Na ishte një herë Libia…

Në vitin 1939 Uashingtoni, Londra dhe Moska ndanë të ardhmen e vendit afirkan. Roma dhe roli i Kombeve të Bashkuara. Ngjitja në pushtet e Gheddafi, tentativa panarabe, luftërat me fqinjin, terrorizmi më pas i falur

Fronti i parë nacionalist libian u formua në tetorin e 1939, gjatë një takimi midis liderëve të lëvizjeve nacionaliste, të mbajtur në Aleksandri të Egjiptit. Në drejtimin e lëvizjeve të shumta indipendentiste, të ushqyra nga ndjenja e armiqësisë ndaj kolonizatorëve italianë, emërohet Idris, Emiri i Cirenaica. Nën komandën e tij, indipendentistët cireniakas u treguan të prirur të mbështesnin Aleatët gjatë Luftës së Dytë Botërore, me shpresën e fitimit të një forme autonomie në rast fitoreje. Kurse tripolitanët nuk deshën ta tregonin kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë italiane derikur humbja nuk u shfaq si e pashmangshme.

Në përfundim të luftës, fuqitë fitimtare ridiskutuan statusin e Libisë si posedim kolonial italian. Për këtë qëllim Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik, të mbledhur më 1945 në Konferencën e Potsdamit, vendosën me marrëveshje të përbashkët se territoret koloniale, që më parë i përkisnin Italisë, nuk do t’i ktheheshin me mbarimin e konfliktit. Por për sa i përket regjimit qeverisës të Libisë pozicionet e tri aleatëve divergjonin ndjeshëm.

Në fakt, qeveria amerikane dëshironte që Libia të ishte objekt e një procesi pavarësie të realizuar nga Trusteeship Council i Kombeve të Bashkuara; Bashkimi Sovjetik preferonte që Libia të ndahej në tri administrime mandatare nën kontrollin e Moskës, Londrës dhe Parisit; Britania e Madhe do të donte t’ia jepte menjëherë pavarësinë Libisë, pa asnjë fazë administrimi mandatar.

Për shkak të diversitetit të pozicioneve të aleatëve, zgjidhja që mbizotëroi në fund dhe e gjeti formalizimin në traktatin e paqes të shkurtit 1947 parashikonte se Libia do ta ruante statusin e saj pro tempore deri në një moment të mëpasëm ku do të vendosej e ardhmja e saj. Kështu, me qëllim që të ndihmoheshin qeveritë aleatë në vendimin e mëpasën krijohet një komision hetimor multikombëtar me detyrën e formulimit të propozimeve lidhur me atë ardhmen e Libisë. Kommisioni hetoi dëshirat e popullit libian dhe arriti në konkluzionin se, pavarësisht që e dëshironte vërtet pavarësinë, ishte ende i papjekur që të mund të qeverisej i pavarur. Konsultime të mëtejshme midis aleatëve nuk arritën që të përcaktojnë një pozicion të përbashkët dhe problemi i pavarësisë së Libisë ju referua Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në përgatitje të debatit në Asamblenë e Përgjithshme, Ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Britanisë së Madhe, respektivisht Carlo Sforza dhe Ernest Bevin, u dakordësuan për një plan të mundshëm tranzicioni për Libinë. Sipas këtij plani, Libia do të ndahej në tri mandate të ndryshme me bazë gjeografike, të gjitha të nënshtruara mbikëqyrjes së Trusteeship Council e Kombeve të Bashkuara. Plani parashikonte në mënyrë specifike se Cirenaica do të administrohej nga Britania e Madhe, Fezzan nga Franca, Tripolitania nga Italia dhe se tranzicioni final drejt një qeverie autonome libiane do të ndodhte vetëm pas 10 vitesh mandati nga Kombet e Bashkuara.

Në majin e 1949 plani Sforza – Bevin mori miratimin e Komisionit Special Politik të Kombeve të Bashkuara, por në një diskutim të mëpasëm në Asamblenë e Përgjithshme plani nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme e 2/3 për miratimin përfundimtar, duke marrë vetëm 1 votë më pak nga numri i nevojshëm. Një rezolutë e mëpasme e Kombeve të Bahskuara u miratua në nëntorin e 1949 pas plani Sforza – Bevin u arkivua përfundimisht. Me këtë rezolutë u vendos që pavarësia e Libisë do të arrihej maksimumi në janarin e 1952.

