Sa vlen një pashaportë

Lëvizja lirisht në të gjithë botën është një privilegj për kë jeton në Perëndim apo që ka para për të blerë shtetësinë e një vendi tjetër. Barrierat ndaj lëvizjes globale janë një prej padrejtësive të sotme.

Shumë vite më parë, në aeroportin ndërkombëtar të Kuala Lumpur në Malajzi kam parë sesi bota është e ndarë mbi bazën e një hierarkie të identidikueshme nga vendi ku ndodhen njerëzit: sporteli për vizat e lëshuara në ardhje, qelitë e mbajtjes së përkohshme dhe radha e zakonshme në kontrollin e pashaportave. Qytetarët e Juglindjes aziatike, me lëkurën e errët, mbanin radhë për mundësinë e rrallë e sigurimit të vizës në ardhje, qelitë e mbajtjes mbusheshin sidomos me zezakë afrikanë, ndërsa perëndimorët, me pashaportat e tyre prestigjioze, parakalonin pa ngecje përpara policëve të emigracionit. Malajzia është një prej vendeve të pakta në të cilën shtete të ndryshme afrikane mund të udhëtojnë pa viza, megjithatë ishte mbi ta që përqëndroheshin të gjithë kontrollet. Skena tregonte mjaft mirë sesa qenë të rrënjosura dhe të dukshme pabarazitë e trajtimit mbi bazën e shtetësisë. Disa pashaporta bartin mbi vete një privilegj.

Kjo padrejtësi, e injoruar dhe e padurueshme, është një çështje sistematikisht e anashkaluar në debatet lidhur me emigracionin. Kush e ka këtë privilegj, udhëton në të gjithë botën pas pësuar e pa ngjallur dyshime dhe ka mundësi që të transferohet në një vend tjetër nga sot nesër pa ju dashur që të japë prova për legjitimitetin e tij si qenie njerëzore. Shpesh këta njerëz as nuk e kuptojnë gjithë këtë forcë të tyren. Për të gjithë të tjerët, situata është shumë ndryshe. Është para pak kohësh që ka filluar të flitet për një padrejtësi që godet afërsisht 4/5 e njerëzimit. Në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara industria muzikore dhe ajo letrare e kanë denoncuar faktin se shumë shpesh muzikantëve dhe shkrimtarëve nga jugu i botës u refuzohen vizat. Më të goditurit janë afrikanët, edhe kur janë të ftuar të marrin pjesë në festival.

Sorie Koroma, i njohur si Sorie Kondi, është një muzikant nga Sierra Leone i moshuar dhe i verbër, virtuoz i muzikës kondi. Më 2017 do të duhej të jepte shfaqje në Mbretërinë e Bashkuar e në vende të tjera europiane dhe shpresonte që t’u hapte një treg të ri muzikantëve afrikanë në disa qytete të mëdha të Azisë. Me t’u konfirmuar datat e turnout, ka kërkuar vizë për Mbretërinë e Bashkuar në Freetoën, kryeqytetin e vendit të tij, duke ju drejtuar një prej atye agjencive të shërbimeve të cilave ambasadat u tenderojnë menaxhimin e kërkesave për viza. Delegimi i shërbimeve të caktuara përfaqësuesve vendorë është një metodë e kolauduar qysh nga kohërat e kolonializmit.

Pak kohë më pas, Koroma ka marrë një email nga agjencia: lloji i vizës së kërkuar prej tij përgjithësisht lëshohet në 15 ditë ose më pak duke paguar një shërbim parësor mjaft të kushtueshëm. Megjithatë, saktësonte mesazhi, në rastin e tij procedura nuk kishte qenë lineare dhe agjencia nuk mund t’ia siguronte vizën në afatet e parashikuara. Koroma kishte dhënë më parë shfaqje në Mbretërinë e Bashkuar dhe praktikat e kujt udhëton shpesh përgjithësisht ecin më shpejt. Pas 60 ditësh, pashaporta e Koroma ishte ende në duart e autoriteteve britanike, pa kurrfarë shpjegimi dhe pas mundësi anullimi të praktikës. Artistit i është dashur që ta anullohe turneun.

Ia ka ndodhur njëlloj muzikantit ganez King Ayisoba, por ai ka arritur ta tërheqë në kohë pashaportën. Në shumë raste, ambasadat britanike në vendet e origjinës të kërkuesve apo qendra britanike ku shqyrtohen kërkesat, në Sheffield, i kanë mbajtur disa dokumenta më gjatë sesa afatet zyrtare, duke i mbajtur artistët peng për javë ose për muaj të tërë, dhe duke i detyruar që të anillojnë spektakle në të gjithë botën. Problemi nuk është as paaftësia, as burokracia. Mbajtja për një kohë të caktuar e pashaportave është vetëm një prej mënyrave me të cilat Europa – që kërkon me këmbëngulje që t’i spostojë kufijtë e saj jugorë deri në Sahel – dëshiron që të kontrollojë lëvizjet e qytetarëve jo të bardhë. Zbulimi i këtyre metodave ka tronditur shumë perëndimorë, që i kanë kritikuar në rrjetet sociale ambasadat, politikat e emigracionit, korrupsionin, kthesën djathtas të Perëndimit, fashizmin, mostolerancën, domethënë shënjestrat e zakonshme të kësaj epoke. Disa drejtorë festivalesh britanikë kanë nënshkruar një apel për t’i bërë më transparente procedurat e hyrjes. Por është qesharake ta shikosh vetëm tani gjithë këtë indinjatë: Jashtë Perëndimit askush nuk është i befasuar.

