Adriatik KELMENDI
Naivisht, nëse e mohojmë flamurin e Kosovës dhe kërkojmë që ai të zëvendësohet me atë shqiptar, i bie se tërthorazi po çojmë ujë në mullirin e atyre që po duan ta ndajnë Kosovën. E apetite të këtilla po vërehen këta muaj nga qarqe që nuk ua duan të mirën as Kosovës e as shqiptarëve
DUALIZIMI ARTIFICIAL me flamurin shqiptar, ose kontestimi dhe mohimi i flamurit të Republikës nga disa shqiptarë të Kosovës, është loja më e rrezikshme që do të mundë t’ia bënte dikush shtetit sot, në prag të dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Do të duhej të ishim të lehtësuar nëse kjo po ndodh nga ndonjë idealizëm naiv.
Do të duhej të ishim më pak të brengosur në qoftë se kjo po bëhet për shkak të populizmit ose bajraktarizmit, se kush ka qenë në pushtet e kush në opozitë në ditën shpalljes së Pavarësisë.
Do të duhej të mos na dhembte shumë nëse është për arsye procedurale, ose estetike, ose nostalgjie.
Mirëpo, zhvillimet rreth Kosovës lënë hapësirë bindëse interpretimi se dikush mund ta ketë edhe me qëllim. Dhe me asi qëllimi që nuk ua do të mirën as Kosovës e as shqiptarëve.
DEBATI LIDHUR ME mohimin e flamurit të Kosovës, që çoi edhe deri në djegien e tij në Gjilan, po ndodh në kohën kur qarqe të caktuara që, po ashtu, nuk ua duan të mirën as shqiptarëve e as Kosovës janë duke u përpjekur të rikthejnë në agjendë opsionin e ndarjes së vendit.
Naivisht, nëse e mohojmë flamurin e Kosovës dhe kërkojmë që ai të zëvendësohet me atë shqiptar, i bie se tërthorazi po çojmë ujë në mullirin e atyre që po duan ta ndajnë Kosovën.
Thjesht, veriu i Kosovës sot ende nuk është nën kontroll faktik të Prishtinës, ashtu siç nuk janë as një numër i komunave me shumicë serbe në brendësi të vendit. I vetmi depërtim i mundshëm i institucioneve të Prishtinës në veri dhe në komunat e tjera me shumicë serbe, i përkrahur edhe nga bashkësia ndërkombëtare, do të mundë të bëhej nën petkun e flamurit të Kosovës.
Flamuri shqiptar do të mund të depërtojë deri në lumin Ibër. Pra, deri aty ku ka shqiptarë. Nuk do të ketë asnjë arsye që ndonjë zyrtar serb, i cili sot ende ilegalisht mban në zyrë flamurin e Serbisë, të pranonte që këtë ta zëvendësonte me flamurin shqiptar. Nuk ka asnjë rezon të shëndoshë politik, i cili beson se ndonjë nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe që angazhohet që edhe Serbia ta njohë Kosovën, do ta përkrahte një iniciativë që në institucionet e komunave me shumicë serbe të vendoset jo flamuri i Kosovës, por ai shqiptar.
Logjikisht, meqë shqiptarët e Kosovës e kanë shumë për zemër për 100 arsye flamurin shqiptar, do të mundë të pritej që ky flamur do të ishte OK të zëvendësonte flamurin e Kosovës në komunat e banuara me shumicë shqiptare, mirëpo aty edhe do të ndalej. Se prej aty e tutje do të vazhdonte të valonte flamuri i Serbisë.
A i bie kjo që shqiptarët po heqin dorë nga veriu dhe komunat e tjera me shumicë serbe?
A do të thotë kjo se shqiptarët po e pranojnë ndarjen e Kosovës?
NUK ËSHTË GJË e re – rihartimi i kufijve në Ballkan i konvenon më së shumti Serbisë.
Serbia sot është shtet, i cili është i rrethuar në kufijtë e saj me popullatë etnike serbe. Me krijimin e shteteve etnike do t’i binte që Serbisë t’i bashkëngjitej së paku territori i Republikës Serbe të Bosnjës, pastaj së paku veriu i Kosovës, një pjesë e Maqedonisë dhe një pjesë ose i gjithë Mali i Zi.
Në anën tjetër, sot shqiptarët i kanë dy shtete – Shqipërinë dhe Kosovën.
Koshinet për këto, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nën petkun e të ashtuquajturit “dialog për Kosovën” brenda Serbisë, paralelisht në qarqet politike e diplomatike me ndikim ka filluar ta ritestojë idenë për ndarje të Kosovës, si një “marrëveshje historike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”.
