Ndëshkim Ramës për mashtrimet në 4 vite

“Në 25 qershor do të marrë fund diskriminimi krahinor, unë do të jem kryeministri i gjithë shqiptarëve, nga Jugu në Veri”. Me këto fjalë, Lulzim Basha nga Shkodra garantoi dje gjithë shqiptarët nga Jugu në Veriun e vendit se, qeverisja e djathtë nën drejtimin e tij do të përfaqësojë denjësisht interesat e tyre pa asnjë ndasi politike, bindjeje apo krahine. Në Shkodër, ku zhvilloi takime derë më derë me shkodranët, e më pas u prit në një takim madhështor nga të rinjtë, Basha preku një nga fenomenet më të prekura të shoqërisë shqiptare, të shkaktuar nga politika, atë të ndasisë krahinore. Fenomen ky i kultivuar masivisht nga Rama dhe qeverisja e tij, ku në katër vite qeverisje përbuzi publikisht Veriun e vendit. Lideri i PD-së tha se, Rama ka diskriminuar Shkodrën dhe Veriun. Basha akuzoi rivalët e tij politikë, Edi Ramën dhe Ilir Metën, ndërsa theksoi se opozita do t’i japë fund politikës së vjetër. Basha i bëri thirrje Ramës t’i linte shakatë dhe kunjat, të mos fshihet pas tyre, por t’u dalë përballë shqiptarëve dhe t’u japë lloagri për mos mbajtjen e asnjë premtimi në katër vite të qeverisjes së tij. “Lëri batutat, dollitë, shakatë, kunjat, tutat dhe përgjigju për bilancin para qytetarëve. S’më ka marrë malli të të shoh as me tuta as me rroba banjoje. Makthi im është të të shoh edhe 4 vite se çfarë je në gjendje të bësh, por nuk do të lejojmë”. Nga ana tjetër, ai pohoi me ironi se Rama e kishte bërë Shqipërinë kampione sa i takon kultivimit të hashashit. “E kam nisur në Vaun e Dejës, ku pata një takim me rininë. Kudo ku kam takuar njerëz, ku i kam parë në sy, kam prekur dhe kam ndjekur frymën e fitores totale në 25 qershor. Shkodra i ka paraprirë me fitore, kështu ka ndodhur 27 vite të ndryshimit rrënjësor. Bashkë e kemi thënë se, ndryshimi nga Shkodra do të zbresë e do hapet në gjithë Shqipërinë. Jam sot këtu i nderuar dhe mirënjohës për përkrahjen tuaj. Në këto 10 ditë kam qenë nga Saranda e në Tropojë dhe kam kuptuar që diçka po ndodh. Ky është zgjimi i qytetarëve që t’i japim fund republikës së politikanëve që kanë mbushur Shqipërinë me drogë. Pra, fund i republikës së një grupi njerëzish që i kanë shërbyer njerëzve të tyre, me Ilir Metën e Ramën. Edi Rama na ka bërë kampion për hashashin. Me ato kanë mbushur xhepat një grup kriminelësh, që i rrinë përqark. Rama ka diskriminuar Shkodrën e Veriun. Diskriminimi krahinor, turpi i republikës së vjetër”, tha Basha.

Derë më derë tek shqiptarët

Gjatë ecjes së tij, duke takuar qytetarët nëpër kafene apo nëpër bizneset e tyre, Basha kaloi edhe pranë një zyre të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nuk mund të kalonte pa hedhur një batutë, dhe i drejtohet kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi: “Voltanë isha në Kavajë, kalova te një si kjo (drejton gishtin nga zyra e LSI-së), i pyeta ju jeni parti apo biznes? Të dyja më thanë”. Ndërkohë Ademi dhe të tjerët që ishin pranë Bashës qeshën me batutën e kryetarit.

