Naim Meta: “Pas 34 vitesh, Shqipëria ka më në fund një alternativë të vërtetë: Koalicionin Euroatlantik”

Në një deklaratë publike në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Naim Meta, kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Elbasanit, ka dhënë një mesazh të fortë për votuesit, duke e cilësuar këtë moment si një “shans i ri pas 34 vitesh pritjeje dhe zhgënjimesh”.

Meta thekson se Koalicioni Euroatlantik, i drejtuar nga Lulzim Basha, përfaqëson për herë të parë një alternativë reale, të dalë nga vetë qytetarët dhe jo nga “zyrat e partive apo tavolinat e oligarkëve”. Sipas tij, kjo është një mundësi për të zgjedhur drejtë përfaqësues të ndershëm, të cilët nuk jetojnë në realitet paralel, por janë pjesë e halleve dhe sfidave të përditshme të qytetarëve shqiptarë.

“Kandidatët tanë nuk kanë nevojë të zbulojnë hallet e qytetarëve gjatë fushatës – ata i jetojnë vetë ato”, shkruan Meta, duke theksuar se ky ndryshim rrënjësor në mënyrën e përfaqësimit është thelbësor për të rikthyer besimin në politikë dhe për të dhënë fund tranzicionit të stërzgjatur.

Meta i bën thirrje qytetarëve të Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë që të përdorin “armën më të fortë” që kanë në dorë – votën. Ai shpreh bindjen se vetëm përmes pjesëmarrjes masive dhe zgjedhjes së duhur, mund të mbyllet një kapitull 34-vjeçar i dështimeve dhe të fillojë një e ardhme më e drejtë dhe më e ndritur për vendin.

Deklarata e plotë e Naim Metës:

Një shans i ri pas 34 vitesh!

Zgjidhja është në duart tuaja!

 

Pas 34 vitesh pritjeje dhe zhgënjimesh, Shqipëria dhe qarku i Elbasanit më në fund kanë një alternativë reale në zgjedhje. Kjo alternativë nuk është një premtim bosh, por një mundësi e vërtetë që vjen nga Koalicioni Euroatlantik i drejtuar nga z. Lulzim Basha. Për herë të parë, vota për kandidatin e Kolonës 4 është një votë direkte për përfaqësuesin që ju dëshironi, jo për emrat që zgjidhen në zyrat e partive apo tavolinat e oligarkëve.

 

Kandidatët e Koalicionit Euroatlantik janë të ndryshëm. Ata nuk kanë nevojë të “zbulojnë” hallet e qytetarëve gjatë fushatës, sepse i jetojnë vetë ato. Ata janë njerëz të zakonshëm, por me guxim të jashtëzakonshëm. Jetojnë në të njëjtat lagje, përballen me të njëjtat vështirësi dhe kanë të njëjtin qëllim: largimin sa më parë të kësaj qeverie që për shumë shqiptarë është bërë simbol i padrejtësisë dhe korrupsionit.

 

Në këto zgjedhje nuk votohet vetëm për një parti apo një emër, votohet për të ardhmen. Votohet për të kthyer besimin, për të zgjedhur përfaqësues të ndershëm, të guximshëm dhe të pastër. Votohet për ta mbyllur njëherë e mirë kapitullin e 34 viteve të errësirës, mashtrimeve dhe abuzimeve, qofshin nga të majtët apo të djathtët.

 

Shqiptarë, tregoni zgjuarsi dhe kurajo. Kutia e votimit është arma juaj më e fortë. Në dorën tuaj është të ktheni shpresën në realitet dhe ëndrrën e viteve ’90 në një të ardhme të ndritur për Shqipërinë.

Mirënjohje,

Naim Meta

Exit mobile version