Jo rastësisht, edhe strategjia e qeverisë së Beogradit nga viti 2016 flet për “zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe”, një taktizim perfid nga gjuha që fliste për “problemin e Kosovës” më parë.
Kjo temë është hapur edhe në takimet e tij në SHBA, në fillim të vjeshtës, kurse diplomatë amerikanë në rajon, por edhe të tjerë nga shtete të fuqishme të Bashkimit Evropian janë duke matur pulsin për opsionin e ndarjes, ndonëse Qeveria e SHBA-së, si dhe të Britanisë e Gjermanisë janë shprehur kategorikisht kundër.
Mirëpo, njësoj nuk mund të thuhet edhe për përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, e cila e sheh me admirim një opsion të tillë dhe të njëjtin e ka hapur së paku në një takim në Bruksel së bashku me Hashim Thaçin dhe Vuçiqin. Asnjëri deri më sot nuk e ka mohuar këtë.
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk është krejt i virgjër në këtë çështje. Ka kohë që raportohet se ai me Vuçiqin kanë folur për nevojën e zgjidhjes së“problemit shqiptaro-serb”, qëllimisht duke anashkaluar “çështjen e Kosovës”. Rama, si një politikan megaambicioz, nuk është se e ka fshehur shumë dëshirën për t’u imponuar si çelës i zgjidhjes së problemeve në Ballkan. Qeveria e Tiranës nuk ka mohuar diçka të këtillë.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, këto ditë sërish ka folur për opsionin e ndarjes së Kosovës. Qeveria në Beograd nuk u distancua nga deklarimet e tij. As Brukseli nuk ia tërhoqi vërejtjen.
Në anën tjetër, ka mbetur si një episod i mistershëm edhe përfshirja në “opsionin e ndarjes së Kosovës” e Alexander Sorosit, të birit të filantropit miliarder George Soros, njëherësh edhe anëtar i bordit të organizatës së themeluar nga i ati, Fondi për Shoqëri të Hapur. Burime diplomatike ndërkombëtare bëjnë të ditur se ai në takime të nivelit më të lartë me përfaqësuesit institucionalë serbë në Beograd, përfshirë Vuçiqin, më 20 nëntor të vitit të kaluar ka shtyrë përpara “agjendën” e ndarjes së Kosovës. I njëjti, më 13 janar, qëndroi edhe në Prishtinë, ku u takua me Thaçin dhe Haradinajn. Porosia e njëjtë është dërguar edhe në këto takime.
Ndërkohë ka një insistim që tema e ndarjes së Kosovës të imponohet edhe në tryezat e konferencat e ndryshme, të hapura ose nën Chatham House Rules, që nga fundi i verës.
Rastësi?!
DUHET TË JETË e qartë – çdo ide për ndarjen e Kosovës i konvenon vetëm Serbisë. Çdo lider shqiptar i Kosovës, i cili pranon që fare të hapet si mundësi çështja e ndarjes së Kosovës – qoftë e paketuar si krijim i shteteve etnike ose çfarëdo – po vepron me agjendë të Serbisë, me ose pa vetëdije.
Kosova është një dhe e pandarë, si projekt kompromisi i arritur me përpjekjet e shumë brezave të shqiptarëve që kanë luftuar për liri dhe pavarësi, dhe e cila u kurorëzua me shpalljen e koordinuar të Pavarësisë, 17 shkurtin e para 10 vjetëve.
Jo rastësisht, pra, debati i mohimit të shtetësisë së Kosovës dhe mohimit të simboleve të Kosovës sot u konvenon Serbisë dhe të gjithë atyre që nuk i duan shqiptarët dhe nuk iu konvenon pavarësia e Kosovës.
POST SCRIPTUM:
Nëse i vihet gishti kokës, del se disa nga arsyet që jepen nga një grup gjithsesi i vogël shqiptarësh të Kosovës për ta kundërshtuar flamurin e Kosovës, thënë se buti, janë edhe sipërfaqësore.
Pyetje: Sa flamuj përgjatë historisë nuk kanë qenë të imponuar nga mbreti, cari, kryetari, partia në pushtet, organizatat ndërkombëtare etj?!
Pyetje: Sa flamuj janë votuar nëpër referendume nga qytetarët e shteteve?!
Pyetje: A është votuar në referendum nga shqiptarët flamuri shqiptar (respekt për flamurin)?!
Urime 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës sonë të dashur!