Shoqëria ka nevojë për një pasqyrë ku të shoh vetveten!

Nga Namir Lapardhaja

Nuk është thjesht varfëria, prapambetja, të qenët popull i vogël që e vendos një popull nën sundimin e një tiranie apo oligarkie. Por është mungesa dhe dobësia e vullnetit. Është ajo që thoshte Hegeli se “dikush që është skllav qëndron në vullnetin e tij, ashtu si qëndron në vullnetin e një populli kur ai vihet nën zgjedhë”.
Më tej ai thoshte se “nuk është padrejtësi e atyre që skllavërojnë, por i vetë të skllavëruarit të vënë nën zgjedhë”.
Problemi ynë si shoqëri është ky skllavërim i vullneteve përpara skallavërimit të atyre që kemi mbi krye. Ndërgjegjet tona janë skllavëruar, mbi të gjitha, në mënyrën se si e konceptojmë vetveten thjesht si gjallesa frymore, pa të drejta përtej bukës së gojës. E drejta jonë më e madhe është ajo e të ushqyerit. Nëse në mbrëmje kemi siguruar kafshatën, atëherë jemi në rregull. Këta popuj janë të pavullnetshëm. Që nuk kanë aftësinë e të kërkuarit më shumë nga vetja dhe nga pushtetarët e tyre. Një popull që të kërkojë të drejtën, para së gjithash, duhet të jetë vetë i drejtë. Nëse do të kërkojë ndershmërinë, nuk duhet të jetë i pandershëm. Që të kërkojë punën dhe dinjitetin, duhet të jetë punëtor dhe me dinjitet. Që të kërkojë demokracinë, më së pari, duhet të mendojë në mënyrë demokratike. Që të kërkojë shtetin ligjor, duhet ta respektojë vetë ligjin i pari. Jemi mes paradoksit të asaj që DUHET bërë dhe asaj që një pjesë e njerëzve kanë dëshirë të bëhet.
Ndaj, politika në këto vitet e tranzicionit shqiptar nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se ka ditur të përdor në mënyrë të shkëlqyer veset dhe dobësitë e një pjese të zgjedhësve. Ndaj sot ajo që DUHET më shumë është krijimi i një MODELI tek i cili duhet të besojmë dhe të “justifikohemi” përballë shoqërisë. Modeli i të mirit dhe i të ndershmit, modeli i atyre që nuk do vjedhin, por do shërbejnë. Modeli i atyre që dinë të thonë JO kur duhet, ashtu siç dinë të thonë PO kur është e nevojshme. Duhet të fillojmë të mendojmë se PUSHTETI është në funksion të ndërtimit të SHTETIT dhe jo e kundërta. Duhet të heqim dorë nga sakrifica e shtetit për pushtetin. Duhet të edukojmë nëpërmjet modelit të së mirës. Që shoqëria të ketë një PASQYRË për të parë vetveten. Pastaj i ngelet asaj të skuqet ose të nxihet.

Exit mobile version