16 miliardë euro abuzime, asnjë investim për shqiptarët

Nga Shkodra, kryeopozitari Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama për diferencime krahinore në investime dhe urrejtje patologjike për Veriun. Basha tha se, zotimet që bëri Rama për të ardhur në pushtet ishin të gjitha gënjeshtra dhe i vetmi plan i tij ishte të rriste taksat. Edhe ato investime infrastrukturore që gjeti i la përgjysmë, tha Basha. “Kishte 16 miliardë euro që i ka harxhuar, s’mendoi për të rininë e Shkodërës e Shqipërisë. E trajtoi me urrejtje patologjike e politike, Shkodrën e gjithë Veriun”, u shpreh kreu i PD-së. “Në 25 qershor do të marrë fund diskriminimi krahinor, unë do të jem kryeministri i gjithë shqiptarëve, nga Jugu në Veri”, premtoi Basha.

Ekonomi e fortë, bujqësi e zhvilluar, punësim

Rimëkëmbje e ekonomisë, e ardhme e sigurtë, përmes zhvillimit rural, arsimor, investime publike, krijim të vendeve të punës, biznese të reja, investitorë të huaj dhe fuqizim i fuqisë blerëse në vend. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, teksa gjendjej në qytetin e Shkodrës për të prezantuar programin ekonomik të PD-së, është shprehur se ai është programi më i mirë në 27 vjet demokraci. Basha foli për rimëkëmbjen e bujqësisë përmes akordimit të një fondi ambicioz prej 100 milionë eurosh, subvencion për fermerët. Ai shpalosi gjithashtu programin për arsimin dhe ngritjen e standardeve në universitete. Thithja e investitorëve të huaj dhe krijimi i lehtësirave fiskale për ta ishte gjithashtu një nga shtyllat e programit të prezantuar nga Basha. Ai foli për sistemin e taksave që qeverisja demokrate do të aplikojë, ku dukshëm rikthim i taksës së sheshtë do të nxisë fuqizimin e ekonomisë, hapjen e vendeve të punës dhe do të sjellë mirëqenie për familjet shqiptare. Sipas Bashës, plani i mëkëmbjes ekonomike të vendit, është çertifikuar nga ekspertët e kancelares Angela Merkel. Basha shpjegoi se programi përmban ulje taksash, krijim vendesh të reja pune, ndihma për 10 stazhe të studentëve etj. Po ashtu, ai akuzoi Ramën për mosmbajtje premtimesh, arsye kjo se pse qytetarët duhet të votojnë për PD-në. “Ky është plani ekonomik që do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza, që do të ndezë motorët e rritjes ekonomike dhe ka në qendër punësimin. Secila prej tyre funksionojnë bashkë, asnjëra prej tyre s’është premtim, por secila është pjesë e një plani që funksionon në integralitet. Duke nisur me uljen e TVSH-së me taksën e sheshtë 9%, revolucion i vërtetë fiskal që janë një revolucion që do të çlirojë qindra milionë euro në konsumin e Shkodrës e Shqipërisë. Qindra milionë euro që do të rrisin prodhimin, që do çojnë në rritjen e kërkesës, për vende të reja pune, kreditim, për investime kapitale. Ky është modeli që ka funksionuar në Europë, e kam parë, e kam studiuan dhe ky është modeli që do funksionojë në Shqipëri: Ulja e taksave, taksa e sheshtë 9%, ulja e çmimit të naftës, zerimi i taksës Rama mbi naftën, çmimi i energjisë më i liri në Rajon, do ta bëjnë Shqipërinë ambientin më tërheqës për investime shqiptare dhe të huaja dhe do të ndezin motorët e shpresës. Rinia e Shqipërisë do të përfitojë nga ky plan ekonomik”, tha Basha, ku shtoi se Rama 25 milionë euro ia jep Vilma Nushit për Check-up, ndërsa tha se kaq do të shkojnë për stazhet e të sapodiplomuarve me 20 mijë lekë të rinj në muaj.

Exit mobile version