Barbara Wesel
Të krijohet përshtypja se qeveria polake dëshiron ta vërë në provë Komisionin Evropian. Institucionet e Brukselit janë “të famshme” që kujtojnë me fjalë të mëdha parimet bazë, por që fjalët nuk i pasojnë me vepra. Në të ashtuquajturën procedurë të shtetit juridik ndaj Polonisë, Brukseli po tregon megjithatë dhëmbët.
Mosmarrëveshje ka që prej fillimit të vitit për eliminimin faktik të Gjykatës Kushtetuese polake nga qeveria e re. Partisë në pushtet PIS nuk i pëlqen përbërja e Gjykatës, ajo kërkon ta kufizojë pavarësinë e saj dhe i bllokon vendimet e saj. Kjo shkel rregullat bazë të demokracisë dhe në këtë mënyrë shkel edhe rregullat e Bashkimit Evropian. Kjo është e sigurtë. Kur një qeveri e re kërkon ta përshtasë Gjykatën Kushtetuese sipas preferencave të saj, atëherë ajo nuk qeveris më një shtet juridik, por një shtet arbitrar.
Varshava nuk ka lënë mjet pa provuar për ta tërhequr për hunde publikisht komisarin përgjegjës të BE-së. Edhe para dy ditësh, papritur erdhën sinjale paqësore nga Varshava: një rënie dakord është e mundur, madje e dëshirueshme, u tha. Kështu që përfaqësuesi nga Brukseli shkoi sërish në një takim me kryeministren polake. Por atje nuk mori ndonjë ofertë të pranueshme për kompromis. E gjitha ishte vetëm një finte.
Muzika shoqëruese politike në këtë luftë për pushtet midis Varshavës dhe Brukselit ishte shurdhuese: në fjalimin e saj më të fundit para Parlamentit polak, kryeministrja polake Beata Szydla e përmendi më shumë se njëzet herë fjalën “sovranitet”. Ajo foli edhe për “diktate” të Brukselit, për “ultimatume”, dhe për “të drejtën e vetvendosjes së kombeve”. E gjitha u kurorëzua me fjalët “trashëgimi e civilizimit dhe identitet kombëtar”. E gjithë zhurma retorike nuk i shërbente asnjë synimi tjetër, veç synimit për të eliminuar njërën nga arritjet më të mëdha të civilizimit, pikërisht pavarësinë e drejtësisë.
Kulmi i akuzave kundër Brukselit ishte pohimi se, Poloninë Brukseli në njëfarë mënyre po e mashtron, sepse dymbëdhjetë vjet më parë, kur u nënshkruan marrëveshjet me Poloninë nuk ekzistonte procedura për shkelje të rregullave të shtetit juridik. Prej të gjithë argumentave të çmendura, ky është një nga budallallëqet më të mëdha. Sepse natyrisht ka ekzistuar gjithmonë detyrimi për t’i respektuar parimet demokratike bazë të BE-së. Dhe për to bëhet fjalë në këtë rast.
Po e përmendim edhe njëherë, që të mos harrohet: BE-ja nuk është arka qendrore për shtetet anëtare, të cilat përndryshe as që çajnë kokën për objektivat dhe parimet e tij. Para së gjithash, ai nuk është zyra e pagave të qeverive, të cilat synojnë një mënyrë autokratike qeverisjeje. Këto rregullat e BE-së e përjashtojnë parimisht. Dhe ai që e ka nënshkruar marrëveshjen e anëtarësimit, ai ka detyrime. Kujt nuk i pëlqen më, ai mund të dalë nga klubi. Qeveria e Varshavës mund të vendosë për këtë në mënyrë shumë sovrane.