Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar një deklaratë të fortë për sa i përket ndryshimit të destinacionit të “Klubit Partizani”.
Ai tha se e pranon se ka firmosur ai vendimin e kundërligjshëm sipas tij të Edi Ramën, duke e kthyer nga zonë sportive, në zonë urbane si pjesë të territorit të “Klubit Partizani”. Berisha shtoj se këtë e ka bërë vetëm si “noter” kurse Edi Rama mund edhe të jetë paguar.
Deklarata e plotë
Le t’i kthehemi tani dhe të shohim se si përpiqet Edi Rama të mbrojë krimin e tij politik dhe krimin e tij real ligjor.
Ai lëshoi mbrëmë në mediat e Bolinos, një seri mashtrimesh, me të cilat jo vetëm që u përpoq të mbrojë veten për krimet e kryera, konkretisht për shkeljet e ligjit, duke lexuar një për një, ato që ka shkruar në dacibaon e larove të tij.
Rama mbrëmë tha: “Njëri thotë kështu, unë do them të kundërtën, ndërkohë këtu flitet për fakte dhe jo opinione. Leja e firmosur nga unë ka një hartë. Leja që erdhi si rezultat i ndryshimit për ligjin e sportit, ka një hartë. Nxirrni hartat dhe të shohin njerëzit në hartë. Ja ku janë terrenet sportive, vazhdon ai, fusha e Partizanit, etj. Ja edhe godinat me fotografi, ja edhe fushat e tenisit që kanë qenë te klubi i Partizanit. Leja që ka dhënë KKRT e Tiranës është ajo me të kuqe, që ka qenë hyrja djathtas e klubit. Ajo është leja. Leja me jeshile është e firmosur prej meje”.
Ja ku e keni, të firmosur prej tij.
Me këtë deklaratë, ai pranon se ka ndryshuar me firmën e tij me 8 qershor 2006, nga zonë sportive, në zonë urbane të një pjese të territorit të klubit Partizani.
Shtoj këtu se këtë ndryshim, Edi Rama e ka bërë në shkelje flagrante të ligjit. Dhe kjo është absolutisht e vetmja shkelje e ligjit, të cilin larot e tij, Kraja, Millonai dhe Gjoka kanë përmendur në dacibaon e tyre prej qindra faqesh.
Është e vërtetë se ky vendim është firmosur nga unë, Sali Berisha në datë 22 nëntor 2006, por është firmosur thjesht në rol noteri, pasi dhjetë ditë më parë, Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar më 10 nëntor 2006, ligjin që i lejonte qeverisë të ndërhynte në vendimet e Këshillit të Rregullimit të Territorit të bashkisë.
Unë kisha bërë një ligj që të ndërhyja, por ky ligj u rrëzua nga gjykata.
Pra, vendimi i ndryshimit të destinacionit të asaj pjese territorit të klubit Partizani, është 100 përqind i kundërligjshëm, i dënueshëm dhe ka në bazë korrupsionin.