Naftëtarët ultimatum qeverisë: Nëse nuk na ktheni përgjigje sot, do të futemi në grevë urie

Naftëtarët e rafinerisë së Ballshit kanë dalë edhe ditën e sotme në protestë ndërsa institucionet shtetërore kanë mbyllur sytë dhe veshët përballë krizës së tyre financiare pasi prej 6 muajsh nuk kanë marrë pagat.

Ata janë vendosur përballë derës së uzinës, ndërsa njëri prej tyre ka folur për Fax News.

Ai tha se problemi me pagat dhe kushtet e punonjësve kanë nisur që kur uzina i privatizua, ndërsa ka kërkuar vëmendjen e ministrisë së Energjitikës, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit Edi Rama, në të kundërt nëse nuk ka reagim, që prej ditës së sotme tha ai, do të futen në grevë urie.

“Ndodhemi përpara portës së uzinës duke marrë shkas edhe nga dinamika e ngjarjeve që kanë ndodhur, ka 6 muaj që nuk marrim rrogat. Nuk ka asnjë reagim, ne duam pagat e prapambetura dhe rifillimin sa më shpejt të punës.

Jemi shkëputur nga puna prej pak ditësh, kemi kaluar me një pagë minimale për shkak të problemve të firmës, na kanë thënë se e gjithë pengesa është nga autoriteti i konkurencës dhe disa firma që po pengojnë procedurat. Ne jemi punëtorë, nuk na interesojnë takimet e drejtuesve, ne jemi në krizë financiare. Nuk kemi marrë asnjë lloj reagimi apo zhvillimi nga pala e qeverisë apo firmës kontraktuese, siç po ndodh me punonjësit e nënstacionit elektrik në Poçem.

Në radhë të parë duhet të reagojë Ministria e Energjitikës, Ruçi dhe Edi Rama. Kaluan deri në 2 vjet që kjo firmë pret mërrëdhëniet me punëtorët. Ai punëtor që punon në Ballsh është kryefamiljar, e vetmja e ardhur financiare për familjet. Të gjithë jemi me arsim profesional që kemi mbaruar shkollën për të punuar këtu. Ne do të lëvizim të gjithë gurët.

Sot nëse nuk do të marrim përgjigje do të futemi në grevë urie. Përderisa nuk kemi marrë asnjë përgjigje, vendimi ekstrem i yni është greva e urisë. Shpresoj të marrim një zgjidhje të shpejtë për këtë komunitet që është më i rregullti në Shqipëri në lidhje me taksimet që i bëjnë shtetit, ndaj edhe shteti duhet të jetë i vëmendshëm ndaj tyre. Jemi një komunitet prej 35 mijë banorësh siç është Mallakastra që varemi nga kjo uzinë.

Exit mobile version