Pse lufta e pinjollëve me Vatikanin vazhdon?

Do të duhej të ishte një moment reflektimi dita e djeshme e ceremonia e Lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike. Aq më shumë që sot në pushtet janë bijtë e Bllokut të dikurshëm që e anatemonin Vatikanin si një armik. “Vatikani është një ndihmës i imperialistëve amerikanë”, shkruanin dikur mediat e regjimit diktatorial. Lufta e komunizmit shqiptar dhe pinjollëve të tyre me Vatikanin është e hershme. Ajo daton menjëherë pas ardhjes në pushtet të komunistëve në Shqipëri. “Papati pas Luftës së Dytë Botërore fuqizon lidhjet me qendrën e sotshme të reaksionit botëror dhe kapitalit monopolist, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruheshin në mediat revoluciare të diktatorit Hoxha përpara se të arrihej tek mbyllja e kishave dhe xhamive. Lufta ndaj Vatikanit ka qenë e përhershme, sepse në vend të kultit të besimit në Zot, regjimi komunist kërkonte ngritjen e një kulti tjetër të remë, atë të besimit te Partia dhe diktatori. Që të ngrihej ky kult duhej rrënuar ai i besimit. Ndaj sulmi ishte frontal i regjimit. Vatikani shihej si një armik. Regjimi i trembej reagimit të Vatikanit dhe rolit që mund të kishte ai në rrëzimin e ideologjisë bolshevike. Një frikë që rezultoi të ishte e vërtetë. Papa Gjon Pali i II ishte ai që ngriti siparin e ndryshimit në Poloni për rrëzimin e komunizmit.
Lëvizjet dhe mesazhet e tij në vizitën e parë në Poloni në vitin 1979 ishin një tronditje e thellë jo vetëm për regjimin komunist në Poloni, por mesazhet ishin të forta për të gjithë Europën Lindore që në atë kohë ishte në Perandorinë sovjetike. Papa Gjon Pali i II u prit nga miliona qytetarë në Poloni si një shpëtimtar dhe pas asaj dite ata u kthyen në kundërshtarë të regjimit që ishte në fuqi.
Në dhjetë vitet e para të aktivitetit të tij, Papa ia kushtoi pikërisht rrëzimit të sistemit komunist. Mbështetje që ai i dha Lëvizjes Solidarnost në Poloni ishte hallka e parë që çoi në rrëzimin e regjimit të Gjeneralit Woiciech Jaruzelski, i cili u rrëzua 10 vjet pas vizitës së Papa Gjon Palit të II në Poloni.

Si anatemohej Vatikani në mediat e regjimit komunist?

