“Muri i ri i Berlinit”

Dalja e Britanisë nga BE-ja është krahasuar nga disa me Murin e Berlinit, duke thënë se ky vendim përfaqëson lirinë. Të tjerë thonë se, rënia e Murit të Berlinit ishte fillimi i epokës së globalizimit, ndërsa Brexit ka filluar zhbërjen e lidhjeve politike që mbajtën Evropën të sigurtë. Mbi rrënojat e murit të Berlinit, të rinjtë evropianë flasin për kontinentin e tyre që po ndryshon identitet:
Në vitin 1989, gjermanët rrëzuan murin që ndante Berlinin dhe që përfaqësonte ndasitë globale.
Sot, pjesët e murit të Berlinit shërbejnë si kujtesë për ditët e errëta të Evropës.
Pas votimit të Britanisë javën e kaluar për largimin nga BE-ja, disa të rinj mendojnë se ndoshta Evropa po kthehet prapa në kohë.
“Është ndjesi e çuditshme të vizitosh këtë vend, ndërkohë që po mendojmë sërish për t’u ndarë”, thotë një britanike.
Votuesit e rinj në Britani nuk mbështetën daljen nga BE-ja, por të rinjtë këtu nuk janë të gjithë kundër këtij vendimi:
“Janë emocione të përziera. Askush nuk e di se si do të ndikohet Evropa dhe bota. Një pjesë e imja është në favor të fuqizimit të popullsisë. Nga ana tjetër, mendoj se do të dëmtojë ekonominë”, thotë një shtetas finlandez.
Përballë një galerie fotosh nga tragjeditë e luftërave moderne, ai thotë se nuk i pëlqen që vota u ndikua nga frika për emigracionin.
Një gjë është e sigurtë, me daljen e mundshme të Britanisë nga BE-ja, do të krijohen pengesa të reja logjistike dhe ekonomike, të cilat nuk dihen se sa përçarëse do të jenë.
“Për mua, Londra ishte simboli i bashkimit, ku mund të takoje njerëz nga mbarë bota. Tashmë më lë një shije shumë të çuditshme”, thotë një shtetas italian.
Sidoqoftë, këta të rinj thonë se bota britanike është si një moment i murit të Berlinit për gjeneratën e tyre.
Të tjerë besojnë se, siguria dhe begatia e Evropës gjatë dekadave të fundit është lidhur me unitetin evropian, ndërsa tashmë partitë politike në disa vende diskutojnë për daljen nga BE-ja. Por, është e vështirë edhe për ta të kuptojnë se çfarë e udhëheq historinë.

Exit mobile version