Tiranë, 19 Mars 2025 – Në debatin e sotëm në Euronews Now, kandidatja për deputete në Tiranë nga radhët e Koalicionit Euroatlantik, Taulanda Jupi, e vuri në dukje përpara publikut avantazhin moral të këtij koalicioni përballë një politike që prej 34 vitesh ka mbajtur peng shqiptarët. Ajo e u shpreh se partitë e reja që projektojnë veten si “anti-sistem” në fakt kanë zgjedhur të bëhen pjesë e sistemit, duke pranuar skllavërinë e listave të mbyllura. Në këtë mënyrë, ato nuk e sfidojnë status quo-në, por i shërbejnë asaj.
Duke folur për fushatën e Koalicionit Euroatlantik, Jupi ndau me publikun angazhimin konkret të liderit Lulzim Basha për të prezantuar kandidatët në Shqipëri dhe diasporë, duke treguar një vizion të qartë për një politikë të hapur dhe të pakapur.
“Kostoja e jetesës nuk mund të ulet me një politikë të korruptuar,” deklaroi Jupi. “Qytetarët nuk mund të çlirohen nga korrupsioni duke votuar për lista të mbyllura, ku radhiten borxhlinj dhe besnikë të Edi Ramës dhe Sali Berishës. Shqiptarët meritojnë një alternativë të vërtetë, dhe ajo është Koalicioni Euroatlantik, i vetmi që u jep votuesve mundësinë të zgjedhin politikanë të pakorruptuar dhe të përkushtuar ndaj luftës kundër korrupsionit.”
Në debat me kandidatin socialist të Tiranës, Jupi hodhi poshtë mashtrimin e pasaportës europiane që qeveria u tund shqiptarëve si karrem elektoral. “E vetmja pasaportë që kjo qeveri ka dhënë në 10 vitet e fundit është ajo që ka përzënë 700 mijë shqiptarë nga vendi,” tha ajo. Jupi i kujtoi përfaqësuesit socialist se premtimi për hapjen e negociatave me BE është bërë për 12 vite rresht dhe në të njëjtën mënyrë po bëhet edhe premtimi i mbylljes së tyre.
Jupi sfidoi përfaqësuesin e Sali Berishës në panel, duke e thirrur të dëshmojë nëse ka një personalitet të pavarur politik, apo është thjesht një figurë nën hijen e liderit të tij. Kur u akuzua se përplasjet mes Ramës dhe Bashës janë një favor për këtë të fundit, Jupi argumentoi se “Edi Rama ka vetëm një partner: Sali Berishën. Me të ka bërë të gjitha marrëveshjet, nga ndryshimi i Kushtetutës dhe mbyllja e listave, deri te amnistia penale për të korruptuarit dhe bllokimi i votimit elektronik. Kush e mohon këtë, ose është naiv, ose është pjesë e marrëveshjes.”
Koalicioni Euroatlantik po vjen me një mesazh të qartë: Shqipëria nuk mund të mbetet peng i një politike të kapur. Me një vizion të qartë, me njerëz të ndershëm dhe të përkushtuar, ne po ndërtojmë alternativën që vendi meriton. Në 11 Maj, shqiptarët kanë një zgjedhje të thjeshtë: të mbeten peng të së shkuarës, apo të hapin një kapitull të ri për Shqipërinë.