Abaz Aliu është i biri i Imam Aliut dhe e ëma e tij quhej Umul Benin. Ai u lind në datën katër të muajit Shaban të vitit 26 hixhri në qytetin e Medinës. E ëma e tij, Fatime Umul Benin, ishte e bija Hizambin Khalidit, i cili ishte një ndër më trimat ndër arabët. Imam Aliu, dhjetë vjet pas vdekjes së Hazreti Fatimesë u martua me Umul Benin dhe si lidhës i kësaj martese ishte i vëllai i tij Akili.
Thuhet që teksa Umul Benini po hynte në shtëpinë e Aliut, Hasani e Hyseni ishin të sëmurë, ajo u përkujdes për ta derisa ata u shëruan. Umul Benin nuk lejonte që ta thërrisnin Fatime, sepse kishte frikën se mos Aliut dhe të bijve të tij i rikujtoheshin vuajtjet dhe pikëllimet e saj dhe kështu do të mërziteshin. Nga kjo martesë lindën kater djemë që ishin Abazi, Auni, Xhaferi dhe Osmani, por më i madhi prej tyre ishte Abazi. Fatimeja, për shkak se pati katër djem u quajt Umul Benin – nëna e djemve.
Kjo ishte kaq shumë besnike ndaj Imam Aliut saqë pas martirizimit të tij nuk u martua më, ndonëse rrojti edhe më shumë se njëzet vjet të tjera. Kur lindi Abazi, Imam Aliu i këndoi ezanin dhe ikametin në vesh, i këndoi në vesh edhe emrin e Allahut dhe të dërguarit të tij dhe i vuri atij emrin Abaz! Imam Aliu herë pas here e shtrëngonte fort në gji Abazin, i puthte krahët dhe pastaj vajtonte. Një ditë Umul Benini e pyeti shkakun se pse ai po vajtonte e ky u përgjigj, se këto krahë do të priten gjatë rrugës për të ndihmuar Hysenin! Abaz Aliu u rrit në prehrin e ngrohtë të nënës së tij besimtare dhe besnike dhe së bashku me Hasanin e Hysenin, prej të cilëve mësoi mësimet e madhështisë së njeriut, martirizimit dhe sinqeritetit.
Një ditë prej ditësh, Aliu e uli Abazin e vogël pranë tij dhe i tha atij: “Thuaj, një!”, Abazi tha: “Një!”, Imami i tha: “Thuaj, dy!”, por Abazi nuk pranoi të thoshte. Kur imami e pyeti se pse nuk thotë dy, Abaz Aliu u përgjigj: “Më vjen turp që me gjuhën që kam shprehur njëshmërinë e Zotit, të them dy!”.
Abazi nuk ishte vetëm i madh në trup, po ai kishte edhe një mençuri të madhe. Ai me siguri e dinte se ishte lindur për një ditë të madhe, për ashuren! Abaz Aliu mori pjesë në luftërat e të atit, në moshën
dymbëdhjetë apo katërmbëdhjetë vjeçare, ndonëse atij i lejohej pjesëmarrja në luftëra. Që në atë moshë, ai ishte ndër më trimat në mesin e heronjve arabë. Në njërën prej ditëve të luftës të Sifinit, në sheshin e luftës doli një djalosh me fytyrë të mbuluar.