Në majë të hierarkisë

Sistemet perëndimore kanë qenë gjithmonë të bazuara mbi kufizimet e lirisë së lëvizjes, mbi vullnetin e privilegjimit të perëndimorëve në çdo rrethanë ekonomike, sociale dhe politike. Për këtë arsye në Londër nuk gjendet asnjë gazetar freelance nigerian apo Indian që të dënojë korrupsionin dhe të bëjë investigime lidhur me monarkinë, ndërsa shumë freelance me pashaporta britanike, europiane apo amerikane i ndërtojnë karrierat e tyre jashtë. Në dis prej tregjeve të punës me rroga më të larya, si vendet e Gjirit Persik, rrogat përcaktohen nga shtetësia, mbi bazën e ligjeve jo të shkruara që u garantojnë të ardhura më të mëdha kujt ka një pashaportë perëndimore. Në qendrat e financës globale si Singapori, Dubai apo Hong Kongu pashaportat perëndimore janë në majët e të gjitha hierarkive. Shtetësia është valuta më e fortë e momentit dhe shpesh vlen më shumë sesa etnia. Për lëtë arsye, një shtetase britanike me origjinë pakistaneze është ndjerë e autorizuar t’i gjuajë me shpullë një agjenti indonezian të Emigracionit që i kishte kërkuar të paguante 4000 dollarë pse kishte tejkaluar 160 ditët e limitit të qëndrimit në vend.

Pashaportat janë një mall i çmuar. Vende si Mauritius, që gëzon një prej pashaportave më të forta afrikane, kanë hyrë në tregun e “planifikimit të shtetësisë”: shpenzojnë shumë me 6 apo me 7 zero për të siguruar dokumenta identiteti më të favorshme. Disa kërkesa për vizë janë një udhëtim në poshtërim, siç mund ta dëshmojë kushdo që ia ka paraqitur një funksionarëve të konsullatës. Për të siguruar copën e letrës së bekuar, nganjëherë duhet paraqitur një ekstrakt i llogarisë semestrale bankare e autentikuar, lista e udhëtimeve e 10 viteve të fundit, dhjetëra formularë të nënshkruar me firma që duhet të përputhen saktësisht dhe, në disa raste, edhe një dëshmi penaliteti e pastër dhe një certifikatë mjekësore personale. Disa shtetësia vuajnë më shumë sesa të tjerat. Kërkesat për vizë yë paraqitura nga afrikanë refuzohen në 50% të rasteve në Mbretërinë e Bashkuar, kundrejt rreth 8% në Lindje të Mesme dhe 13% në Azinë Jugore.

As studentët e pranuar në universitetet më të mira e sigurojnë gjithmonë vizën, siç e dinë mirë një gjë të tillë haitianët. Nuk e siguron as kush kërkon një punë apo që ka një letër nga një sponsor, siç e dinë mirë indianët. Prindërit e moshuar shpesh nuk mund të shkojnë të takohen me fëmijët e tyre jashtë vendit, siç e dinë mirë libanezët. Nuk janë kursyer as turistët që thjesht do të donin të shkonin për pushime. E dinë shumë mirë tajlandezët, që ua hapin dyert të gjithëve pa pasur në shkëmbim asnjë favor. Qytetarët e shumë vendeve afrikane kanë nevojë për vizë edhe vetëm për të marrë një fluturim tranzit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në disa shtete të Bashkimit Europian. Nuk flitet shpesh për këto rrugëtime arsimore, jetë dhe karriera të ndërprera për shkak të politikave diskriminuese. Me një pashaportë perëndimore je i lirë të ndjekësh ambiciet e tua, ndërsa për të gjithë të tjerat objektivi do të ishte sigurimi i një pashaporte perëndimore.

Dyer të mbyllura

Emigrantët që vdesin në Mesdhe kanë fatin më mizor: e dinin se nuk dispononin pashaportën e duhur dhe e dinin edhe se do të ishte e kotë të ndërmerrnin procedurën e kushtueshme e sigurimit të një vize. Problem është i gjithi këtu: afrikanët që përfundojnë në duart e trafikantëve të Sahel janë detyruar që t’u japin dhjetëramijëra euro këtyre njerëzve, pasi nuk vlen të paguash një shumë shumë më të ulët për një vizë. Dikur kush kishte në shpatulla një karrierë suksesi dhe posedonte dokumenta që provonin vlefshmërinë e tij financiare arrinte ta siguronte vizën për një vend perëndimor. Por sot të kesh shumë para mund të jetë një prej arsyeve që viza të refuzohet. Duket paradoksale nëse marrim në konsideratë faktin që vizat janë bërë një sistem për të plaçkitur ish kolonitë: në vitin 2017 shpenzimet jo të rimbursueshme për kërkesat e vizave kanë gjeneruar miliona euro fitime. Kërkesa e një vize për një qëndrim pakditor kushton të paktën 60 euro.

