Mungesa me mësuesit ndihmës/ Prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta, të shqetësuar për arsimimin

Agimi është babai i një djali me autizëm, i cili prej ditësh po shfaq mungesë dëshire për të shkuar në shkollë.

“Ky fëmijë refuzon të shkojë në shkollë. Kam një muaj e gjysmë që i kam njoftuar strukturat. Në disa raste e injorojnë, në ditë të tjera e bullizojnë. Më thotë shkolla është e keqe, X mësuese është e keqe”, shprehet Agim Hajdari.

Në strategjinë kombëtare të Ministrisë së Arsimit përcaktohet detyrimi për të siguruar arsim gjithpërfshirës për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara si dhe nevoja për të parandaluar diskriminimin. Por gjithashtu pranohet se shkollat shqiptare ende nuk përmbushin të gjithë standardet si infrastruktura, kurrikula, strategjia e mësimdhënies apo vlerësimi për ta. Ndaj Agimi pavarësisht përpjekjeve për t’a dërguar djalin në mësim, nuk e zhvillon atë të plotë.

“Nga katër orë, dy orë e pak qëndron. Për shkak se nuk e kam të sigurt”, thotë Hajdari.

Madje, përveç mësimit 10-vjeçari ndjehet edhe i përjashtuar nga grupi i klasës në aktivitetet shkollore.

“Bëjnë aktivitete dhe Albionin e kishin larguar. Si p.sh. një aktivitet me gatime, amareta ëmbëlsira, ku Albioni nuk ishte. Por ky është fëmijë shumë social”, shprehet Hajdari.

Në portalin e punësimit ‘Mësues për Shqipërinë” vihen re qindra vende të lira për mësuesit ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuara. Por shqetësuese për Agimin është edhe ndërrimi i tyre vazhdimisht, duke krijuar vështirësi për t’u përshtatur te djali i tij autik.

“Në 4 vite ka ndërruar 4 mësues”, tregon prindi.

Ndër të tjera, Ministria e Arsimit përmes një Komiteti të nxënësve me aftësi të kufizuara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, arrin në përfundimin se vendosja e nxënësve me aftësi të kufizuara në klasa të përgjithshme, pa u shoqëruar, për shembull, me ndryshime strukturore në organizim dhe në strategjitë e mësimdhënies apo mësimnxënies nuk është tregues i gjithëpërfshirjes. Zakonisht, cilësia e arsimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shqipëri, është e ulët.

Top Channel

Exit mobile version