Ushtria e Muavijes po dridhej nga frika. Ushtarët armiq pyesnin njëri-tjetrin se kush mund të ishte vallë ky djalosh, i cili me guxim të madh doli në sheshin e luftës. Nga ushtria e Muavijes askush nuk guxoi të dilte në shesh. Ai urdhëroi oborrtarin e tij që quhej Ibn Shuatha, që të shkojë të luftojë me këtë djalosh. Ibn Shuatha u përgjigj: “Mua më quajnë trim sa për dhjetë mijë luftëtarë si po më dërgon të luftoj kundër një fëmije?” Më mirë po nis një nga djemtë që të shkojë e ta vrasë atë! Muavija pranoi dhe Ibn Shuatha dërgoi në dyluftim djalin e tij më të madh. Mirëpo, ai u vra sa hap e mbyll sytë. Më tej, Shuatha dërgoi djalin e tij të dytë, po edhe ai u vra dhe kështu me radhë iu vranë të shtatë djemtë. Atëherë i inatosur Ibn Shuatha doli në shesh të luftës dhe me inat iu drejtua luftëtarit, duke i thënë se ti që më vrave djemtë, do të të vajtojnë yt atë dhe jot ëmë. Por edhe vetë ati pas një dyluftimi të shkurtër shkoi pas të bijve! Që të gjithë e shikonin të habitur këtë djalosh trim. Imam Aliu e thirri atë, i hoqi mbulesën nga fytyra dhe e puthi në ballë! Që të gjithë të habitur panë se ai ishte Abazi.
Pasi ndërroi jetë i ati, Abaz Aliu, përjetoi edhe vitet e hidhura të imamatit të të vëllait të tij, Hasanit. Vite në të cilat hiletë dhe dredhitë, dhuna dhe intrigat e Muavijes kishin arritur kulmin dhe shumë nga shokët trima të Imam Aliut dhe Imam Hasanit kishin rënë dëshmorë. Ishte periudha kur nëpër xhamitë që kontrolloheshin nga Muavija, shahej Imam Aliu, kur Imam Hasani u helmua dhe më pas ra dëshmor. Abaz Aliu ishte në moshën njëzet e katër vjeçare. Vdekja e Imam Hasanit edhe njëherë e mbyti në vaj fisin e Beni Hashimit, midis të cilëve edhe Abaz Aliu. Ky, u martua disa vjet pas vdekjes të së atit, me një vajzë të quajtur Lubabe, vajzën e Abdullah Ibn Abasit. Abdullahu ishte transmetues hadithesh dhe një prej nxënësve më të dalluar të Imam Aliut. Kështu, nusja Lubabe ishte rritur në një ambient mistik dhe fetar. Nga kjo martesë Abaz Aliu pati dy fëmijë, Ubejdullahun dhe Fazlin. Pas lindjes së Fazlit, Abaz Aliu u quajt Ebu-Fazl! Por disa të tjerë mendojnë që arsyeja që Abaz Aliu u quajt kështu, ishte për hir të mirësisë së tij të pafundme.
Gjatë gjithë jetës së tij Abaz Aliu, i kishte qëndruar pranë të vëllait, Imam Hysenit. Rininë e tij ai e kaloi duke i shërbyer atij. Në mesin e të rinjve të fisit Beni Hashim, ai spikaste më shumë se kushdo tjetër dhe gëzonte respekt në mënyrë të veçantë. Që të gjithë të rinjtë që ishin rreth tridhjetë vetë, e rrethonin Abaz Aliun si flutura që rrotullohet rreth qiriut dhe e shtrëngonin atë me dashuri. Që të gjithë ata ishin të gatshëm që të binin dëshmorë në krah të tyre. Në fushën përvëluese të Qerbelasë, kur Abaz Aliu vuri re buzët e thara dhe sytë e përlotur të fëmijëve të Imam Hysenit rrëmbeu kacekun dhe u nis për të dhënë provimin më të madh të jetës së tij. Ai u nis për të mbushur ujë dhe me trimëri çau radhët e armikut, mbërriti në breg të lumit Eufrat, e mbushi kacekun e lëkurës plot me ujë, dhe buzëthatë e hodhi vështrimin në ujin e kthjellët të Eufratit, por nuk guxoi të pijë as një