Ne, kavjet e heshtura të Rilindjes!

Nga Elona CASLLI

Thonë se një grua e moshuar pyeti dikur Stalinin: “Komunizmi u zbulua nga shkencëtarët apo nga politikanët?!”.
Stalini u përgjigj: “Nga politikanët”.

Gruaja vazhdoi: “Këtë mendova dhe unë. Po ta kishin zbuluar shkencëtarët fillimisht do ta kishin bërë eskperiment me kavjet”.

Qeveria ruse, gjatë fundit të viteve 1940, zgjodhi pesë të burgosur që konsideroheshin si armiq të popullit dhe i përdori për një eksperiment që i detyronte ata të qëndronin pa gjumë.

Një gaz eksperimental në doza të vogla, u përdor për të stimuluar pagjumësinë tek të burgosurit.

Ata u mbajtën në një mjedis të mbyllur për pesëmbëdhjetë ditë, në një ambient ku kishte libra, ujë, tualet, krevate dhe ushqim të mjaftueshëm.

Tri ditët e para, ishin të qeta dhe të burgosurit flisnin me njëri-tjetrin.
Ditën e pestë ata nuk folën më.

Në ditën e dhjetë filluan të kishin shumë shqetësime. Për tri orë me radhë njëri prej tyre vraponte dhe ulërinte nëpër dhomë.
Zëri i tij filloi të dobësohej.

Ditën e pesëmbëdhjetë, grupi i punës që drejtonte eksperimentin e fiku gazin, ndërsa të burgosurit u lutën që të ndizej përsëri.
Disa ushtarë u futën në dhomë dhe gjetën gjallë vetëm katër persona.
Të mbijetuarit kishin plagë që i kishin shkaktuar vetë.

Ky eskperiment rus në vitin 1940 më erdhi ndërmend teksa u përballa me intervistën e Drejtorit Rilindas të Ujësjellësit në qytetin e Sarandës, zotin Sheme Lulo.

Teksa ka qenë i ftuar në një studio televizive, ai ka pohuar se me qëllim i ka lënë banorët disa ditë pa ujë, për të kuptuar se sa kërkesë ka për ujë.

Diskutimi në studio

Gazetari- Sa orë ujë furnizohet në ditë Saranda?

Sheme Lulo: Rreth tetë orë. Është e mjaftueshme kjo për banorët, për qytetarët. Unë i kam lënë edhe tri ditë pa ujë, për të parë se sa kërkesë ka. Nuk i ka rënë asnjëri telefonit tim e të thotë; shiko se jam pa ujë, (qesh)…

Pas këtij pohimi të guximshëm më shumë se vetë guximi, nga ana e Drejtorit Rilindas lindin pyetjet?

– Jemi qytetarë apo kavje të heshtura?!
– Jemi në vitin 1940 apo në vitin 2019?!
– Jetojmë apo ekzistojmë?!

Post Scriptum- Çdo herë që do përballeni me mungesën e ujit të pijshëm, mendoni për eskperimentin rus në vitin 1940.

Exit mobile version