Ka nisur me shtyrje procesi gjyqësor ndaj ish-deputetit të PD-së Klevis Balliu për protestat e banorëve të Unazës së Re dhe përplasjet me policinë. Në një prononcim për mediat pas daljes nga Gjykata, Balliu tha se ky është një presion politik dhe se drejtësa nuk funksionon.
“Në rastin konkret kemi një mbështetje që është mbështetja e qytetarëve, e sovranit të vendit, ndaj këto presione nuk funksionojnë. Ju them qytetarëve të hapin sytë e të shohin çfarë po ndodh. Janë 100 çështje në Gjykata për qytetarët. Nëpër gjykata nuk i sjell ligji, kushtetuta, por Edi Rama me urdhra politikë dhe me asgjë tjetër.
Prokuroria nuk e di për çfarë akuzon. Fillimisht thanë se, kam thyer krahun e një polici, tani polici me gjithë krahun kanë ikur në drejtim të paditur. Pse nuk funksionon ligji për dhunën makabre të banorëve të Bregut të Lumit, ku shefi i policisë u filmua në mënyrë flagrante duke gjuajtur një vajzë 9-vjeçare me shpullë?
Pse nuk funksionon ligji për 40 milionw euro të Unazës së Re? Sepse këtu nuk ka drejtësi, drejtësia ka ikur në drejtim të paditur. E ka zhdukur Edvin Kristaq Rama me Erion Veliajn”, deklaroi Balliu.
I pyetur se përse u shty seanca, Balliu tha se, bëhet vetëm për lojëra, për presion. “Doja t’i bëja thirrje qytetarëve shqiptarë, këtu po shkelen ligjet, Kushtetuta dhe të drejtat e njeriut. Edi Rama është zëdhënës, përfaqësues e partner i krimit të organizuar”, u shpreh Balliu.