Gjatë fazës së tranzicionit, administrimi në kuptimin e vërtetë të fjalës i vendit u realizua nga Këshilli prej 10 anëtarësh, i përbërë nga përfaqësuesit e Cirenaica, Tripolitania dhe Fezzan, përveçse nga një përfaqësues për pakiciat libiane. Veç kësaj, këtyre përfaqësuesve libianë në Këshill ju shtoheshin përfaqësuesit e qeverive të Italisë, Egjiptit, Francës, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit. Me qëllim që të monitorohej procesi i tranzicionit drejt një qeverie autonome libiane, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara emëroi hollandezin Adrian Pelt si Komisar Ndërkombëtar për Zbatimin e Planit të Pavarësisë së Libisë. Për këtë qëllim, Pelt krijoi një komision përgatitor prej 21 anëtarësh që u ngarkua të përcaktojë përbërjen e një Asambleje Kushtetuese libiane.

Anëtarët e këtij komisioni u emëruan, nga 7 për rajon, nga liderët e grupeve indipendentiste të Cirenaica, Tripolitania dhe Fezzan. Me krijimin e Asamblesë Kushtetuese, në nëntorin e 1950 nisën punimet e tij për hartimin e ligjit themeltar të vendit. Gjatë diskutimeve të Asamblesë, u vendos që Libia do të kishte një formë qeverisjeje federale të tri provincave, të bashkuar nën një monark të vetëm përfaqësues të të gjithë popullit libian. Me përcaktimin se shteti i ri do të ishte monarki, kurora e Mbretërisë së Libisë ju ofrua Idris nga Asambleja Kushtetuese. Miratimi i mëpasëm formal i Kushtetutës ndodhi në tetorin e 1951, ndërkohë që administratat britanike dhe franceze nisnin kalimin e komptencave qeverive provinciale. Në fund, më 24 dhjetor 1951, monarku i ri libian Idrisi i I shpalli zyrtarisht pavarësinë e Libisë si shtet sovran.

Nga pikëpamja e politikës së jashtme Idrisi i I vendosi që Libia do të merrte një pozicion tradicionalist dhe proarab, duke siguruar hyrjen në Lidhjen Arabe më 1953. Kundrejt Perëndimit, Libia nënshkruan marrëveshje 20 vjeçare me Britaninë e Madhe e me Shtetet e Bashkuara për vendosjen e bazave ushtarake e të dy vendeve në territorin libian, në këmbim të furnizimeve me asistencë ekonomike dhe ushtarake për monarkinë. Kurse Mbreti Idrisi i I preferoi që të mos tregohej shumë i disponueshëm ndaj Bashkimit Sovjetik – edhe pas rivendosjes së marrëdhënieve bilateralë më 1955 ia refuzoi rregullisht ofertat e ndihmës ekonomike.

Nga pikëpamja e politikës së brendshme, mbi bazën e kushtetutës së re, sovrani ishte figura politike më e rëndësishme e jetës publike të vendit. Në fakt, mbretit i atribuohej e drejta për të emëruar gjysmën e anëtarëve të Senatit, e drej a e vënies së vetos ndaj ligjeve të miratuara nga Parlamenti dhe pushteti për të shpërndarë Dhomën e Ulët të Parlamentit. Veç kësaj, Kryeministri emërohej nga Mbreti dhe, pavarësisht se ekzistonin forma përgjegjësie edhe ndaj parlamenti, i ishte deleguar sovranit drejtimi politik i përgjithshëm i aktivitetit të qeverisë. Karakteri federal i parashikuar nga kushtetuta respektohej nëpërmjet parashikimit të formave të autonomisë për provincat.

Në fakt, secila provincë mund të zgjidhte një qeveri dhe një asamble të sajën provinciale. Në shkurtin e 1952 u mbajtën zgjedhjet e para politike kombëtare, që panë fitoren e partive proqeveritare. Menjëherë pas zgjedhjeve, qeveria i shpalli të jashtëligjshme partitë opozitare, promotorë të një formë më të decentralizuar qeverisjeje, dhe nxorri në ekzil liderin e opozitës Sadaëi.

