Kreditë e këqija, rritje me 20% në 6 muajt e parë të 2016

Niveli i kredive të këqija në vend ka pësuar një rritje të ndjeshme në 6 muajt e parë të këtij viti. Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë  konstatohet se niveli i kredive të këqija ka shkuar në 20 % në krahasim me 18.2% në fund të vitit 2015. Ndikimin kryesor në këtë situatë e ka dhënë kredia e bizneseve në valutë. Pavarësisht masave të marra nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave niveli i kredive të këqija ka pësuar rritje në 6 muajt e parë të këtij viti. Në raportin e Stabilitetit Financiar të publikuar nga Banka e Shqipërisë vërehet se raporti i kredive me probleme në sektorin bankar  kapi nivelin 20%, në krahasim me 18.2% në fund të vitit 2015. Kontributin kryesor në këtë rritje të kredive me probleme e ka dhënë kredia për bizneset,e sidomos ajo e dhënë në valutë në afat të mesëm. Huatë me probleme për biznesin sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë janë rritur me 3 % krahasuar me fundin e vitit 2015. Rritja e kredive me probleme tregon për vështirësinë që ka procesi i zgjidhjes së tyre dhe nevojën për monitorimin nga afër të këtij procesi. Banka e Shqipërisë pret që tendenca e huave me probleme të vijë në rënie, ndonëse mund të ketë luhatshmëri të vlerës së tyre përgjatë kohës.
Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do të mbikëqyrë me kujdes  skemat me të cilat veprojnë bankat për të evidentuar në kohë kredinë me probleme për ta provigjionuar atë, si edhe mënyrën se si ato po zbatojnë kërkesat rregullative për largimin nga bilanci të kredive të humbura. Sipas Bankës së Shqipërisë tashmë me vëmendje po pritet edhe ndikimi që do të ketë miratimi së afërmi i projektligjit “Për falimentimin” në marrëdhënien mes bankave, debitorëve dhe subjekteve të tjera që ndërveprojnë në procesin e zgjidhjes së borxhit problematik. Ekonomisë i kanë munguar në tetë muajt e parë të këtij viti rreth 3.2 miliardë lekë, apo 23 milionë euro, që nuk kanë arritur të hidhen në qarkullim për ndërtimin e rrugëve, spitaleve, shkollave etj. Sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave, shpenzimet kapitale për 8-mujorin ishin 28.8 miliardë lekë, nga 32 miliardë lekë që ishte plani fillestar i vitit, duke qenë rreth 10% më të ulëta. Megjithatë, në gusht, realizimi i shpenzimeve kapitale ka qenë më i larti, jo vetëm i të gjithë muajve të 2016-ës, por edhe të gushtit të pesë viteve të fundit.
Në tre vitet e fundit (2014-2016), niveli i shpenzimeve kapitale për 8-mujorin ka mbetur në nivelin e 27-29 miliardë lekëve, duke qenë shumë më i ulët se në 2012-2013. Nga grafiku, shihet se në 2013-ën, që ka qenë një vit elektoral, ka pasur një shfazim të realizimit të shpenzimeve kapitale, sipas muajve, teksa ato kërcyen në prill, përpara zgjedhjeve të qershorit, për t’u reduktuar pas periudhës tranzitore të ndryshimit të qeverisë. Por, edhe pas formatimit të kabinetit të ri qeveritar, niveli i shpenzimeve kapitale mbeti i ulët. Në 2014-2015, investimet kapitale kaluan nga Ministria e Financave në atë të Ekonomisë dhe ky tranzicion çoi në një ngërç të realizimit të tyre. Në 2016-ën, investimet u rikthyen në Ministrinë e Financave. Mosrealizimin më të madh të shpenzimeve kapitale e kanë përgjithësisht ato me financim të jashtëm, për shkak të vonesave në disbursimin e fondeve.

Exit mobile version