Krim me plehrat, do t’i djegin tek “Don Bosko”

22 mijë metra katrorë në mes të Tiranës vihen në dispozicion të mafias për djegien e plehrave. Vendimi është miratuar dje, nga Bashkia e Tiranës me votat e këshilltarëve të majtë. Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës është shoqëruar me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, për dhënien në përdorim të një hapësire prej 22 mijë metër katror në zonën e Don Boskos. Sipas opozitës, kjo është një tjetër aferë korruptive e kryebashkiakut Veliaj, pasi po jepet pa tender. Kjo sipërfaqe (deri tani pronë e Bashkisë Tiranë) i jepet me qëllim ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin e funksioneve të shoqërisë “Eco Tirana sha”. Shoqëri kjo e krijuar në maj për menaxhimin e mbeturinave dhe ku Bashkia ka 51% të aksioneve. Afati i përdorimit do të jetë 25 vjet. Gjatë mbledhjes, këshilltarët e PD në Bashkinë e Tiranës nuk janë lejuar të flasin në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, ku Erion Veliaj kaloi akte të tjera në funksion të mafias së mbetjeve. Në këtë mbledhje, Erion Veliaj grabiti dhe një truall prej 22 mijë metrash katrorë, për t’ia dhënë pikërisht industrisë kriminale të mbetjeve. Pa transparencë dhe pa dhënë asnjë lloj llogarie, kreu i këshilltarëve të PD, Leonard Olli, foli me mediat, pasi iu hoq e drejta e fjalës në Këshill. “Për këto diskutime duhej të kishim të drejtën legjitime që të gjithë shqiptarët e kanë fituar me gjak në vitin ‘90, të drejtën e fjalës. Kjo e drejtë fjale duhet të jepet brenda sallës së Këshillit Bashkiak ku ne kemi bërë betimin se ne do të mbrojmë interesat e publikut. Për fat të keq, nuk është hera e parë që kjo mazhorancë, pa dallim, me dhunën e kartonëve, sa herë vjen çështja për interesat mafioze, fillojnë dhe mbyllin mikrofonin dhe ndalojnë mbledhjen. U djeg shumë diskutimi i çështjes së ‘Eco Tirana’, jo thjesht dhe vetëm se është një aktivitet totalisht i paligjshëm, antiambientalist, në zemër të Tiranës, e cila do të ketë impakt për rreth 90 mijë banorët e Njësisë Administrative Nr. 9, pasi do të ketë depozitim mbetjesh, lëre çfarë thuhet në zyra. Ajo që ata donin të fshihnin me çdo kush ishte aktiviteti i kësaj kompanie, e cila i ka paraprirë në kohë ligjit famëkeq të importimit të mbetjeve. Mafia po vendos diktatin. Popullit i është hequr e drejta e vendimmarrjes. Kjo u duk qartë edhe në Parlament për mosaprovimin e referendumit. Fatkeqësia është se të gjithë bëjnë apel për një qytet më të pastër, por të mos harrojmë se ishte vetë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i cili jo më larg se katër muaj më parë, bëri apelin për t’u punësuar tek firma ‘3R’. Apeloi për të shkuar për të punuar se të gjithë aty do të ishin të garantuar dhe të siguruar. Dhe çfarë ndodhi? Një 17-vjeçar humbi jetën në mënyrë tragjike i shfrytëzuar çmendurisht nga mafia e përpunimit të plehrave. Sot na sjellin një emër të ri dhe këtë e fshehin nën petke memorandumesh, por nëse janë kaq të qetë, përse refuzojnë të bëjnë transparencë? Nuk është vetëm paligjshmëria që në themel në krijimin e kësaj kompanie, por janë 22 mijë m2 në qendër të Tiranës. Është ky kryetar bashkie që mashtron, duke thënë se unë do të ndërtoj shkolla dhe në atë vend mund të ndërtohej më shumë se një shkollë. Është pikërisht ai vend m’u në zemër të Njësisë Administrative Nr. 9 që mund të ishte bërë një qendër multifunksionale, që ishte vijimi i asaj që kishte iniciuar zoti Basha. Ju e dini që atje ishte programuar një qendër multifunksionale për fëmijët, për parashkollorët, për shkollat e mesme, e me radhë. Por jo. Duhet t’i jepet mafias në përdorim. Dhe për fat të keq, që ta bëjnë këtë sa më lehtë dhe në mungesë të plotë transparence zgjodhën këtë mënyrë për ta mbyllur me dhunë”, u shpreh Olli.