gëllënkë ujë! Sepse Hysejni dhe të bijtë ishin të etur dhe nuk ishte e meritueshme që ai të shuante etjen para tyre! Armiku e dinte më së miri që përderisa Abaz Aliu të kishte krahët, nuk kishin mundësi të përballeshin me të. Kështu ata morën shenjë dhe qëlluan krahët e tij. Trimi për të ruajtur ujin, i humbi të dy krahët. Nga goditjet e armikut, ai u rrëzua nga kali. Imam Hyseni i shkoi pranë Abaz Aliut, i qëndroi mbi kokë dhe e shtrëngoi fort në gji të vëllanë e tij të dashur, i cili më pas nxitoi për te Zoti i tij, duke lënë vetë Imam Hysenin me një mal brengash dhe pikëllimesh në Qerbela. Abaz Aliu ra dëshmor në moshën tridhjetë e pesë vjeçare. Imam Sexhadi, thotë kështu për xhaxhain e tij, Abaz Aliun: “Zoti e mëshiroftë xhaxhain tim Abazin, i cili u vetëflijua në rrugën e të vëllait, duke dhënë edhe shpirtin. Ai tregoi vetëmohim të madh saqë iu prenë të dyja duart. Zoti si shpërblim atij, ashtu sikurse bëri edhe me Xhafer in ebu Talibin, si kompenzim ndaj të dy duarve të prara, iu dhuroi dy krahë për të fluturuar në xhehnet së bashku me engjëjt. Abaz Aliut, Zoti i dha një pozitë dhe rang të lartë, saqë në ditën e kiametit që të gjithë martirët do ta kenë zili atë”.
Teqeja e Kulmakut
Teqeja e Kulmakut është ndërtuar për herë të parë rreth viteve 1908, nga besimtarë vendas. Ishte një dervishije me dy dhoma me mur guri poshtë Çukës së Tomorit ose Qafa e rrugës për Abaz Ali. Në pranverën e vitit 1914, andartët grekë bënë reprezalje në drejtim të objekteve të kultit bektashianë, duke djegur e shkatërruar dhjetëra teqe në Jug. Këtyre reprezaljeve nuk u shpëtoi dot as dervishija, poshtë Çukës Abaz Ali, e cila u shkatërrua nga themelet. E ringriti dhe e themeloi teqenë e re më poshtë dervishijes (1908) në Kulmak, dervish Iliazi në vitin 1916. Ndërtimi i saj i plotë me dy kate i ngjante një kështjelle. Teqeja u ndërtua në shërbim të tyrbes së Abaz Aliut, flamurtarit të Qerbelasë. Sot kjo teqe është dykatëshe, me mjedise të mëdha, dhe në datat 20 – 25 gusht të çdo viti pret mijëra besimtarë bektashianë nga Shqipëria, diaspora, Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia e deri nga SHBA.
Gjurmët e Abaz Aliut në Skrapar
Gjurma e Abaz Aliut lidhet me legjendën se si ka ardhur Abaz Aliu në Tomor. Përjetësimi i figurës së Abaz Aliut në Skrapar është i madh, sa gjurmët e tij dhe të kalit janë në: “Dërrasën e Kajcës”, në kufi me Përmetin; në “Taroninë” të Çepanit; në “Shkëmbin e Kanionit të Osumit” të Dhoresit; Gjurma e dorës së tij në afërsi të Bargullasit; në “Dërrasën e Novajt” dhe “Vendi i shenjtë” në veri të Tomorit (mbi Dardhë të Beratit) dhe “Çuka e Tomorit”, varri i tij kenotaf. Këto vende vizitohen nga besimtarët e dashamirësit gjatë gjithë vitit, por sidomos në ditët 20-25 gusht. Emri i Abaz Aliut është më i respektuari ndër besimtarët e jobesimtarët e trevës së Skraparit dhe në Shqipëri e më gjerë, qysh herët e deri në ditët e sotme. Abaz Aliu ishte në fluturimin e tij mitik drejt malit të Tomorit ku vajti dhe qëndroi për jetë të jetëve. Abaz Aliu, si luftëtar që ra për lirinë, erdhi dhe gjeti prehje tek mali ynë i shenjtë Tomor.
