Kryeministri Edi Rama është duke bërë presion Entit Rregullator të Energjisë, pasi ky institucion ka bllokuar kompaninë serbe EFT për të menaxhuar kaskadën e Drinit. Sipas denoncuesit ky është një tjetër rast pastër i korrupsionit qeveritar, ku sërish protagonist është kryeministri Edi Rama. Një zyrtar i lartë denoncon Ramën për presionin e tij të jashtëzakonshëm ndaj ERE për të mos bllokuar aferën korruptive shqiptaro-serbe të Edvinit me EFT. Prej 7 ditësh Rama ka bllokuar publikimin e vendimit të ERE me të cilin ky ent anulon aferën korruptive të Ramës me EFT për menaxhimin e kaskadës së Drinit. Ndërkohë që Përfaqësuesit e EFT janë ngulur në zyrat qeveritare. Denoncimi është publikuar dje nga ish kryeministri Berisha në profilin e tij në rrjetin social Facebook. “Në datë 30.09.2016 u zhvillua mbledhja e bordit të ERE. Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në faqen e ERE. Një nga pikat e diskutimit është mbi kërkesën e KESH sha për rishikimin e vendimit nr. 131, datë 15.08.2016 të bordit të ERE mbi ndërprerjen e procedurës së shpallur nga shoqëria KESH sha ftesë për shprehje interesi për marrëveshjen kuadër për depozitimin e energjisë elektrike. Pra, më datë 30.09.2016 në mbledhjen e hapur të ERE u votua që vendimi të ngelet në fuqi kundra KESH, domethënë që procedura e sipërpërmendur të anulohet. Sot data 7.10.2016 dhe ERE akoma nuk ka publikuar këtë vendim 30.09.2016 kjo për arsye se ka një presion të paparë nga Rama për të ndryshuar këtë vendim i marrë për së dyti kundra KESH. Sepse kanë ardhur përfaqësues të EFT si Dragan Stojadinoviç, i cili ka ngritur pazarin përsëri tek Rama. Këtu ka një problem shumë të madh doganor pasi depozitimi i energjisë nuk njihet si produkt nga Dogana dhe është diçka pa faturë. Do e marrin energjinë pa zhdoganim fare”.