Napoli në çerekfinale të Kupës

Napoli është çerekfinalisti i parë i Kupës së Italisë. Skuadra e Elseid Hysajt mposhti 3-1 Specian, ekip që renditet i dhjeti në Serinë B. Mbrojtësi i kombëtares e nisi nga stoli ndeshjen e djeshme dhe u fut në lojë 12 minutat e fundit duke zëvendësuar kroatin Ivan Striniç.
Dueli në “San Paolo” nisi mbarë për vendasit, të cilët gjetën avantazhin me Piotr Zielinskin qysh në minutën e tretë. Por miqtë bënë surprizën duke barazuar në të 35-n me Antonio Pikolon, i ndihmuar edhe nga një devijim i Raul Albiolit.
Pjesa e dytë ishte e tëra për të kaltrit, të cilët mbyllën llogaritë me dy gola të shpejtë nga Xhakerini (55’) dhe Gabiadini (57’). Për këtë të fundit, me shumë gjasa ky ishte goli i lamtumirës për Napolin, para se të transferohet në një tjetër ekip gjatë merkatos.
Me biletën e kualifikimit në xhep, tani skuadra e Mauricio Sarrit pret me qetësi kundërshtarin e radhës që do të dalë sot nga përballja mes Fiorentinës dhe Kievos.

Exit mobile version