Republika e Grabitësve, si udhëheqësit 34-vjeçarë ndërtuan perandoritë e tyre mbi shkatërrimin e Shqipërisë

Nga Bujar Vreto

Është tragjike, madje groteske, të shohësh Edin të krenohet me sukseset e një regjimi të korruptuar dhe të rrënuar moralisht, ndërsa Saliun të viktimizohet sikur të mos kishte qenë ai arkitekti i këtij sistemi. Spektakli është i pështirë, trillimi është poshtërues, dhe disfata është totale, për popullin, se fituesit janë të qartë, ata që kanë sunduar, plaçkitur dhe pasuruar veten nën petkun e pushtetit për më shumë se tre dekada.

Personazhet e Trekëndëshit të bermudës nuk janë kundërshtarë politikë, janë pasardhës dhe bashkëpunëtorë të një rregjimi që ka rrënjë të thella në historinë represive të Shqipërisë. Berisha, i përfshirë në sistem që nga viti 1969, dhe Rama, trashëgimtar i një elite të vjetër që nga 1944, janë dy faqe të së njëjtës medalje. Ndërkohë, populli, sidomos e djathta e vërtetë, që u rrëmbye dhe u tradhtua, endet dyerve të gjykatave, pa drejtësi dhe pa pronë, ndërsa “kapitalistët komunistë” gëzojnë gjithçka.

Kjo nuk është më thjesht një krizë politike. Kjo është një grabitje historike, e ligjëruar, e miratuar nga vetë ata që sot shtiren si të zhgënjyer. Ata që miratuan Kushtetutën e 2008-ës dhe çimentuan pushtetin politik e ekonomik, ata që miratuan kodin zgjedhor 2024 me lista të mbyllura për interesat e tyre por që Rama përfitoj 12 mandate në tavolinë, sot bëjnë sikur nuk e kuptojnë pse zgjedhjet “u vodhën”. Jo, nuk u vodhën, u shitën. U shitën për interesa, për mbijetesë politike dhe për të ruajtur status quo-në e pasurisë dhe pushtetit.

Çdo gjë është bërë me vetëdije. As Ramiz Alia nuk do ta kishte projektuar një transformim kaq “të suksesshëm” të nomenklaturës komuniste në oligarki kapitaliste. Dhe tani që horrat e politikës po ndiejnë fundin e tyre, nuk është çudi që rënkimi i tyre të bëhet më i fortë. Por askush nuk i beson më.

E vërteta është se Shqipëria nuk është as republikë, as demokraci – është një koloni e brendshme e kontrolluar nga pak njerëz, të veshur me pushtet dhe imunitet. Ata kanë kthyer shtetin në ndërmarrjen e tyre private dhe qytetarët në skllavë modernë, që paguajnë taksat për të ushqyer pasuritë e tyre miliardëshe.

Por fundi po vjen. Ngadalë, por i sigurt. Dhe kur të vijë, do të jetë i dhimbshëm, jo vetëm për ata që kanë grabitur, por edhe për ata që kanë heshtur.

Exit mobile version