Naim Meta: Një fitore e turpshme, një humbje e thellë për vendin

Nga Naim Meta

Zgjedhjet e 11 Majit nuk ishin zgjedhje, ishin një teatër i mirëorkestruar nga ata që prej vitesh e kanë kthyer Shqipërinë në një pronë private. Koalicioni i Katovicës (ramsalimetës) doli “fitues” një palë në pushtet e një palë, bëjnë fasadën opozitë, por në të vërtetë, ishte një tjetër humbje për qytetarin e ndershëm, për ata që besojnë ende se ky vend mund të bëhet.

Këta nuk janë më politikanë, janë një mafie e organizuar, që vepron si trekëndëshi i Bermudës: një qeveri me opozitë e rreme dhe një tufë figurash që sillen si shpëtimtarë, por në fakt janë pjesë e së njëjtës makineri hajdutërie. Nuk i mjaftoi popullit trauma e 2007 ku komitët morën armët dhe dolën në mal, e vitit 2013 me “koalicionin e qelbesirave”, por tashmë kemi një version të avancuar: një bashkim pa ngjyrë politike, por me një qëllim të vetëm, grabitjen e vendit.

Kush doli humbës? Populli. Qytetari i thjeshtë, i majtë apo i djathtë, që voton me shpresë. Ai që kërkon të jetojë me dinjitet, pa qenë peng i oligarkëve dhe marrëveshjeve të fshehta. Ai që nuk ka përfaqësim, sepse çdo votë i deformohet, çdo zë i heshtet, çdo shpresë i shkelet me arrogancë.

Kjo nuk është demokraci. Kjo është një pandemi politike që na ka zënë frymën që nga viti 1944 dhe vazhdon deri sot, e transformuar, më dinake, më e pangopur. Por këtë herë, ndryshe nga herët e tjera, njerëzit nuk janë më aq të heshtur. Këtë herë, ju që keni bërë llogaritë mbi heshtjen dhe dorëzimin e shqiptarëve, do e gjeni veten përballë një populli që nuk ka më frikë.

Shqipëria nuk është as e juaja, as e partive tuaja, as e klaneve mafioze që i mbështesni, por Shqipëria u përket qytetarëve. Atyre që nuk janë në pushtet, që nuk janë të shitur, atyre që nuk duan asgjë tjetër veçse drejtësi, liri dhe një jetë normale.

Ju që deformuat votën, që mashtruat, që vodhët, jeni në fund të rrugës. E ardhmja nuk do ju përkasë. Sepse Shqipëria ka filluar të zgjohet.

Exit mobile version