Sali BERISHA
Një ditë e veçantë në krejt historinë e lashtë të Shkodrës, krishterimit dhe mbarë qytetërimit perëndimor!
Kisha e Katedrales së Shkodrës ishte pas Selisë së Shenjtë, Selia e dytë e shenjtë e planetit. Me një meshë të papërsëritur kurrë më parë në historinë e mbi 2000-vjeçare të krishterimit, e udhëhequr nga Eminenca e tij, Kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, përfaqësues i Atit të Shenjtë, u krye ceremonia e lumnimit të 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare që ranë për të fituar pavdekësinë dhe shenjtërinë në mbrojtje të besimit të tyre tek Zoti, Krishti Mbret dhe liria nga barbaritë e regjimit komunist të Enver Hoxhës!
Fjalët dhe asgjë tjetër nuk mund të përshkruajnë qëndresën, burrërinë, sakrificën e tyre hyjnore mbinjerëzore.
– Por le të shprehim në mirënjohjen tonë të pakufishme për veprën e pavdekshme të martirëve të kishës, mbarë krishterimit, të lirisë dhe qytetërimit perëndimor.
– Për Shkodrën, që sot me qendresën epike të bijve të saj ishte kryezonjë e merituar e besimit dhe moralit njerëzor.
Për Papa Françeskun dhe vendimin e tij hyjnor për t’i lumnuar dhe nisur drejt Zotit 38 martirët e tij.
– Për të gjithë udhëheqësit e Kishës Katolike të Shkodrës, meshtarët e saj dhe të Vatikanit, që me një punë të jashtëzakonshme shumë vjeçare, qëmtuan, vërtetuan, hetuan, vlerësuan, gjykuan qindra mijëra dokumente, dëshmia e fakte, pa të cilat ceremonia e lumnimit të sotëm (djeshëm) do të kishte qenë e pamundur. Nderim të madh 38 martirëve të kishës dhe lirisë!