Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën se përjashtimi i mundshëm i vendit të tij nga bisedimet midis SHBA-së dhe Rusisë për luftën në Ukrainë do të ishte “shumë i rrezikshëm” dhe kërkoi më shumë diskutime midis Kievit dhe Washingtonit për të zhvilluar një plan për një armëpushim.
Në një intervistë për Associated Press, Zelensky ka thënë se Rusia nuk dëshiron të angazhohet në bisedime për armëpushim ose të diskutojë ndonjë lloj lëshimi, të cilin Kremlini e interpreton si humbje, në një kohë kur trupat e tij po mbizotërojnë në fushën e betejës.
Ai ka thënë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump mund ta sjellë presidentin rus, Vladimir Putin në tryezë me kërcënimin për sanksione që synojnë sistemin energjetik dhe bankar të Rusisë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të ushtrisë ukrainase.
“Unë mendoj se këta janë hapat më të afërt dhe më të rëndësishëm”, ka thënë ai.