Sami MILLOSHI
Kryetari i Bashkisë së Klosit, zoti Basir Cupa, na ka bërë një ftesë në Facebook në të cilën na kërkon të shprehemi për një projekt që paska Ministria e Mjedisit për ndërtimin e disa hidrocentraleve mbi lumin Mat në atë zonë.
Unë e përgëzova zotin Cupa, që projektet i diskuton edhe në Facebook me njerëzit që e kanë zgjedhur. E pyeta, gjithashtu se cili ishte mendimi i tij personal për atë projekt. Fakt është, se zoti Cupa, nuk iu përgjigj pyetjes sime, dhe jo vetëm mua. Edhe të tjerë e pyetën si unë, por ai zgjodhi të mos përgjigjej.
Para se të shpreh mendimin tim, e rilexova edhe një herë thirrjen e kryetarit Cupa. Më rezulton se projekti nuk është i tij, as i Bashkisë së Klosit. Projekti është i Ministrisë dhe nuk dihet nëse ajo e ka këshilluar me banorët e luginës së Matit, dhe veçmas, me qytetarët e Bashkisë së Klosit. Për këtë bindem qoftë edhe nga revolta tepër e justifikuar e mikut tim, personalitetit matjan, matematicienit dhe studiuesit të spikatur, Aqif Ymeri. Ai, as më shumë dhe as më pak, pasi shpjegon me argumente se është kundër projektit e quan “fashiste” një ndërhyrje të tillë në Mat.
Zotërinj të nderuar matjanë, i nderuar zoti Basri Cupa, edhe unë jam kundër. Eshtë projekt barbar. Unë, shkurtimisht do ta shoh projektin nga një këndvështrim tjetër nga ai që e sheh i nderuari Aqif Ymeri.
Zotërinj të projektit, mos harroni se lumi i Matit, ia ka dhënë dy bij të vet Shqipërisë, dhe këta janë Hidrocentrali i Shkopetit dhe ai i Ulzës. Janë mjaft. Janë tepër.
Së dyti, Mati është sakrifikuar shumë për Shqipërinë me qindra milionët e toneve të kromit që kanë mbajtur shtetin për 50 vjet, pa përfituar kurrgjë, përkundrazi, ka qenë kurdoherë i diskriminuari i jashtëzakonshëm në diktaturë. Asnjë kilometër rrugë nuk u shtrua, asnjë investim serioz nuk u bë. Edhe Uzina e Ferrokromit nuk u solli ndonjëherë mirëqenie matjanëve, përveçse ndoti edhe më shumë ambjetin.
Pas gjithë këtij kalvari vuatjesh, matjanëve përsëri, në vend që t’u ofrohen investime në infrastrukturë, iu ofrohen projekte që barbarisht do ta shkatërrojnë edhe me natyrën që mezi, ka filluar të ringjallet në këto dy dekada të fundit.
Si përfundim, unë personalisht e konsideroj të padrejtë një ndërhyrje tjetër në ekosistemin e luginës së Matit. Do të ishte fatale.
Prandaj, të ndalet dora barbare mbi Mat.