënën në Madrid për të negociuar me Realin. Pasi e përfunduan sezonin në pozitën e gjashtë (Europa League), Milani tashmë ka arritur marrëveshje personale me Moratën, i cili do të përfitojë tetë milionë euro në sezon në “San Siro”.
“AS” shkruan se Milani ka bërë gati 60 milionë euro për sulmuesin spanjoll, i cili është vetëm zgjedhja e dytë për Zinedine Zidane. Trajneri francez preferon Karim Benzema para Moratës dhe për këtë spanjolli nuk dëshiron të ulet në stol edhe sezonin e ardhshëm, që Morata do t’i bashkohet shumë shpejt klubit italian.
Pavarësisht se ka luajtur më pak se Benzema, Morata ka shënuar më shumë gola, 20 dhe është golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit, pas Cristiano Ronaldos.
Milani ka zyrtarizuar transferimin e Mateo Musacchios, duke e cekur se 26-vjeçari, i cili u transferua nga Villarreali, është me origjinë shqiptare. Matteo Pablo Musacchio është italiano-argjentinas, por origjina e tij është shqiptare, më saktë arbëreshe. Stërgjyshërit e futbollistit ishin arbëreshë dhe historia na ka mësuar se gjatë pushtimit osman, ata u larguan drejt Italisë.
Ndoshta në pamje të parë mbiemri apo emri i futbollistit nuk të sjellin asgjë ndër mend që mund të lidhet si me arbëreshët si me Shqipërinë, por mbiemri i tij është në një lloj forme i “italianizuar” dhe sipas informacioneve të mbledhura Musacchio, është versioni italian i mbiemrit që ka mbajtur një nga familjet më të famshme dhe me traditë shqiptare, familja e Muzakajve.
“Mateo Pablo Musacchio ka lindur në Rosario, Argjentinë, më 26 gusht 1990. Me origjinë shqiptare, ish-mbrojtësi i Villarrealit ka gjithashtu pasaportë italiane (gjyshërit e tij kanë lindur në Portocannone, qytet afër Campobasso)”, shkruan Milan në sajtin zyrtar. Musacchio, me origjinë shqiptare, ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me Milanin, që do ta mbajë në “San Siro” deri në vitin 2021.