Në fazën e parë të historisë së tij si shtet i pavarur, zhvillimi ekonomik i Libisë rezultoi jashtëzakonisht i ngadaltë. Në fakt, megjithë fluksin e ndihmave financiare dhe ekonomike ndërkombëtare, Libia mbeti një vend thelbësisht bujqësor dhe me një PBB të ulët deri në fundin e viteve ‘50. Më pas, në qershorin e 1959, një eksplorim tregoi se ekzistonin rezerva të mëdha nafte në afërsi të Zaltan, në Cirenaica.

Zbulimi i pranisë së naftës shkaktoi një ngritje të koeficentit të rritjes së ekonomisë libiane, mundësoi zhvillimin e pajisjeve e teknologjive nxjerrëse dhe i garantoi fitime të mëdha qeverisë libiane, të siguruara nëpërmjet dhënies së të drejtave të shfrytëzimit shumëkombësheve të naftës. Në vitet ’60, ndërsa vazhdonte zhvillimi i teknologjive nxjerrëse, qeveria libiane formuloi planin e saj të parë 5 vjeçar që mbulonte periudhën 1963 – 1968. Sipas parashikimeve të qeverisë, ekonomia libiane do të ristrukturohej në mënyrë që t’i jepte rëndësi parësore nxjerrjes dhe eksportimit të naftës, me qëllim që të garantonte një rritje të pasurisë së vendit. Por si pasojë negative e kësaj politike që një reduktim i konsiderueshëm i prodhimit bujqësor.

Në fillimin e viteve ’60, Mbreti Idris i I promovoi reforma politike të brendshme në drejtim të një centralizimi më të madh të pushtetit. Në prillin e 1963 Kryeministri Muhi ad Din Fakini miratoi një ligj që parashikonte abrogimin e formës federale të qeverisjes në favor të një centralizimi të pushtetit në qeverinë kombëtare. Provincat historike të Cirenaica, Tripolitania dhe Fezzan u abroguan dhe u zëvendësuan nga 10 provinca të krijuara për herë të parë. Në krye të secilës provincë të re u vendos një Guvernator me emërim mbretëror dhe i varur drejtpërsëdrejti nga qeveria qendrore.

Nga mesi i viteve ’60 nisi të përhapej në radhët e popullsisë një ndjenjë e fortë nacionalizmi panarab i markës nasseriane, i destinuar që të influencojë pozicionin e Libisë ndaj konfliktit arabo – izraelian. Në vitin 1964, në përgjigje të manifestimeve të mëdha popullore kundër mbështetjes perëndimore ndaj Izraelit, qeveria libiane kërkoi largimin e bazave amerikane dhe britanike, përpara skadimit të marrëveshjeve 20 vjeçare të aleancës ushtarake. Më pas, shpërthimi i Luftës së 6 Ditëve më 1967 shkaktoi një reagim të fuqishëm emotiv në popullin libian, që u konkretizua në manifestime të dhunshme që u zhvilluan nëpër rrugët e Tripoli e të Bengasi.

Gjatë manifestimeve të tilla, ambasadat amerikane dhe britanike u dëmtuan nga demonstruesit, që akuzonin qeveritë perëndimore se mbështesnin Izraelin. Gjatë këtyre viteve nisi të krijohej një shkëputje midis popullsisë, gjithnjë e më shumë e prekur nga një ndjenjë nacionaliste panarabe, dhe monarkisë së Idris të I, që identifikohej gjithnjë e më shumë me interesat vetëm të palës cirenaikase të popullsisë. Veç kësaj, ndërsa studentët libianë kritikonin politikën properëndimore të qeverisë, oficerët e ushtrisë influencoheshin nga ideologjia nacionaliste arabe që promovohej nga Egjipti i Nasser.

