“Ndarja në politikë nga e shkuara, meritë e Lulzim Bashës”/ Karabina: PD Euroatlantike, alternativë e besueshme për shqiptarët

Zëdhënësja e PD – Demokratët Euroatlantikë, Mirela Karabina, ishte ftuar në Top News në “Breaking” me gazetarin Xhoi Malsinë.

Gjatë intervistës së saj Karabina u shpreh se “askush nuk guxoi të bënte ndarjen nga e shkuara, ndarjen nga kjo klasë e korruptuar dhe e inkriminuar, dhe ky terren politik sot është vetëm në sajë të Lulzim Bashës që bëri hapin e madh, por me kosto politike, pasi është politikani që sulmohet dhe pengohet kaq shumë, ndaj i takon atij ta çojë deri në fund misionin e tij për PD Demokratët Euroatlantikë si alternativën e besueshme për shqiptarët”.

Më tej ajo u ndal edhe në programin, duke u shprehur se është një program ambicioz dhe që i jep përgjigje shumë shqetësimeve të shqiptarëve sot.

“Programi i Demokratëve Euroatlantikë është ambicioz që adreson problemet e pronës, shëndetësisë, arsimit, sigurisë e drejtësisë në shërbim të qytetarëve do të fusë vendin në shina të normalitetit.” – tha Karabina.

Zëdhënësja e Demokratëve Euroatlantikë ka folur edhe për çështjen e gjyqit të PD në Gjykatën e Lartë, duke u shprehur se çështja ka një rëndësi të madhe, ndaj edhe kjo gjykatë duket se është vënë në lëvizje shumë shpejt.

“Vendimi i 11 qershorit i Gjykatës së Apelit, ishte një vendim skandaloz, i padrejtë dhe dëshmoi qartë se si mazhoranca dhe rithemelimi duan të ruajnë status quonë për t’i bërë barrikadë SPAK. Rekursi dëshmoi qasjen institucionale të Demokratëve Euroatlantikë dhe Z. Basha për të vënë drejtësinë në vend dhe për t’i kthyer legjitimitetit forcës së parë opozitare properëndimore të dalë me 1990-ës. Ecuria me shpejtësi të procesit të legjitimitetit në Gjykatën e Lartë tregon rëndësinë që ka kjo forcë politike për të ardhmen europiane të vendit.” – përfundoi Karabina.

Exit mobile version