Biznesmeni Elman Abule, i cili është nën hetim në dosjen e Erion Veliajt, është paraqitur në SPAK.
Elman Abule po hetohet për pastrim parash në dosjen e kryebashkiakut të Tiranës. Biznesmeni mbërriti në ambientet e Prokurorisë së Posaçme i shoqëruar nga efektivët pasi ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Elman Abule u vendos në pranga më 10 Shkurt, ditën kur u arrestua edhe kryebashkiaku i Tiranës, pasi SPAK lëshoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.
Por, Apeli i GJKKO-së në seancën e datës 13 Mars, zëvendësuan masën e sigurisënë “arrest shtëpie” ndaj biznesmenit Elman Abule
Biznesmeni u urdhërua që të mos largohej nga banesa e tij, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton.
Vendimi i Apelit të GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 13.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13 akti, datë 04.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
- Miratimin e vendimit Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, të kësaj gjykate, me këtë ndryshim:
- Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, e vendosur për personin në hetim E.A., me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij Kodi;
- Urdhërohet personi nën hetim E.A. që të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në “***”, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton;
- Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim E.A. nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.
- Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
TË HETUARIT NË DOSJE
Erion Veliaj u arrestua nga SPAK më 10 shkurt me akuzën e krijimit të një skeme korruptive mes kompanive të bashkëshortes dhe një grupi biznesmenësh pranë tij, me vlerë transaksionesh më shumë se 1 milion euro.
Në “detyrim paraqitje” janë bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa dhe pesë biznesmenë, mes të cilëve, Shkëlqim Fusha i kompanisë “Fusha”, Gentian Sula i kompanisë “Agi Kons” dhe Fatmir Bektashi i kompanisë “Kontakt”.
Nën hetim është dhe deputetja socialiste, Klotilda Bushka, njëherazi kryetare e Komisionit të Ligjeve, e cila dyshohet për kryerjen e veprimeve aktive që pengojnë zbulimin e të vërtetës në rastin e çështjes penale në ngarkim të Veliajt dhe të proceduarve të tjerë.
Ndaj tyre SPAK ka ngritur disa akuza, ku sipas materialit të gjykatës, mësohet se janë fiksuar disa episode që implikojnë edhe kreun e Bashkisë së Tiranës.