Roma dhe Luciano Spalletti ndahen përfundimisht. Tashmë është zyrtare 58-vjeçari toskan nuk do të jetë më trajneri i skuadrës verdhekuqe. Lajmi u publikua nga vetë klubi kryeqytetas që me një komunikatë në faqen zyrtare bëri të ditur zgjidhjen konsensuale të kontratës me Luciano Spallettin. Për ish-trajnerin e Zenitit e ardhmja parashikohet të jetë te Interi, me Spallettin që në ditët e ardhshme përjashto ndonjë surprizë të mundshme do të zyrtarizohet si trajneri i ri i skuadrës zikaltër. Roma ndërkohë ka filluar nga puna për të gjetur trajnerin e ri që me shumë gjasa do të jetë Eusebio di Francesco. Në komunikatën e klubit verdhekuq ku bëhej i ditur largimi i Spallettit, shkruhet: “Roma komunikon përfundimin e raportit të punës ndërmjet klubit dhe trajnerit Luciano Spalletti. Klubi tashmë është në kërkim të një tekniku të ri”.
Më tej lexohet: “Duam të falënderojmë në mënyrë të përzemërt Luciano Spallettin për punën e shkëlqyer që ka bërë gjatë kësaj periudhe dhe për kontributin që ka dhënë në klub që nga rikthimi i tij”, fjalë këto të presidentit James Pallotta. Luciano Spalletti, largohet nga Roma me vendin e 2-të dhe 87 pikë në klasifikim që solli kualifikimin direkt të skuadrës kryeqytetase në fazën e grupeve të Champions League. Ecuri e jashtëzakonshme ajo e Spallettit në kampionat, përjashto këtu kupat, por në këtë largim të tijin ndikoi ndoshta edhe raporti i vështirë me Tottin dhe mediat. Mbyllet në këtë mënyrë aventura e dytë e Luciano Spalletit me Romën me trajnerin 58-vjeçar që pritet tashmë të emërohet në krye të Interit.