I deligjitimuar përballë opinionit publik dhe më një kontroll gjithnjë e më të pakët të kuadrove të ushtrisë, mbretërimi i Idris të I përfundoi në qershorin e 1969, kur Mbreti la pushtetin, duke abdikuar për motive shëndetësore. Pushtet mbretëror ju besua Princit Trashëgimtar Hasan ar-Rida që mori postin e Regjentit, por nuk qëndroi gjatë në pushtet. Më 1 shtator 1969 një grup puçistësh i formuar nga rreth 70 oficerë ushtrie, të udhëhequr politikisht nga një Këshill i Komandës Revolucionare, mori kontrollin e institucioneve qeveritare dhe e deklaroi të abroguar monarkinë. Grushti i shtetit u realizua pa të vdekur, falë mbështetjes popullore ndaj puçistëve dhe aksioneve të ushtarakëve, që i mundësuan Këshillit të Komandës Revolucionare që të marrë kontrollin e kryeqytetit dhe, më pas, të të gjithë vendit.

Menjëherë pas grushtit të shtetit, Këshilli i Komandës Revolucionare e shpalli Libinë një Republikë Arabe, që do të zëvendësonte tashmë të vdekurën Mbretëri të Libisë. Disa ditë pas grushtit të shtetit, Regjenti Hasan deklaroi se hiqte dorë nga të drejtat e tij të suksesionit ndaj fronit dhe shfaqi publikisht mbështetjen e tij për regjimin e ri. Mbreti Idris i I, që ndodhej jashtë vendit për kurim mjekësor, shprehu qëllimin e tij që të mos kërkonte ndërhyrjen e qeverive të huaja për të rimarrë kontrollin e vendit, duke vendosur kështu që të mos ktheheh kurrë më në Libi. 6 ditë pas grushtit të shtetit (më 1 shtator 1969, shënimi im.), Këshilli i Komandës Revolucionare emëroi një qeveri që do të administronte republikën e re.

Në krye të kësaj qeverie u vendos Mahmud Sulayman al-Maghribi, një aktivist politik i njohur nën regjimin monarkik, i cili procedoi me emërimin e 8 ministrave të kontrolluar drejtpërsëdrejti prej tij. Por autoriteti i vërtetë politik mbetej në duart e Këshillit të Komandës Revolucionare, që përcaktonte edhe drejtim politik të përgjithshëm të qeverisë, duke i kërkuar më pas kësaj vetëmm zbatimin e programit. Veç kësaj, grushti i shtetit i 1969 pa të shfaqej një figurë themelore në jetën politike të Libisë për shumë dekada në vazhdim.

Në fakt, më 8 shtator 1969 Këshilli i Komandës Revolucionare promovoi me gradën Kolonel një anëtar të ri dhe karizmatik të tij, Kapitenin Mu’ammar Gheddafi. Në vijim të promovimit, Gheddafi mori edhe postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm e forcave të armatosura libiane, por duke mbajtur gradën e Kolonelit. Nga pikëpamja e politikës së brendshme, Këshilli i Komandës Revolucionare caktoi islamin si fe shtetërore dhe abrogoi institucionet legjislative monarkike, duke e përqëndruar në drejtimin e Këshillit të Komandës Revolucionare si pushtetin legjislativ, ashtu edhe atë të drejtimit politik të vendit.

Nga dhjetori i 1969 e më pas, Gheddafi filloi të hidhte themelet e regjimit të tij personal. Në vijim të arrestimit të Ministrit të Mbrojtjes Adam Said Hawaz dhe të Ministrit të Brendshëm Musa Ahmed, të akuzuar se po planifikonin një grusht shteti kundër Këshillit të Komandës Revolucionare, Gheddafi riformatoi qeverinë, duke marrë përkohësisht si funksionin e Kryeministrit, ashtu edhe të Ministrit të Mbrojtjes. Si Ministër të Brendshëm Gheddafi emëroi Abdel Salam Jallud, anëtar i Këshillit të Komandës Revolucionare dhe krahu i djathtë i tij brenda vetë këtij organi. Më 1972, Jallud mori postin e Kryeministrit në zëvendësim të Gheddafi, i ngarkuar që të merrej me çështjet e politikës së brendshme të qeverisë, duke ia lënë Kolonelit menaxhimin e punëve të jashtme të vendit.

