Shtetet e Bashkuara festojnë 240-vjetorin e Pavarësisë

Shtetet e Bashkuara festuan dje 240-vjetorin e Pavarësisë nga Britania me piknikë, parada dhe fishekzjarre.
Presidenti Barack Obama do të presë në Shtëpinë e Bardhë familjet e ushtarakëve, ku do të jepet edhe një koncert nga Kendrick Lamar dhe Janelle Monae. Nëse sonte në Uashington nuk bie shi, njerëzit do të mund të shohin fishekzjarret në Shëtitoren Kombëtare në qendër të qytetit.
Por festimet kryesore do të jenë gjatë rrugës nga Shtëpia e Bardhë tek ndërtesa e Arkivave, ku është ekspozuar Deklarata e Pavarësisë, që u hartua nga Thomas Jeffersoni dhe u miratua nga Kongresi më 4 korrik 1776.
Më shumë se çdo gjë tjetër, deklarata është një kritikë e mprehtë ndaj mbretit britanik George, duke e cilësuar atë një tiran që kishte shpërfillur në mënyrë të përsëritur lutjet e kolonive amerikane për trajtim më të mirë.
Deklarata përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane dhe mbi të drejtat e natyrshme njerëzore:
“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”, thuhej në deklaratën e hartuar nga 32-vjeçari Thomas Jefferson.
Ajo që do të pasonte ishte Lufta Revolucionare, e cila do të vazhdonte deri në 1783, kur Traktati i Parisit njohu zyrtarisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vend sovran dhe të pavarur. Traktati është gjithashtu pjesë e koleksionit të Arkivave Kombëtare.
Mes 27 ankesave të renditura nga Jeffersoni, ishin edhe ato për stacionimin e një numri të madh trupash britanike në koloni, shkëputjen e lidhjeve tregtare të kolonive me botën dhe pezullimin e legjislaturave lokale.
Do të duheshin edhe disa vjet luftë me Britaninë, në atë kohë shteti më i fuqishëm ushtarakisht në botë, që Amerika të fitonte pavarësinë e plotë.
Festa e 4 korrikut përfshin një lexim tradicional të Deklaratës së Pavarësisë në shkallët e ndërtesës së Arkivave. Brenda ndërtesës, dokumenti origjinal është ekspozuar dukshëm për publikun së bashku me Kushtetutën dhe Kartën e të Drejtave.

Exit mobile version