Pengesat e Ramës, kushte të BE

Kastriot ISLAMI

Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE s’do të hapen as këtë vit. Ky është lajmi i keq, dëshpërues e madje poshtërues për shqiptarët. Kurse Rama dhe ministri i tij i Jashtëm përmes një llogoreje mashtrimesh dhe gënjeshtrash përpiqet t’i mbushë mendjen shqiptarëve se nuk na kanë vënë kushte, por kritere e madje në ndonjë rast bëhet fjalë për prioritete. Dhe pas këtyre mashtrimesh, kërkojnë tju provojnë shqiptarëve se qeveria e ka bërë detyrën e saj dhe i vetmi kusht është “vetingu” që e mban  peng opozita. Por si është e vërteta. Ose ndryshe përse ministrat e Jashtëm të BE s’kanë pranuar të hapin edhe këtë vit negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE?
Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE deklaruan se, hapja e negociatave me Shqipërinë do të shqyrtohet kur të ketë progres për ato pika, të cilat janë kthyer në pengesë për të marrë një vendim pozitiv në mbledhjen e Këshillit Europian në 15 dhjetor 2016. Pengesat janë disa, nuk është vetëm “vetingu” siç kërkonte të mashtronte shqiptarët Rama. Për më tepër, s’ka as datë për hapjen e negociatave, megjithëse Rama u përpoq para disa javësh të bindte shqiptarët se negociatat do të hapen këtë vit dhe madje shkoi deri atje sa të tentonte të fuste një datë në deklaratën e ministrave të Jashtëm, duke i kërkuar atyre të adoptonin “modelin serb” të hapjes së negociatave dhe e gjitha kjo thjesht për të mashtruar shqiptarët.
Pengesat e ngritura nga Rama janë veçse kushte të rënda të vendosura nga BE për shqiptarët, 5 kushtet e vjetra për të cilat nuk ka progres të shënueshëm dhe disa kushte të reja që do të turpëronin çdo vend europian. Cilat janë pengesat e krijuara nga Rama që BE i ktheu në kushte? Rama i quan kritere apo prioritete, kjo ska asnjë rëndësi! Dhe kush realisht i ka krijuar këto pengesa apo kush mban përgjegjësi për krijimin e këtyre pengesave? Nuk ka më asnjë dyshim se, hapja e negociatave është në duart e shqiptarëve në kuptimin që ata duhet të zgjedhin qeverinë e tyre që ju mundëson apo garanton progresin e kërkuar nga BE. Përveç 5 kushteve të përcaktuara në Raportin e Komisionit Europian, në dokumentin e ministrave të Jashtëm të vendeve të BE ekzistojnë edhe disa kushte/kritere/prioritete të reja që lidhen vetëm me pengesat e krijuara pas marrjes së statusit të vendit kandidat, pra pas vitit 2013, kur Rama u ul në kolltukun e kryeministrit:

1. Ndarja e krimit nga politika….
BE kërkon qartas largimin e individëve me rekorde kriminale, të dënuar apo arrestuar për krime të rënda, nga qeverisja, nga Kuvendi, nga Administrate Publike. Ata e kanë tashmë të qartë se kriminalizimi i organizuar i mazhorancës është ideuar e realizuar nga Rama për të fituar postin e kryeministrit. Ky kusht/kriter/prioritet do të mund të realizohet vetëm nëse Rama do të largohet nga drejtimi i qeverisë, përndryshe negociatat për anëtarësim në BE nuk do të mund të hapen për Shqipërinë. Ky është edhe kushti më i turpshëm për Shqipërinë, kusht që nuk e ka pasur asnjë vend tjetër kandidat për në BE…

2. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme…
Zgjedhjet e lira e të ndershme mbeten kusht/kriter/prioritet kryesor për hapjen e negociatave. Madje, ky është kushti që ka lënë hapjen e negociatave pa një datë të përcaktuar, sepse gjithçka varet nga cilësia e zgjedhjeve të ardhshme. Nëse në zgjedhjet e ardhshme do të evidentohen blerje e votës dhe kërcënimi i zgjedhësve, përfshirje e individëve me rekorde kriminale në listat e kandidatëve për deputetë, përdorim i parave të pista të korrupsionit apo kanabisit për manipulimin e rezultatit zgjedhor e tjerë atëherë me shumë gjasa vendi do të zhytej në trazira sociale për shkak të zgjedhjeve dhe Parlamentit ilegjitim. Rama ka ndërtuar dhe testuar në tre zgjedhjet e fundit skema të ndryshme për manipulimin e zgjedhjeve dhe duket e pamundur që ai të heqë dorë nga fitimi i zgjedhjeve përmes manipulimit të rezultatit zgjedhor. Prandaj edhe ky kusht zorr se mund të realizohej pa larguar Ramën nga drejtimi i qeverisë…

3. Kultivimi masiv i kanabisit dhe trafiku i drogave të forta
Kjo është një dukuri e re e ideuar nga Rama dhe zbatuar me devotshmëri nga Tahiri përmes rrjetit të policisë dhe individëve me rekorde kriminale. Kjo dukuri është kthyer në një pengesë të re që mban peng hapjen e negociatave. Kjo pengesë e re do të vazhdojë të mbetet prezente përderisa Rama të arrijë të përdorë këtë dukuri për blerjen e votave dhe kërcënimin e zgjedhësve, pra për manipulimin e zgjedhjeve…

4. Korrupsioni ekstrem i nivelit të lartë
Kjo është një dukuri e vjetër, por e kthyer në sistem pas vitit 2013, duke u kthyer në një pengesë tjetër për hapjen e negociatave. Për më tepër, gjatë këtyre tre vjetëve qeveria Rama s’ka dhënë asnjë garanci se kjo dukuri do të luftohet apo nuk ekziston asnjë informacion se kjo dukuri është duke u tkurrur, përkundrazi ajo po rritet dhe sofistikohet. Numri i rasteve korruptive me fondet dhe asetet publike, veçanërisht me përdorimin e koncesioneve ku dyshohen Kryeministri dhe disa nga ministrat e Ramës është në rritje të frikshme…

5. Përkeqësimi i marrëdhënieve me fqinjët,
është kthyer nga qeveria Rama në një pengesë që nuk ka ekzistuar më parë. Marrëdhëniet janë të përkeqësuara me Greqinë. Me Maqedoninë është rritur mosbesimi në marrëdhëniet mes tyre. Shou në marrëdhëniet me Serbinë nuk ka mundur të ndryshojë/kompensojë perceptimin e përkeqësimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët dhe reagimi nga disa vende fqinje ka qenë i menjëhershëm. Shqipërisë i kërkohet një politikë konstruktive me fqinjë, dhe ky është kthyer në një kusht/kriter/prioritet për hapjen e negociatave.

6. Përfundimisht…
mund të thuhet se “perspektiva europiane për Shqipërinë dhe shqiptarët” është optimiste; kjo është gjuha me të cilën janë shkruar edhe raporti i Komisionit Europian dhe deklarata e ministrave të Jashtëm. Por negociatat s’janë hapur dhe hapja e tyre “qëndron tërësisht në duart e vetë shqiptarëve”, si përsa i përket datës ashtu edhe plotësimit të kushteve/krietereve/prioriteteve; thënë ndryshe, hapja e negociatave do të bëhet realitet vetëm atëherë kur BE të vlerësojë një progres të shënueshëm në ato kushte/kritere/prioritete që ka vendosur. Dhe kjo mesa duket s’ do të mund të ndodhë me Ramën në krye të qeverisë. Dhe kjo duket qartë po të kemi parasysh se këtë radhë s’ka një datë për hapjen e negociatave. Madje s’ka asnjë datë edhe se kur do të shqyrtohet raporti i ardhshëm vlerësues për detyrat e shtëpisë të lëna nga BE. Pengesat kryesore për hapjen e negociatave bëjnë përgjegjës vetëm Ramën dhe qeverinë e tij, pavarësisht nëse ai i konsideron këto pengesa kushte, kritere apo prioritete…

Exit mobile version