Këshilltarët e PD nuk u lejuan të flisnin

Këshilltarët e PD në Bashkinë e Tiranës nuk janë lejuar të flasin në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, ku Erion Veliaj kaloi akte të tjera në funksion të mafias së mbetjeve . Kreshnik Çollaku denoncoi mungesën e transparencës dhe pamundësinë për të marrë informacion nga Bashkia. “Do të them një mesazh, të cilin unë e mendoj dhe do t’ua kërkoj edhe kolegëve të mi të Këshillit Bashkiak. Unë jam një i zgjedhur i këtij qyteti, si një përfaqësues i një pjese të saj në Këshillin Bashkiak, unë dua t’i them çdo qytetari të Tiranës se e kam të pamundur të zhvilloj atë funksion, atë veprimtari për të cilën unë jam votuar në këtë këshill. Ne sot jemi para një akti që sanksionon një veprimtari të qartë dhe të pastër mafioze. Akte, të cilat kalojnë pa transparencë, akte të cilat kalojnë në dhunim të çdo ligji dhe më e rënda dhe këtu fillon mosfunksionimi ynë si Këshill, unë personalisht ndjehem i paaftë ta kryej këtë. Ne nuk kemi asnjë lloj mundësie për të replikuar, për të kërkuar informacion, për të kundërshtuar, pra të dashur qytetarë të Tiranës, ne nuk mund t’ju gënjejmë dot. Unë nuk ju gënjej dot. Unë si këshilltar i këtij Këshilli Bashkiak, nuk e kryej dot më funksionin si i zgjedhur aty brenda. Ndaj po vlerësoj seriozisht dhe do t’ua kërkoj kolegëve të mi, në mbledhjen që do të zhvillojmë, të dorëzojmë mandatet e Këshillit Bashkiak. Ne nuk mund të përfaqësojmë dot qytetarët, sepse këtu ka një vullnet mafioz, i cili bllokon fjalën, transparencën, sqarimet në çdo element. Kemi konsumuar çdo argument, kemi konsumuar çdo kërkesë normale, logjike, të edukuar, duke bërtitur ndonjëherë për të marrë fjalën. Për të thënë fjalën tonë, për të kërkuar informacion dhe transparencë, kjo nuk ndodh. Sjellja është tipike mafioze. Përpara këtyre sjelljeve ka dy rrugë, ne të mos gënjejmë qytetarët. Këtu brenda nuk mbrohen më interesat e qytetarëve, kështu që na mbetet, të dorëzojmë mandatet, të bojkotojmë këtë farsë dhe t’u drejtohemi qytetarëve ta zgjidhin vetë”, u shpreh Çollaku.

Berisha: Edvini dhe Zogu i tij dolën publikisht për qëndrimin mafioz ndaj plehrave

Midis direktivës evropiane dhe praktikës mafioze, Rama dhe Veliaj zgjodhën publikisht mafien e plehrave. Ish kryeministri Berisha reagoi dje në lidhje me takimin e Ramës e Veliajt me sipërmarrësit e riciklimit.  “Edvini dhe Zogu i tij dolën publikisht për qëndrimin mafioz ndaj plehrave. Në takimin e tyre me sipërmarrës të riciklimit ata hoqën maskat: Rama me Erin e tij, në kundërshtim flagrant me direktivën evropiane dhe në përputhje të plotë me praktikën mafioze iu kërkuan kryetarëve të bashkive që të gjitha plehrat e riciklueshme, pra letrën, plastikën, metalin, drurin, qelqin t’i hedhin në të njëjtin kazan pra, të bëjnë ekzakt të kundërtën që kërkon direktiva evropiane, sipas të cilës ndarja në origjinë me qëllim riciklimin, kërkon që secila nga këto plehra të hidhet në kazanë të veçantë si kusht për t’ju nënshtruar riciklimit dhe jo groposjes në landfille apo djegies! Hedhja e tyre në një kosh plehu të përbashkët do të thotë që plehrat e vendit të mos përdoren për riciklim, por për këtë qëllim të importohen plehrat e të huajve! Kështu, me qëndrimin e sotëm Rama dhe Eri i tij dëshmuan qartë se janë të lidhur kokë e këmbë me mafien e plehut” shprehet Berisha në reagimin e tij.

