Napoli dhe Reina thyejnë Romën

Është ndoshta kjo pritja e sezonit. Dora dhe më pas këmba e Reina-s kundër fatit të Romës që u thye në sfidën më të rëndësishme të javës së 27 të Serie A ndaj Napolit. Ishte pikërisht portieri spanjoll që u bë heroi i të tijve me disa ndërhyrje vendimtare, duke e ndihmuar skuadrën e Sarrit të rikthehej te fitorja 2-1 pas asaj disfate të papritur ndaj Atalantës. Dy herë Mertens dhe më pas një gol i Strottman janë panorama e kësaj sfide që dhuroi spektakël, shumë ritëm, por vetëm një fitues, të kaltërit nga Kampanja që rikthehen të sigurt në garën për vendin e dytë që siguron biletën direkte për në fazën e grupeve të Champions League, pasi tashmë e ndjekin Romën me vetëm 2 pikë më pak. Belgu Mertens e zhbllokoi sfidën që në minutën e 26, duke i dhënë një goditje të fortë skuadrës së Spalletit.
Dueli u bë edhe më i nxehtë me Romën në kërkim të golit të barazimit, por Napoli sërish cinik me sulmuesin shtatshkurtër në të 50-ën. Reina me disa pritje vendimtare bllokoi sulmuesit verdhekuq, ndërsa në të 89-ën nuk arriti të bënte asgjë përballë Kevin Strootman.
Gjithsesi, numri 1 i portës së Napolit e korrigjoi gabimin, duke mos lejuar topin të prekte rrjetën pas tentativës së Diego Perottit.
Ndeshjet e djeshme të Serisë B nuk kanë qenë aspak pozitive për futbollistët e përfaqësueses shqiptare. Asnjë prej atyre që ka zbritur në fushën e lojës nuk u është gëzuar fitoreve, ndërsa ka pasur paraqitje që nuk kanë bindur aspak.
E tillë mund të cilësohet pa frikë ajo e Berat Gjimshitit, Avelinoja e të cilit është mundur me rezultatin e thellë 5-0 në shtëpi nga Peruxhia. Pas tre golave të shënuar nga Di Karmine, mbrojtësi shqiptar ka dashur ta ndalojë të shënojë të katërtin me një ndërhyrje të parregullt, duke merituar kartonin e kuq direkt. Kjo ia bëri më të thjeshtë punën Peruxhias, që realizoi dy gola të tjerë për të afruar më shumë Avelinon në zonën e ftohtë të klasifikimit. Për futbollistin shqiptar, mediat italiane rezervuan notën 4.
Me humbje ka dalë nga fusha e lojës edhe Migjen Basha, pasi Bari u mposht me shifrat 2-0 nga Entela. Mesfushori luajti gjatë 90 minutave, por nuk la shenjë, si në takimet e mëparshme, duke marrë notën 5.
Piza e treshes së shqiptarëve ka arritur të merrte të paktën një barazi, 1-1 ndaj kryesuesve të SPAL, por edhe në këtë rast, problemet nuk mungojnë. Rei Manaj i la fushën e lojës Edgar Çanit pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, pas disa problemeve në kofshë dhe pritet të mësohet se sa do të jenë afatet e riaftësimit të sulmuesit të ri shqiptar.

Exit mobile version