Një zë i spikatur mes qytetarëve aktivë për çështjet publike, Anxhela Çikopano, i ka shkruajtur Kryeministrit Rama në faqen e tij në Facebook në lidhje me një nga pikat më të ulta të qeverisjes së tij: vendimmarrjen e fshehtë pa asnjë lloj informimi të publikut.
Lejimi i importimit të plehrave ka ngjallur një zëmëratë të gjerë, e cila ndër të tjera ndihet në komentet e qytetarëve në faqen në Facebook të kryeministrit Rama. Ndoshta për të zbutur këtë zëmëratë, Kryeministri (ose ata që menaxhojnë faqen e tij) ka filluar t’u kthejë përgjigje këtyre komenteve. Kjo sjellje e rrallë e Kryeministrit ka ngjallur ironinë e qytetares, e cila i është drejtuar me këto fjalë Kryeministrit:
Çfarë ka ndodhur që ju ktheni përgjigje njerëzve, duke “i sqaruar”, pasi keni tre vjet që shkelni çdo ligj të informimit publik dhe të procedurave të vendimmarrjeve me ndikim në mjedis? Apo ju kujtohet shija e hidhur e armëve kimike? Pa merak, se këtë herë do të jemi edhe më shumë!
Kryeministri Rama i është përgjigjur në mënyrë arrogante, duke tundur tezën e padijes dhe injorancës të kujtdo që e kritikon (gabimet ortografike janë në origjinal):
[K]thej përgjigje pikërisht sepse të njëjtët sharlatanë përpiqen t’i hedhin njerëzve trutë e gomarit, ndërkohë që ligji që kaluam dje është krejt e kundërta e zhurmës që mesa duket ju ka ndikuar edhe juve! Prandaj edhe besoj se duhet kujtuar që padija nuk është argument! Frika që kallin në mendjen e njerëzve sharlatanët politikë apo mediatikë jo e jo! Eshtë shumë e thjeshtë dhe në interes të plotë të vendit e të njerëzve, ajo që kemi bërë. Importohen vetëm mbetje të gjelbërta (letër, shishe plastike, kanoçe alumini dhe mbetje druri) që nuk vijnë në Shqipëri as për t’u djegur as për t’u groposur si plehrat, po drejt e në fabrika riciklimi për t’u kthyer në lëndë të parë për prodhim! Kjo fuqizon industrinë, rrit punësimin e të ardhurat dhe mbi të gjitha rrit kapacitetet për e industrisë vendase për riciklimin e mbetjeve tona që janë rrugëve! Doni ta kuptoni këtë apo doni të dëgjoni zërin e frikës që kallin sharlatanët? Siç bëjnë me drogën, maturantët e me ç’tu dalë përpara! Kaq.
Kësaj arrogance, qytetarja i është përgjigjur me një kritikë sarkastike, duke e quajtur Kryeministrin tradhtar të interesave të vendit:
Unë nuk kam frikë zoti Rama dhe fatkeqësisht nuk gënjehem lehtë. Unë di, shikoj, lexoj, analizoj, gjykoj, sot me mendje më të kthjellët se kurrë dhe nëse ka një gjë në jetë që nuk do t’ia falë vetes është vota për Rilindjen. E kuptoj përgjigjen tuaj gjaknxehtë (paçka se mjaft shabllon) se ju shoh gabimet drejtshkrimore pa fund. Ju nuk respektoni as gjuhën e mëmës, le pastaj të tjerat. Sa për industri e për ekonomi edhe Saliu nuk e çoi vendin në këtë mjerim që e çuat ju, në një kohë kaq të shkurtër. Nëse plani juaj ka qenë ta zbrazni Shqipërinë e ta shisni pa kokëçarje, duheni lëvduar se ia keni dalë mbanë më së miri: merita juaj më e madhe në këto 3 vjet, duhet ta pranojmë këtë! Me këto mesazhet kopjo+ngjit mund t’i mbushni mendjen vetes (fenomen i njohur kur përpiqesh të mbash mend gënjeshtrat që thua) dhe nëse ju gënjen mendja se jeni më i zgjuari në një shtet plot me gomerë, sot e morët përgjigjen nga mbarë Shqipëria. Njeriu hyn me vështirësi në histori si baba kombi, por fare lehtë si tradhtar i tij!
Modeli i ri i biznesit sipas Ramës
Diskutimi mbi lejimin e importimit të mbetjeve ka hedhur dritë mbi shenjat e para të modelit të biznesit, që klasa drejtuese e vendit ka qëllim të propozojë dhe të vendosë për t’i dhënë përfundimisht një hov të vërtetë ekonomisë shqiptare.
Një nga përfaqësuesit kryesorë të komunitetit të biznesit, një figurë me rëndësi në shoqëri, Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Tiranës Nikolin Jaka, gjithmonë i pranishëm në momente domethënëse në delegacione ndërkombëtare, në tavolina diskutimi me qeverinë, dhe mbi të gjitha në tendera të furnizimit të administratës publike, si një figurë e vjetër e të djathtës me përvoja të larmishme në administratën publike (nga administrata e rrugëve në administratën e burgjeve), pasi mbrojti me shpatë disa muaj më parë ligjin për regjistrimin e detyrueshëm të kompanive në Dhomën e Tregtisë, propozoi sot një vizion më të qartë të liberalizmit të tij, duke propozuar liberalizimin “përfundimtar” të ekonomisë shqiptare.
Të liberalizojmë importin e mbetjeve, por edhe kultivimin e marijuanës dhe shtëpitë publike.
Nga ky propozim i thjeshtë del në pah qartësisht modeli ekonomik, por edhe kulturor dhe shoqëror që klasa drejtuese aktuale ka si vizion për të garantuar një të ardhme për vendin, duke u mbështetur në pikat e favorshme për konkurrencë dhe mbi një nga aftësitë e pakta që “biznesi” shqiptar ka treguar që e zotëron më mirë se një pjesë e madhe e botës.
Përballë kësaj inteligjence strategjike, mund të propozojmë integrimin e modelit Jaka me karakteristika të tjera të veçanta të sipërmarrjes tipike shqiptare, përfshi anulimin përfundimtar të ligjeve për kthimin e kredive, ligjeve për mbajtjen dhe deklarimin e bilancit dhe veçanërisht të ligjit të kotë dhe të bezdisshëm për sigurimin e punonjësve.
Në fund, ky model ekonomik novator mund të japi maksimumin e tij me një formë integrimi vertikal të biznesit, i cili duke u ofruar operatorëve marijuanë me kosto të ulët, lejon kufizimin e vuajtjeve, qoftë të punëtorëve që seleksionojnë mbetjet, qoftë të punonjësve të seksit, të cilat shijohen nga “tutorët”.
Së fundmi, “humbjet kolaterale” të mundshme të sistemit mund të shkrihen në landfillin e Bashkisë, sigurisht të administruara me një partneritet publik privat.
Një model i tillë i integruar ka të gjitha karakteristikat për të tërhequr flukse të rëndësishme të importit të mbetjeve me kosto të ulët dhe gjithashtu flukse të mëdha të turizmit elitar ndërkombëtar, dhe do të lejojë edhe eliminimin e taksave dhe doganave.
Ndër të tjera, ndjeshmëria evropiane për temën e mjedisit do na lejojë të tërheqim financime të rëndësishme falas për përmirësimin e sistemit.
Me këtë klasë drejtuese parajsa do të rilindë në Shqipëri.