Thirrja e dëshpëruar e guvernatorit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi, dy ditë më parë, se bankat duhet të kenë më shumë guxim në dhënien e kredive, ndryshe rritja e pritshme prej 3.4 për qind nuk mund të arrihet. Kjo deklaratë u bë gjatë konferencës për shtyp ku guvernatori njoftoi uljen, për të pesëmbëdhjetën herë radhazi, të normës bazë të interesit. Kjo normë tashmë ka arritur minimumin historik prej 1.25 për qind.
Të jesh i guximshëm, në termat bankarë, do të thotë të pranosh të financosh klientë me plane biznesi me të ardhura të paqarta ose pak të mundshme, ose akoma më keq pa asnjë garanci financiare ose pasuri të patundshme të kërkuara nga ligjet në fuqi, gjëra të cilat e venë bankën përpara një risku të madh të mosshlyerjes së kredive.
Ndoshta, guximi është elementi, normalisht, më pak i këshilluar dhe më pak i pranishëm në manualet e ekonomisë, në veçanti për politikat e kreditimit, në të cilat “guximi” është plotësisht i shkëshilluar nga vetë ligjet e bankës kombëtare. Instrumenti i Mbikëqyrjes ka për detyrë të ndalojë bankat të japin kredi me risk të lartë ose jo mjaftueshmërisht të garantuara. Analiza e riskut të kredive dhe tentativa e vazhdueshme për të ulur nivelin e kredive të këqija nëpërmjet instrumentit të vlerësimit të besueshmërisë së klientit dhe llogaritjes së kërkesës së kapitalit rregullator, tregojnë që sistemi ndërkombëtar bankar e sheh guximin e bankave më shumë si një armik se sa si një instrument i dobishëm.
Guvernatori i bën apel guximit së bankave, ndërsa vë në dukje një rritje të ekonomisë më të ulët se sa ajo e planifikuar nga qeveria. Në fakt, kjo deklaratë do të thotë se Banka e Shqipërisë i ka mbaruar të gjitha instrumentet e saj për të ringjallur ekonominë dhe që sot e tutje përgjegjshmëria e mbarëvajtjes së ekonomisë është e qeverisë dhe bankat nuk mund të kenë guxim. Qeveria ka për detyrë të ndërmarrë politika që reduktojnë riskun e vendit dhe atë financiar. Vetëm këto politika do të nxisnin më pas bankat të kishin “guxim” për të dhënë më shumë kredi.
Praktikisht, ne kemi vetëm kompani të paafta për të konkurruar në një treg të lirë, shpesh të zhvilluara në një mënyrë anormale falë kurajos dhe injorancës. Tani këto kompani janë vetëm të interesuara të monopolizojnë tregun dhe të përfitojnë kontrata koncesionare, të cilat janë një kancer i vërtetë për ekonominë e vendit. Por, njëkohësisht kontrata koncesionare dhe monopolet janë e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga paaftësia e vetë sipërmarrësve.
Koncesionet dhe monopolet nuk janë prodhim i kurajos së sipërmarrësve, por një pasojë e “kurajos” që bankat kanë pasur deri më tani.

“Exit.al”

Exit mobile version