Megjithëse formalisht neutrale dhe e pavarur nga dy supqerfuqitë botërore, Libia e Gheddafi nisi të marrë ndihma të konsiderueshme nga Bashkimi Sovjetik në formën e pajimeve dhe mjeteve ushtarake për forcat e armatosura libiane. Më 1973, me qëllim që të koordinonte vendimet e prodhimit dhe eksportimit të vendeve të ndryshme arabe prodhuese të naftës, Libia mbështeti krijimin e kartelit ekonomik OPEC, në mënyrë që të mund ta influenconte çmimin e naftës së shitur në tregjet e ndryshme të huaja.

Si pasojë e Luftës së Yom Kippur të 1973, në marrëveshje të përbashkët me vendet e tjera të OPEC-it, Libia vendosi ta kufizojë sasinë e saj eksportuese të naftës ndaj vendeve perëndimore të konsideruara shumë të afërta me qeverinë izraeliane, duke shkaktuar kështi një rritje të çmimit të naftës në tregjet e tyre të brendshme. Nga 1973 e më pas filloi të ravijëzohej karakteri revolucionar i politikës së Gheddafi. Në fakt, pikërisht atë vit u krijuan në të gjithë vendin komitete popullore, që në qëllimet e Kolonelit duhej të frymëzonin një ethe revolucionare në popullsi. Për t’ia arritur këtij qëllimi, komitetet popullore promovuan pjesëmarrjen e publikut në drejtimin e çështjeve politike në nivel lokal dhe realizuan midis popullsisë propagandën në favor të ideologjisë socialiste revolucionare të qeverisë.

Më pas, reforma e institucioneve libiane vazhdoi deri në marsin e 1977, kur një Kongres i Popullit, organ përfaqësimi popullore që zëvendësoi Këshillin e Komandës Revolucionare, miratoi një deklaratë mbi bazën e së cilës Republika Libiane bëhej Jamahiriya Arabe Libiane Popullore. Veç kësaj, Gheddafi mori rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kongresit të Popullit dhe procedoi duke emëriar Komisarët e Përgjithshëm të Popullit, poste të reja që zëvendësuan ministrat e tashmë të abroguarit Këshill i Ministrave. Politika e jashtme që ndoqi Gheddafi në vitet ’70 u bazua mbi një ideologji panarabe, sipas të cilës të gjitha vendet e botës do të duhej të bashkoheshin nën një flamur të përbashkët.

Si hap të parë për konkretizimin e këtij vizioni, Gheddafi promovoi një seri negociatash midis Libisë dhe Egjiptit, të zgjeruar më pas edhe tek Siria, të prirua në realizimin e një Federate Republikash Arabe. Kjo federatë u shpall nga liderët e 2 vendeve në prillin e 1971 dhe një kushtetutë e saj hyri në fuqi më 1 janar 1972, pas miratimit me shumicë dërrmuese nga ana e popullsive të të 3 vendeve. Pavarësisht hapave të ndrojtur drejt integrimit midis strukturave qeverisëse dhe ekonomike të të 2 shteteve, procesi i formimit të një realiteti unik politik nuk u përfundua asnjëherë. Në fakt, lufta siriano – egjiptiane kundër Izraelit e vitit 1973 e pa Libinë të përjashtuar nga planifikimet e përbashkëta ushtarake të Sirisë dhe Egjiptit, duke shkaktuar një përkeqësim të mëtejshëm në marrëdhëniet midis 3 regjimeve.

Tentativat e mëpasme të negociatave të një paqeje midis Egjiptit dhe Izraelit të ndërmarra nga Sadat në vitin 1978 hasën në kundërshtimin e qeverisë libiane, që organizoi një front diplomatik të përbashkët me vende të ttjera arabe në tentativën e izolimit diplomatikisht të Egjiptit nga fqinjët e tij. Duke e konsideruar të dështuar tentativën e shkrirjes me Egjiptin, Gheddafi i propozoi Tunizisë një formë bashkimi politik të ngjashme me atë të parafiguruar për Federatën e Republikave Arabe. Por një propozim i tillë shkrirjeje u refuzua më 1974 nga Presidenti i Tunizisë Habib Bourguiba për shkak të diferencave të mëdha ekzistuese midis të dy vendeve dhe raporteve të tyre të këqija bilaterale.