Atëhere pse vazhdohet të këmbëngulet? Pse vizat perëndimore janë kaq të fuqishmë sa që thjesht prania e tyre në një pashaportë e çliruar nga detyrimi për të kërkuar një vizë për vende të tjera, si Turqia dhe Meksika, dhe i jep titullarit të pashaportës një legjitimitet që as një karrierë brilante dhe disadekadëshe nuk mund ta sigurojë. Qytetarët e vendeve perëndimore nuk janë të vetmit që posedojnë një pashaportë të privilegjuar. Mund të udhëtojnë pa viza edhe banorët e vendeve të vogla, si për shembull nga ishujt karaibikë Antigua e Barbuda, ku është e lehtë të blihet një pashaportë, apo ato të vendeve bastione të kapitalizmit global si Singapori.

Kush e mbron sistemin e vizave i bën apel varfërisë, emigrimit illegal, marrëveshje tregtare, lidhjeve historike dhe një seri të tjerë faktorësh në pjesën më të madhe të parëndësishëm. Ky i vizave është në thelb një sistem racist. Për këtë arsye, banorët e vendeve të ndryshme të Amerikës Latine, falë rrënjëve të tyre europiane, mund të udhëtojnë pa viza në Europë apo në Mbretërinë e Bashkuar, në ndryshim nga ata të vendeve aziatike me popullsi dhe të ardhura për frymë të ngjashme. Për këtë arsye vende si Brazili dhe Kolumbia, pavarësisht komponentit tyre të fortë afrikan, e ruajnë detyrimin e vizës të frymëzuar nga moedli europian. Për këtë arsye Australia ka marrë në konsideratë idenë e dhënies së vizave parësore bujqve të bardhë jugafrikanë, pasi që nacionalistët e bardhë kishin përhapur zërin se reforma agrare në vend do të shkaktonte genocidin e të bardhëve.

Indinjata në mjediset kulturore perëndimore, ku shumë janë ngritur në mrbotje të artistëve afrikanë, është legjitime dhe e lavdërueshme. Por nuk ka shpërthyer përballë konstatimit të dëmeve që vizat u shkaktojnë jetëve të milionave njerëzve jo të bardhë. Ka shpërthyer vetëm kur publikut perëndimor i janë hequr raste argëtimi. Vetëm kur stili i jetesës së perëndimore kërcënohet, atëhere kuptohet sesa është i padrejtë sistemi global i lëvizjes. Faji nuk është vetëm as i ambasadave, as i politikave migratore perëndimore. Indinjata duhet t’i drejtohet thelbit të problemit: sistemi global i lëvizjes është i çekuilibruar, i padrejtë dhe racist. Sa mund të zgjasë akoma kjo situatë e padrejtë në themel të të cilës një pjesë e vogël e popullsisë botërore mund të udhëtojë lirisht në çdo cep të planetit, ndërsa aspiratat e shumicës dërrmuese vendosen midis muret opake të konsullatave? Cila është zgjidhja?

Reciprociteti vlen pak për Perëndimin. Shumë nga vendet e Jugut do të thonin se Perëndimi kupton vetëm gjuhën që përdor ndaj pjesës tjetër të botës: atë të forcës. Mos duhet të fillojmë t’u vendosim kufizime absurde vizave të qytetarëve perëndimorë, duke privuar ekonomitë tona nga burime të shumta të ardhurash? Mos duhet t’i transformojmë ambasadat tona në kryeqytetet perëndimore në vende poshtërimi? Mos duhet të zbatojmë qëndrimin vdekjeprurës perëndimor, që e pengon impulsin njerëzor të emigrojë në kërkim të një ardhmjeje më të mirë? Edhe sikur të ndiqnim një strategji kaq radikale, në fund do të na kthehej kundër.

Nëqoftëse marrim në konsideratë fushën e muzikës dhe të kulturës, mund ta shfrytëzojmë në favorin tonë këtë moment vështirëse. Është momenti të kultivohen tregje të reja. Në pjesën më të madhe, Perëndimi është mbyllur. Atëhere duhet të mendojmë për tregje të rinj, hiper të lidhur, kuriozë dhe dinamikë si Azia, Amerika Latine dhe Afrika, që janë të padurueshëm për t’u shfaqur në shkëmbimin global. Është tani që pjesa më e madhe e njerëzimit, e penguar nga të njëjtit zinxhirë, të përfitojë nga vitaliteti i pafundëm i muzikës afrikane, deri më tani e rezervuar pak fatlumëve në Perëndim. Shkrimtari Kanishk Tharoor shkruan se “privilegjet dhe kufizimet e lidhura me shtetësinë janë aparteidi i shekullit të XX”. Si të gjitha format e tij, është i destinuar që të mbarojë.

(Vik Sohonie për Africa is a Country)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Exit mobile version