Tyrbja e Abaz Aliut në Çukën e Tomorit
Vendi më i rëndësishëm i Pelegrinazhit Tyrbja e Abaz Aliut ndodhet larg nga teqeja e Kulmakut, 2 orë në këmbë ose 40 minuta me makinë, në lartësinë 2417 m mbi nivelin e detit, në Çukën e Tomorit. Nga burimet historike jepen të dhëna si një vend besimi nga lashtësia. Sipas Baba Ali Tomorit dhe Osman Myderrizit, Eqrem bej Vloras në shek. XV. Mustafa Tusiu dhe Haxhi Baba Horasani ngritën varrin kenotaf të Abaz Aliut, në Çukën e Tomorit. Nga ajo periudhë e deri më sot, pranë varrit të Abaz Aliut, 20-25 gusht të çdo viti organizohet pelegrinazhi i besimtarëve bektashinj. Pelegrinazhit i dhanë përmasa gjithnjë e më të mëdha dervish Iliazi dhe baba Ali Turabiu. Sot ky pelegrinazh ka karakter ndërkombëtar. Në të marrin pjesë besimtarë bektashinj, myslimanë, të krishterë, nga gjithë Shqipëria, nga trojet etnike shqiptare, nga diaspora shqiptare dhe nga e gjithë bota, madje pjesëmarrja vjen duke u shtuar vit pas viti, dhe numri arrin në shifrën rekord për pesë ditë, nga 20 deri më 25 gusht për çdo vit, në 250.000 vetë.
Pelegrinët në malin e Tomorrit
Besimtarët bektashi të Shqipërisë nderojnë me një pelegrinazh pesëditor në malin e Tomorrit imamin Abaz Aliu, një nga themeluesit e fesë së tyre. Gjatë kësaj jave mijëra besimtarë janë ngjitur si çdo vit në malin e njohur të Skraparit për të ndjekur ritualet e shenjta dhe për të vizituar objektet e rralla të kultit; tyrbe dhe teqe në majat më të larta shkëmbore të Shqipërisë.
Mijëra besimtarë bektashi shqiptarë kanë nisur prej 3 ditësh pelegrinazhin e tyre të përvitshëm në malin e Tomorrit, duke vizituar tyrben e Kulmakut dhe duke bërë rituale të shenjta në nderim të Abaz Aliut. Besimtarët kanë ngritur tenda të shumta në pllajat e malit mbi 2 mijë e 400 metra mbi nivelin e detit dhe rreth 200 km rrugë në juglindje të kryeqytetit shqiptar. Për pesë ditë rresht, deri të shtunën, besimtarët po vizitojnë vendet e shenjta, po ndjekin ritualet e festës së Abaz Aliut dhe po dëgjojnë fjalimet e klerikëve të tyre mbi historinë e shenjtërimit të baba Tomorrit dhe veprat e shenjtorëve bektashi në të mirë të njerëzve.
Ritet shumëshekullore të besimit bektashi për festën e Abaz Aliut përfshijnë ndezjen e qirinjve në vendet e shenjta, dhurimin e të hollave pranë objekteve të kultit, flijimin e një deleje apo qingji dhe ndarjen e ushqimit midis besimtarëve. Këto festime po kryhen sipas traditave, që u rikthyen pas disa dekadave të ndalimit të fesë nga diktatura komuniste.
Udhëtimi i besimtarëve në këtë pelegrinazh ka nisur qysh të hënën dhe mbyllet të shtunën. Njerëzit besojnë se mbarësia e familjeve të tyre shtohet me këto vizita të vazhdueshme në malin e shenjtë të Tomorrit, dhe duke marrë prej tij si suvenir copa gurësh, dheu dhe shenja të kurbanëve për t’i ruajtur në shtëpi.
