Myzyri, menaxheri i Sadriut i jep tenderat Abazit si zyrtar i komisionit

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Duma ka denoncuar dje me emër konfliktin e hapur të interesit në fitimin e tenderave nga kompania e deputetit të PS, Sadri Abazi. Jonaid Myzyri, i cili ka qenë menaxher në kompaninë e Abazit rezulton të jetë një nga njerëzit kyç në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili i jep tenderat Abazit në shkelje të hapur të të gjitha ligjeve.
Abazi është kështu shkelës jo vetëm i konfliktit të interesit pasi përfiton tendera nga fondet publike duke qenë në të njëjtën kohë edhe deputet, por edhe i përfiton këto tendera nga njerëzit që ai i ka të dypunësuar në kompaninë e tij.
“Kemi bërë publike se si oligarku i Ramës, Sadri Abazi merr dhjetëra tendera, shpallet gjithnjë fitues, me ofertën më të lartë dhe merr pothuajse fondin limit. Tendera në OSHEE, tendera tek rrugët, tendera kudo. Madje së fundmi, u zbulua se miku dhe ndërmjetësi i tij Taulant Balla, i kishte siguruar dhe nja 780 milionë lekë në Bashkinë e Librazhdit.
Më e rënda është kapja që Sadriu i Ramës i ka bërë institucionit kyç të tenderave, që është Komisioni i Prokurimeve Publike, aty ku si rregull, duhet të shqyrtohen ankesat e operatorëve të tjerë.
Nëse je në garë me Sadriun dhe dihet se garën e ke të humbur para oligarkut të Ramës, atëherë duhet t’i drejtohesh KPP-së, me ankesë. Mirëpo KPP-ja, është kthyer në një zyrë të Sadriut.
Dje bëmë dy pyetje publike.
A është një ish-drejtues i kompanisë së Sadriut, ‘Alko IMPEX’, pjesë e KPP, pikërisht në zyrën e shqyrtimit të ankesave?
A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i Sadriut, me përfaqësuesen ligjore të KPP?
Sigurisht, Sadriu heshti, Taulanti heshti, Rama heshti.
Sot po e bëjmë më konkrete pyetjen:
A është Jonaid Myzyri, më parë menaxher i Sadriut, në një post kyç sot në Komisionin e Prokurimeve Publike?
Po përfaqësuesi ligjor i Sadriut, Taulant Godroli, a ka lidhje me përfaqësuesen ligjore të KPP, e megjithatë ata përballen në gjykatë dhe gjithnjë fiton kompania e Sadriut?
Heshtja e oligarkut, e ndërmjetësit të tij Taulant, e Ramës konfirmojnë këtë formë tronditëse të korrupsionit e kapjes së institucionit kryesor të tenderimit.
Ky korrupsion është arsyeja pse Rama dhe oligarkët e tij pasurohen çdo ditë e më shumë, ndërsa populli zhytet në papunësi, varfëri e mjerim, çdo ditë e më shumë”, thuhet në deklaratën e Dumës.
Sadri Abazi është një nga të favorizuarit e Ramës në dhënien e tenderave. Në periudhën shtator 2013-dhjetor 2013, periudhë kur Rama nisi drejtimin e pushtetit nuk ka fituar ndonjë kontratë, në periudhën janar 2014-dhjetor 2014 ka fituar 11 kontrata. Në periudhën janar 2015-dhjetor 2015 ka fituar 16 kontrata. Pra, në total për këto periudha kohore, Abazi ka fituar rreth 27 tendera. Por kjo shifër është më e lartë se kaq, Abazi ka përfituar tendera nga institucionet publike edhe nga kompani të tjera, të cilat janë të tij, por të hapura në emra të familjarëve apo të afërmve të Abazit. Nga ana tjetër, Abazi krahas përfitimit të tenderave, vijon qetësisht të lartësojë ndërtimet e tij pa leje në mes të Tiranës. Deputeti i PS, Sadri Abazi, ka kryer dhjetëra ndërtime pa leje dhe askush nuk guxon që të shembë qoftë edhe një ndërtim të jashtëligjshëm të tij. Abazi ka 5 pallate të paligjshme tek ish-serrat e Stacionit të Trenit, për të cilat ka vendim prishjeje nga INUK-u, por nuk prishen. Ka një 6-katësh të paligjshëm në tokë të familjes Gjinali tek “Zogu i Zi”, veç 2 metra para pallatit 8-katësh. Një 6-katësh në autostradë, veç 20 metra nga rruga. Po ashtu, Abazi ka ndërtuar një pallat pa leje në një nga zonat më të bukura të plazhit të Golemit.

Exit mobile version