Në majat e futbollit

Interin do ta rikthejë në majë. Luçiano Spaleti është prezantuar zyrtarisht si trajneri i ri i skuadrës së Interit, i shoqëruar nga drejtuesit e klubit. Ish-tekniku i Romës ka firmosur një kontratë 2-vjeçare nga ku do të përfitojë 4 milionë euro në sezon, plus bonuse. Premtimi i tij është rikthimi i Interit në majat e futbollit. I pyetur nga gazetarët se përse zgjodhi skuadrën zikaltër, Spaleti u përgjigj: “Përse zgjodha Interin? Është shumë e thjeshtë t’i përgjigjem pyetjes. E zgjodha Interin, sepse kur m’u propozua roli i trajnerit, e dija që do të ishte një aventurë e mbushur me momente të bukura, të cilat unë doja t’i përjetoja. Do të bëhesha pjesë e një klubi të madh. Dua ta shoh Interin, në dy këndvështrime. Si aktor, pra si protagonist dhe si spektator në rreshtin e parë, për t’i kuptuar më mirë gjërat, do të jetë vërtet diçka e jashtëzakonshme. Interin do ta rikthejmë në majat e futbollit”, u shpreh Spaleti.
Përsa i përket skemës, Spaleti mendon për një 4-2-3-1, por ende nuk është i konfirmuar. Pjesa tjetër nëse do t’ia dalë dot Interi të zbresë Juventusin nga froni, këtu tekniku mundohet të tregohet disi i kujdesshëm, por shprehet se Interi i tij nuk do t’i trembet askujt.
“Mbi të gjitha është e rëndësishme të jemi një skuadër kompakte. Përsa i përket skemës, jam duke menduar për një 4-2-3-1, kjo pjesë do të shihet më pas. Përsa i përket Juventusit, ata janë një skuadër e madhe. Këto vitet e fundit ata kanë fituar gjithçka dhe duhen respektuar, por nuk i trembemi. Ditët që do të ndeshemi me ta, ne duhet të japim maksimumin”, tha trajneri i ri i Interit. Në fund, Luçiano Spaleti dha dhe konfirmimin se kapiteni i Interit do të jetë Mauro Icardi dhe deklaroi se është detyra e argjentinasit të jetë model brenda në dhomat e zhveshjes.
Spaleti dje ka mbajtur konferencën e parë si trajner i skuadrës italiane, ku ka folur për shumë gjëra. Një ndër to ishte dhe shiriti i kapitenit, ku e konfirmoi se Mauro Icardi do të jetë edhe sezonin e ardhshëm. “Mauro Icardi është kapiten i Interit, për shkak të kualitetit dhe kështu ai duhet të tregojë sjellje korrekte”, tha Spaleti.
Domeniko Krishito, dëshiron të rikthehet në Itali pas aventurës 7-vjeçare me Zenitin në kampionatin rus. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Interi është i gatshëm ta mirëpresë lojtarin, duke parë edhe nevojën që skuadra ka për një mbrojtës të majtë. Krishito gëzon simpatinë e trajnerit Spaleti, i cili e ka trajnuar futbollistin gjatë kohës që ka drejtuar Zenitin. E vetmja pengesë është kostoja e transferimit, pasi zikaltrit nuk duan të shpenzojnë shumë. Drejtuesit e Interit po punojnë për ta sjellë në formën e huazimit 30-vjeçarin, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë dhe e kombëtares italiane.

Exit mobile version