Nga pikëpamja gjeopolitike, më 1970 qeveria libiane vendosi nisjen e një programi zhvillimi të armëve atomike filloi të vendosë kontakte, në këtë kuptim, me vende të tjera, me qëllim që të siguronte teknikën dhe materialet e nevojshme për t’u pajisur më atomiken. E identifikuar si partneri i parë potencial bërthamor i Libisë, Kina mori një kërkesë për blerjen e një arme atomike nga ana e Gheddafi, por e refuzoi menjëherë. Në vijim të një refuzimi të tillë, Gheddafi vendosi të mbështesë Pakistanin në programin e tij të blerjes së materialit fizibël, të ardhur nga Nigeria, me perspektivën e aksesit në një moment të dytë në teknologjinë bërthamore pakistaneze.

Ndryshe na nga shpresat e qeverisë libiane, qeveria pakistaneze e ndërpreu bashkëpunimin me Libinë përpara kompletimit të programit të tij bërthamor, duke e penguar kështu transferimin e mëpasëm të teknologjisë bërthamore Libisë. Me dështimin e programit të zhvillimit të atomikes, Gheddafi vendosi që t’i përkushtohej zhvillimit të armëve kimike, më të thjeshta për t’u prodhuar se ato bërthamore.

Në fillimin e viteve ’80 nis ndërtimi i një stabilimenti kimik në afërsitë e Rabta, 40 kilometra larg nga Tripoli, i finalizuar në prodhimin e gazit sarin dhe atij mustardë për t’u përdorur si armë kimike. Realizimi i impiantit ndodhi në bashkëpunim me disa inxhinierë gjermanë, por me qeverinë e Bonit që nuk e deklaronte një mbështetje eksplicite. Pas presioneve nga ana e DASH-it dhe të opinionit publik ndërkombëtar, qeveria gjermane, e njoftuar se disa kompani kombëtare po bashkëpunonin me programin kimik e Gheddafi, miratoi një legjislacion shumë kufizues në raport me transferimin në vende të tjera të teknologjisë apo të materialit të përdorshëm për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Për pasojë, programi libian i zhvillimit të armëve kimike pësoi një ngadalësim të konsiderueshëm. Kundrejt fqinjëve jugorë, në vitin 1973 Libia pushtoi Rripin e Aouzou në Çad, e pasur me rezerva uraniumi, dhe dislokoi një kontigjent ushtarak. Në Çad, vend i ndarë midis fraksioneve të ndryshme në luftë, ishte në zhvillim një luftë civile midis Tebu-ve të Çadit verior, të udhëhequr nga Goukouni Oueddei, dhe qeverisë qendrore. Falë mbështetjes së marrë nga Gheddafi, trupat e Goukouni pushtuan kryeqytetin N’djamena në dhjetorin e 1980.

Në vijim të fitimit të pushtetit nga ana e Goukouni, ky dhe Gheddafi nisën negociatat për një shkrirje politike midis Çadit dhe Libisë. Kundërshtimi nga ana e komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi dhe të Francës e vendeve të Afrikës Perëndimore në veçanti çoi në dështimin e këtij projekti bashkimi. Më tej, pas presioneve ndërkombëtare, forcat e armatosura libiane u detyruan të tërhiqen nga Rripi i Aouzou në nëntorin e 1981, megjithëse duke ruajtur një prani të kufizuar deri më 1987.

Në vitet ’80, marrëdhëniet e Libisë me Perëndimin pësuan një rënie të mëtejshme. Më 29 gusht 1981, gjatë një manovre detare amerikane në Gjirin e Sirte, ndodhi një përplasje ajrore midis dy avionëve përgjues F-14 të flotës amerikanë dhe dy bombarduesve Su-22 të aviacionit libian. Faktikisht, më 1973, Gheddafi kishte deklaruar se do t’i konsideronte ujërat e Gjirit të Sirte si ujëra territoriale libiane, duke ua mohuar aksesin të gjitha anijeve të huaja që nuk kishin autorizimin e qeverisë libiane. Kështu, manovra detare amerikane në Gjirin e Sirte u interpretua si një shkelje e ujërave territoriale libiane dhe shkaktoi rrëzimin e dy bombarduesve libianë që kapën përgjuesit amerikanë. Të dy Su-22 u rrëzuan dhe pilotët libianë, që arritën të shkëputeshin në kohë, u shpëtuan në det.