Kleri anatemohej si e keqja e popullit shqiptar, si bashkëpunëtore me pushtuesit, si sabotatorë të ndërtimit të shtetit komunist në Shqipëri, shkatërrues të rendit të ri në Shqipëri, luajtës së politikës së huaj në Shqipëri, si kundërshtarë të reformave të shtetit të asaj kohe etj.
Tuk Jakova më datë 20 dhjetor 1946 në Gazetën “Bashkimi” shkruan se kleri ka luajtur një rol shumë të madh armiqësor, duke qenë e lidhur ngushtë me regjimin feudal të Zogut, dhe “kanë qenë vazhdimisht bashkëpunëtorë të ngushtë të okupatorëve dhe pushtuesve që kanë skllavnuen e shtypun popullin. Kanë qenë agjenta spiritualë të Italisë fashiste, kanë qenë agjentat më aktivë të Italisë fashiste që kanë punuem me të gjitha mjetet dhe mënyrat për përgatitjen e 7 prillit”.
Akuza e Jakovës ndaj Klerit ishte se këto armë do furnizonin bandat kriminale në ndoj moment dobësie të pushtetit dhe qëllim kishin përmbysjen e pushetit. “Këta elementë reaksionarë të klerit katolik janë kundërshtarë të indipendencës së Shqipërisë, kundërshtarë të rrugës që po ecën populli ynë, lumturisë së popullit, ata gëzojnë kur populli vuan dhe qeshin kur populli qan”. Gazeta “Bashkimi” shprehet hapur kundër Vatikanit, duke e lidhur këtë shtet dhe autoritet fetar me nazizmin gjerman dhe fashizmin italian. “E tillë është përmbajtja esenciale e politikës së pandryshueshme të kishës: autoritet, hierarki, pabarazi. Kjo politikë është reaksionare në parim dhe në natyrën e saj”.
Në gazetën “Arësimi Popullor” e vitit 1950 thuhet se Kisha Katolike e drejtuar nga Papa i Romës është shquar gjithmonë si vatër e obskurantizmit dhe reaksionit. Sipas këtij shkrimi, Vatikani përgjatë ndërrimit të pushteteve ka arritur përmes përshtatjeve artificiale të tij që të ruajë integritetin e vet reaksionar përgjatë historisë. “Papati në kohën e mesme shprehte interesat e feudalizmit, tani po mbron interesat e kapitalit monopolist.
Papati pas Luftës së Dytë Botërore fuqizon lidhjet me qendrën e sotshme të reaksionit botëror dhe kapitalit monopolist, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Kur diktatura tentonte të ndërtonte njeriun e ri me ide marksiste-leniniste dhe në ndërtimin e socializmit të ri, Vatikani dhe katolicizmi shiheshin si problem dhe për këtë duheshin çrrënjosur me çdo kusht. Pra, tentohej dhe synohej që zemrën, shpirtin dhe vetëdijen e ndërgjegjen e njeriut ta zejë komunizmi si fe, dhe jo feja në vetvete. Në këtë shkrim aludohet dhe propagandohet më të madhe se qarkulli i enciklikave nga Papati i ngjan urdhërave ushtarakë, çka reaksioni i Vatikanit në shoqëri sipas shkrimit bëhet më agresiv dhe del detyra që të luftohet sa më shpejt dhe sa më shumë, me çdo kusht dhe në çdo kohë e mënyrë. “Vatikani është ndihmës i imperialistëve. Imperialistët kanë nevojë jo vetëm për mitraloza që të shtypin popujt që janë nën sundimin e tyre, por edhe për një influencë të përshtatshme ideologjike mbi ta, influencë të përforcuar me autoritetin e besimit dhe të kishës”, çka për Kishën Katolike, por edhe krejt klerin do të ishte shumë e vështirë mbijetesa në Shqipëri.
Propaganda po bëhej gjithnjë e më e fortë dhe më e ashpër. Klima po bëhej gjithnjë e më mbytëse në këtë periudhë. Frika më e madhe që komunizmi i kohës kishte, ishte se kush do të nënshtronte më shumë popullin, kisha apo shteti. Duke qenë se kisha dhe katolicizmi apo besimet fetare në përgjithësi lançojnë përvujtërinë, ndërgjegjen e pastër dhe nënshtrimin, atëherë kisha, kleri, besimet fetare duhej të eliminoheshin dhe vetëm në këtë mënyrë komunizmi do të depërtonte dhe do të kontrollonte masat e gjera të popullsisë.
Regjimi totalitar në Shqipëri bëri që të kishim ateizmin si ideologji shtetërore dhe praktikimi dhe ekzistenca e institucioneve fetare ndalohej me ligj. Totalitarizmi shqiptar kishte nën zotërim gjithçka ndodhte në këtë vend. Vërehej “roli udhëheqës i Partisë së Punës në të gjithë jetën e vendit, politizimi i pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, parimi i unitetit të pushtetit, planifikimi i përgjithshëm i administrimit të punëve shtetërore, ideologjizimi i plotë i krejt shoqërisë etj”.
Lufta e pushtetit monist kundër fesë u shoqërua me “aksione dhe nisma të nxitura dhe të organizuara qeveritare çuan në mbylljen e të gjitha kishave, xhamive, vendeve të shenjta, si dhe më pas dënimin dhe arrestimin e kuadrove fetarë e drejtuesve të tre komuniteteve. Institucionet fetare u shndërruan në objekte kulturore, salla për lojëra sporti, apo për magazina prodhimi, kurse objektet e kultit dhe pasuria e tyre e ruajtur dhe pasuar brez pas brezi, u shkatërrua totalisht”. Propaganda kishte arritur kulmin. Masat ishin karikuar mirë ideologjikisht për shpërthimin e disa muajve më pas për të arritur në pranverën apokaliptike të vitit 1967. Shqipëria shpallet vend pa zot.

Exit mobile version