Një raport i ri e publikuar dje nga Fondacioni “Walk Free”, “Të ecësh i lirë”, thotë se rreth 46 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë në kushte skllavërie, shumica e tyre në vende si India, Kina dhe Pakistani. Në raport u kërkohet qeverive dhe bizneseve që të bëjnë më tepër për t’i dhënë fund sistemit të shfrytëzimit, që nuk kursen as fëmijët.
India është demokracia më e madhe e botës. Më tepër se 800 milionë prej popullsisë së saj prej 1.2 miliardë banorësh kanë të drejtën me ligj për të votuar. Megjithatë, India ka më tepër skllevër se sa çdo vend tjetër i botës, mbi 18 milionë vetë, sipas Indeksit më të fundit për Skllavërinë Globale.
“Në Indi ka forma të trashëguara të skllavërisë. Atje ka një histori shumë të gjatë të formave rurale të skllavërisë në bujqësi, pra është një problem që indianët po përpiqen shumë ta zgjidhin dhe që e kanë trashëguar nga e kaluara”, thotë autori kryesor i raportit.
Indeksi që mat punën e detyruar, varësinë nga borxhet, martesën e detyruar dhe shfrytëzimin seksual në 167 vende të botës, publikohet në mënyrë periodike nga Fondacioni Australian “Walk Free”.
“Ky fenomen ndodh kur një person nuk mund të largohet nga vendi; ose i është marrë pasaporta, ose atë, apo një pjesëtar të familjes së tij e kanë kërcënuar me dhunë. Pra ata nuk mund të lëvizin prej andej, e ndoshta edhe më keq, i trajtojnë si kafshët në një fermë”, thotë zoti Forrest.
Në vendet aziatike ndodhen rreth 60 për qind e skllevërve të botës moderne. Pas Indisë vijnë Kina dhe Paksitani.
Në këtë fabrikë që prodhon tulla në Pakistanin jugor punojnë burra, gra dhe fëmijë, për një pagë të cilën ata nuk e shohin kurrë me sy.
“Jam në borxh. Na u desh të marrin borxh për të ushqyer fëmijët. Unë kam një borxh prej 600 – 750 dollarësh, që ka për t’u fshirë për sa kohë që unë jam gjallë. Do të hiqet kur të vdes, sepse inflacioni është shumë i lartë…”- thotë një punëtor.
Punëdhënësit i mbajnë të gjitha fitimet e këtyre punëtorëve për shkak të borxhit që ata kanë dhe u japin atyre vetëm ushqim.
Njerëz në vende të tjera të botës ndodhen në situata të ngjashme.