Kompania publike “Eco Tirana” dhe vendimi i Veliajt

Në datën 22 qershor 2016, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), u regjistrua kompania publike “Eco Tirana”, e cila përbëhet nga një kapital aksioner i përbashkët mes Bashkisë së Veronës dhe asaj të Tiranës. 49% të këtyre aksioneve janë në pronësi të “Holding AGSM Albania”, 51% e ka në pronësi Bashkia e kryeqytetit. Në bordin e kompanisë po ashtu ka anëtarë, të cilët janë marrë nga kompania publike që pastron qytetin e Veronës. Emra si Giampaolo Tessari, Andrea Miglioranzi, Diego Testi, Fabio Venturi, Maurizio Alfeo figurojnë në dokumentet e regjistrimit të firmës si administratorë apo anëtarë të bordit mbikëqyrës, të cilët pasohen nga emra të njohur në menaxhimin e Bashkisë së Tiranës, duke nisur me Taulant Tushën, Dorjan Shehun, Jonida Halilin dhe Arbjan Maznikun. Afati për të mbajtur këto poste në kompaninë joint-venture është 3 vjet për secilin dhe qëllimi i krijimit të saj është i shprehur qartë në dokumentet që dy bashkitë kanë depozituar në QKB. “Menaxhimi i shërbimeve mjedisore, duke përfshirë, por pa u kufizuar në: mbledhjen, transportin, ndërmjetësimin dhe tregtimin e mbetjeve dhe të materialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë edhe grumbullimin e diferencuar të tyre, si dhe pastrimin e hapësirave publike, ndërtimin dhe menaxhimin, edhe për llogari të palëve të treta, të impianteve për rikuperimin, riciklimin, trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve, rehabilitimin e zonave nga substancat ndotëse, veprimtari të riparimit të automjeteve, elektroauto, llamarinist, gomist, xhenerik dhe motorist”, thuhet në përshkrimin e objektit të aktivitetit të “Eco Tirana”.
Dje, Bashkia e Tiranës ka miratuar projektvendimin që t’i kalojë pa kundërshpërblim shoqërisë “Eco Tirana” Parkun e Transporteve në rrugën “Don Bosko”, me një sipërfaqe toke prej rreth 22 mijë metra katrorë. Kjo sipërfaqe, që deri tani ishte në pronësi të Bashkisë Tiranë, i jepet me qëllim ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin e funksioneve të shoqërisë “Eco Tirana sha”, shoqërisë së krijuar në maj nga Bashkia për menaxhimin e mbeturinave dhe ku Bashkia ka 51% të aksioneve. Afati i përdorimit do të jetë 25 vjet.
Në relacionin shpjegues thuhet: “Shërbimi i pastrimit të qytetit të Tiranës përbën një nga elementët më të rëndësishëm në detyrimet që Bashkia e Tiranës ka ndaj qytetarëve të saj dhe qytetit. Nisur nga kërkesat në rritje konstatohet se, shërbimi i pastrimit të qytetit ka nevojë të ristrukturohet në funksion të përmirësimit të treguesve higjieno-sanitarë dhe të përmirësimit të impaktit që ai ka në mjedisin e qytetit. Bazuar në situatën e re të ridimensionimit të funksioneve dhe prioriteteve të Bashkisë Tiranë u konsiderua e nevojshme pjesëmarrja e Bashkisë Tiranë në shoqërinë ‘Eco Tirana sha’, shoqëri kjo e cila ndër të tjera ka në objekt të saj edhe mbledhjen dhe transportin e mbetjeve dhe të materialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë grumbullimin e diferencuar të tyre dhe pastrimin e hapësirave publike.
Parku i Transportit Tiranë është aktualisht në një gjendje të amortizuar dhe kalimi i tij në përdorim të shoqërisë ‘Eco Tirana sha’ do t’i jepte mundësi për mirëmbajtjen, si dhe ridimensionimin dhe shfrytëzimin maksimal të saj në funksion të së mirës së përgjithshme të qytetit të Tiranës.

A.Shahini

Exit mobile version