Ashtu si ndodh edhe me festat e besimeve të tjera, edhe në pelegrinazhin e përvitshëm të baba Tomorrit, harmonia fetare vlen për t’u shënuar. Besimtarë të feve të tjera i urojnë bektashinjve festën e Abaz Aliut dhe madje jo pak prej tyre marrin pjesë në pelegrinazh bashkë me ta. Bashkëjetesa fetare është një tipar shumëshekullor i shoqërisë shqiptare. Përveç ndalimit të fesë nga regjimi komunist, vrasjes dhe burgosjes së klerikëve dhe shkatërrimit të qindra kishave, xhamive e teqeve, Shqipëria nuk ka shënuar në historinë e saj asnjë konflikt ndërfetar mes njerëzve, dhe qeveritë janë kujdesur për liritë fetare dhe për të mbrojtur këto vlera tradicionale të popullit shqiptar.
ABAZ ALIU
Naim FRASHERI
Engjëll! që m’u qasë pranë
Nga i madhi Zot,
Pse më rrëfen Qerbelanë?
A do të derth lot?
Moj fush’e Qerbelasë!
Që më rri ndër sy,
Plot me gjak t’Ali-Abasë,
Vallë ç’ësht’ ay?
Ç’ësht’ ay që shkon kaluar,
Ikën si veriu,
Me dy-tri foshnja nër duar?
Ësht’ Abas-Aliu!
Shpije foshnjatë në lumë,
Se s’durojnë dot,
I ka marrë etja shumë,
E qajnë me lot!
Ujët ua kanë prerë
Janë në shtrëngim,
Si të varfër e të mjerë.
Në zi, në hidhërim.
Më ç’do an’ i ka rrethuar
Kombi faqezi,
Komb’i lik i xnallëkuar,
Posi mizëri!
Nëpër mest të ushtrisë
Të armikut shkon,
Si ëngjëll i Perëndisë,
Nd’erë fluturoni
Shigjetat si breshërimë
I vinë ngado,
Ay po si vetëtimë
Ikën nëpër ’to.
Shërbëtor’e njerëzisë
Shigjeta s’e çpon
Edhe nder’e trimërisë
Zoti e mburon.
Ç’ikën ay kal’i shkretë,
Mi dhë nuk shkel
Nga potkonjtë q’ikën shpejtë
Zjar e flak’i del!
moj kafshëz e uruar,
Mos shkel për mi dhë.
Se’shtë gjaku i bekuar,
Ikë nëpër rë!
Frat, o more lum’i shkreti
Mos këndo pa qaj,
Derth lot e rënko për jetë,
Mos qesh paskëtaj;
Se Hysejn’e Fatimesë
Me faret të ti,
E vranë komb’i pabesë,
Kombi faqezi.
Abas Aliu zu’ Tomorë,
Erdhi afër nesh,
Shqipërija s’mbet e gjorë,
Se Zoti e desh.
Hysejni desh njerëzinë,
Dhe për të u vra,
Për të shpëtuar njerinë
Ra nde Qerbela.
Hysejni ’shtë dashurija
Që fatbardhëson,
Buron soje miqësija,
Që na lartëson.
Jeziti ’shtë egërsirë,
Që sjell ligësi,
Dhe s’del soje pun’e mirë
Po dëm edhe zi.
Kushdo që bën mirësinë
E ka njerëzi
Ka besuar Alinë,
Dhe udhën e ti.
Gënjeshtra ’shtë Mavijeja,
Që prish edhe sot,
E drejta ’shtë Fatimja,
Dhe i madhi Zot.
E liga është Mervani
Që nxin e shkretën,
Djallëzija ’shtë Syfjani,
Që dhe sot dërmon.
Imamëtë dymbëdhjetë
Nga der’e Aliut,
Hoqn’e vuanë ndë jetë
Por nder të njeriut.
Zotërinj! ju qofsha falë!
Që hoqtë për ne,
Na latë vetëm një fjalë
Për bes’e fe.