Në prillin e 1984, në Londër u mbajt një manifestim i madh paqësor përpara ambasadës libiane në Mbretërinë e Bashkuar, për të protestuar për vdekjen e dy studentëve në Tripoli për shkak të qeverisë. Gjatë manifestimit, personeli i sigurisë së ambasadës hapi zjarr kundër mainfestuesve, duke shkaktuar vdekjen e një policeje britanike dhe plagosjen e dhjetëra njerëzve. Në kundërpërgjigje, qeveria britanike e vendosi nën rrethim ambasadën libiane dhe urdhëroi përzënien e të gjithë personelit diplomati.

Nga ai moment e këtej, çdo kontakt diplomatik me Gheddafi ndërpritet. Një përkeqësim i mëtejshëm i marrëdhënieve të Libisë me Perëndimin ndodhi më 5 prill 1986, kur një lëndë eksplozive e vendosur në një diskotekë të Berlinit u hodh në erë, duke vrarë 2 persona dhe duke plagosur 200 të tjerë. Diskoteka ku u bë atentati ishte e njohur që frekuentohej nga personel amerikan; faktikisht, në momentin e shpërthimit rreth 60 ushtarë amerikanë mbetën të plagosur. Përgjegjësia e këtij atentati i atribuohet qeverisë libiane, e konsideruar përgjegjëse se i kishte dhënë mbështetje organizatës terroriste Abu Nidal, e lidhur me lëvizjet për çlirimin e Palestinës dhe e ekzekutuese materiale e atentatit.

10 ditë më pas, në përgjigje të atentatit, Shtetet e Bashkuara goditën isntalime të ndryshme ushtarake libiane në afërsitë e Tripoli dhe Bengasi. Të realizuara nëpërmjet raketave dhe bombarduesve, sulmet dëmtuan objektivat e rëndësishëm dhe shkaktuan 101 viktima, midis të cilave edhe vajza e adoptuar e Gheddafi që gjendej në banesën e familjes, edhe ajo shënjestër e sulmeve. Në tentativën për të dëmtuar sistemin e komunikacionit amerikan dhe, për pasojë, që t’u pengonte operacionet ushtarake, Gheddafi urdhëroi lëshimin e dy raketave SCUD kundër radarëve Loran të NATO-s të pozicionuara në ishullin Lampedusa.

Të dy raketat nuk goditën në shenjë, por e shtynë popullsinë lokale që të evakuojë qendrën e banuar dhe të kërkojë strehim të përkohshëm. Natyrisht, ngjarja nuk bëri gjë tjetër veçse i ashpërsoi marrëdhëniet me Perëndimin dhe sidomos me Italinë. Në vitet ’90, në vijim të hedhjes në erë të fluturimit PanAm Nr.103 që po kalonte në Lockerbie të Skocisë, incident ku qeveria libiane u konsiderua përgjegjëse, Libia u gjend e izoluar diplomatikisht nga bashkësia ndërkombëtare. Me Rezolutën Nr. 73 të Këshillit të Sigurimit, Kombet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Libisë, të cilët pasoja të rënda mbi ekonominë e vendit.

Sanksionet mbetën në fuqi për pjesën më të madhe të viteve ’90 dhe u pezulluan vetëm në prillin e 1999; por heqja përfundimtare e tyre ndodhi vetëm më 2003, pas pranimit publik të përgjegjësisë lidhur me incidentin e Lockerbie nga ana e qeverisë libiane. Me qëllim që të promovonte një përmirësim të mëtejshëm të marëdhënieve me vendet perëndimore, në dhjetorin e 2003 Libia njoftoi komunitetin ndërkombëtar se donte ta braktiste programin e saj e armëve të shkatërrimit në masë dhe se dëshironte një normalizim të marrëdhënieve me Perëndimin. Pasi ka hequr dorë nga financimi i operacioneve terroriste ndaj vendeve të tjera, më 2006 Libia u hoq nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin ndërkombëtar.

(nga Storica)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Exit mobile version