Asnjë dokument zyrtar nga DAP nuk ka marrë ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi për kthimin në detyrë të sekretares së Përgjithshme, Juliana Hoxha. Në reagimin zyrtar, ministri Bardhi thotë se kanë filluar procedurat për lirimin e Hoxhës, ndërsa po përgatitet edhe kallëzimi penal për të dhe drejtoreshën e DAP, Albana Koçi. Ministria e Drejtësisë nuk ka marrë zyrtarisht dhe nuk pret asnjë vendimmarrje nga Departamenti i Administratës Publike, i cili nuk ka asnjë autoritet për të kontrolluar dhe verifikuar urdhrat e ministrit të Drejtësisë. Ky është reagimi që vjen nga ministri Gazmend Bardhi, për kthimin në detyrë të sekretares së Përgjithshme, Juliana Hoxha nga DAP. Në qëndrimin e shprehur, ministri Bardhi thotë se udhri i lëshuar është në fuqi dhe çdo palë e interesuar mund të ankimojë në rrugë gjyqësore. Edhe një herë Ministria e Drejtësisë rikonfirmon se sekretari i Përgjithshëm vijon të jetë ligjërisht i pezulluar nga detyra dhe nuk është kthyer e nuk mund të kthehet derisa të ketë rënë shkaku ligjor i pezullimit. Ministri i Drejtësisë sqaron se ai ka pritur në përputhje me ligjin, përgjigje nga Departamenti i Administratës Publike, deri në momentin e hyrjes në fuqi të vendimit nr. 437/2017 të Këshillit të Ministrave, i cili ngarkon titullarin e ministrisë për të marrë masat e pezullimit ndaj nëpunësve civilë që janë kandidatë në zgjedhje. Por sipas tij, DAP është në lirinë e tij të plotë të mbështesë paligjshmërinë në administratën publike, duke lejuar procedurat fiktive dhe të falsifikuara të kryera nga nëpunës civilë. “Për këtë përgjegjësia është individuale dhe vetëm e këtij institucioni. Por kjo sjellje në kundërshtim flagrant me ligjin, nuk pengon ministrin e Drejtësisë të marrë masat e nevojshme në përputhje me Kushtetutën, ligjin për nëpunësin civil dhe Kodin Zgjedhor”. Për shkak të shkeljeve flagrante të ligjit, ministri i Drejtësisë thuhet në reagim, ka nisur procedurat e lirimit nga detyra të sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe po përgatit kallëzim penal ndaj drejtoreshës së Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu dhe Juliana Hoxhës.