Cristiano Ronaldo “shuplakë” kritikëve

Viti 2016 rezultoi thjesht spektakolar për Cristiano Ronaldon që përveçse pasuroi palmaresin e tij me disa trofe, tashmë mund të shfryjë i qetë ndaj gjithë kritikëve që gjatë 12 muajve të fundit nuk e kanë kursyer për pothuajse asnjë ditë. Pak orë pas ceremonisë gala të Zyrihut ku fitoi edhe çmimin e lojtarit më të mirë të FIFA-s, sulmuesi luzitan ka një dedikim të veçantë për të gjithë ata që janë treguar skeptikë, madje kanë shkuar edhe më tej duke e përbaltur në vazhdimësi.
“Kishte shumë dyshime rreth meje, madje janë bërë edhe fushata të tëra kundër meje, brenda dhe jashtë futbollit. Kërkonin të më godisnin nga çdo krah, por e vërteta është se çmimi i lojtarit më të mirë të FIFA-s shkoi tek më i miri, pra tek unë”, u shpreh Ronaldo.
Fillimisht Champions League dhe më pas me radhë, Euro 2016, Këpuca e Artë dhe mirënjohja nga FIFA. Viti që lamë pas u tregua bujar me sulmuesin e Realit të Madridit, por në krahun tjetër, i ashtuquajturi skandali “Football Leaks” nxori në pah emrin e tij. Ronaldo u akuzua mediatikisht për mashtrim fiskal dhe ai e ka një përgjigje edhe për këtë temë.
“Donin të më bënin të dukesha i keq, por unë e kam thënë që kush nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka pse të trembet. Si përherë, mbylla edhe disa gojë të liga. Zërat për çështjen e mashtrimit me të ardhurat më bezdisën pasi jam një njeri që synon të bëjë mirë. Çmimi për të cilin krenohem më shumë është ai që më kanë dorëzuar për kontributin tim si bamirës. Pavarësisht kësaj, ka ende njerëz që kërkojnë të më godasin për të mbuluar gjërat e këqija që bëjnë të tjerët. Gjithsesi, në fund drejtësia qartëson gjithçka, prandaj duhet të presim për të parë se çfarë do të ndodhë”, përfundoi Ronaldo.
Portugezi i shtoi vitrinës së vet të trofeve edhe çmimin e më të mirit të FIFA-s, pasi mposhti Leo Mesin dhe Antuan Grizmanin. “Asi” i Realit mori 34.54 për qind të votave, Mesi 26.42 dhe Grizman 7.53 për qind. “Dua të falënderoj kombëtaren time, Realin e Madridit, familjen që ishte sot e pranishme, tim bir, vëllezërit e mi. 2016-a ishte viti më i mirë i karrierës sime dhe ky trofe tregon se njerëzit nuk janë të verbër e i shohin ndeshjet. Me gjithçka që fitova me kombëtaren dhe klubin dhe me paraqitjet personale, nuk mund ta harroj këtë vit të pabesueshëm. Faleminderit që votuat për mua. Nuk kam çfarë të them më shumë. Mendoj se çmimet flasin vetë”, u shpreh pas marrjes së trofeut 31-vjeçari.

Exit mobile version