Nëse synim s’është rotacioni politik, atëherë është biznesi!

Nga Reldar Dedaj

Atyre që iu është neveritur politika, le të rrinë të qetë; nuk ka më politikë. Nuk ka më parti politike që luajnë më njëra-tjetrën, si macja me miun, duke shkëmbyer respektivisht poste, para dhe favore, nuk ka më retorikë boshe, nuk ka më iluzione. Tani ka vetëm një parti. Ka një kastë sunduesish që kundërshtohet nga një grup i vogël njerëzish, mediash dhe intelektualësh. Ka qytetarë të frikësuar që u ka ardhur në majë të hundës nga kjo kastë politike që sot është shndërruar në fytyrën e tejzgjatur të tranzicionit shqiptar. Ka godina institucionesh qeveritare, por ende jo institucione të mirëfillta. Ka intelektualë, por jo kaq mjaftueshëm sa për t’iu dalë përballë. Ka pushtet, ka edhe opozitë- thonë, por ende jo një alternativë.

Forca më e madhe e kësaj të fundit, edhe pse e ka vetëdijën për gjendjen se ku ndodhet, nuk ka as përgjegjësinë më të vogël për fatin e mbështetësve të vet apo të gjithë shoqërisë shqiptare. Sepse, një parti që se ka për synim themelor rrotacionin e pushtetit, s’mund të jetë asgjë tjetër, veçse një parti biznesi. Duke vazhduar papushim në të njëjtën rutinë, atë të humbësit, PD po humb një shans historik, të fundit, për të ndryshuar veten dhe shoqërinë. Kështu si po vepron, ajo është shndërruar në një parti që mbron interesat personale të një individi, të një grupi të ngushtë drejtuesish të PD-së dhe ndoshta edhe të disa prej deputetëve të saj, duke i tradhtuar interesat e atyre që e kanë mbështetur me kaq mund, përkushtim e sakrifica.

Vota në Shqipëri mund të pretendohet se është e barabartë, vetjake, e fshehtë, por e lirë nuk është. Sepse nga lista e kandidatëve elektorati nuk mund të zgjedhë lirisht kandidatin të cilit ai i beson më shumë. As e drejtpërdrejtë nuk është kjo mënyrë votimi, sepse në vend që elektorati të votojë drejtpërdrejt deputetët e tij, voton në fakt vetëm një listë të mbyllur, me renditje të fiksuar që e ka vendosur kryetari i partisë. Prej një dekade s’kemi dëgjuar asnjë deputet të propozojë një ligj pasi ai ta ketë konsultuar një pjesë të elektoratit të vet. Elektorati është zhveshur nga sovraniteti sepse është zbehur fuqia e tij kontrolluese mbi deputetin. Është kryetari i partisë ai që ka marrë nën kontroll deputetin, duke ia hequr nga duart elektoratit.

Fati i partive lider është se nëse bien liderat e saj, bien edhe vetë partitë. Opozita do të jetë në ditën më të vështirë të saj. Me një kryetar të shpallur ”non grata”, pa asnjë mundësi për reflektim, por që ka në dorë gjithë partinë, PD ende vazhdon të mbetet pa fabul, pa ofertë dhe më një drejtues që e çon gradualisht drejt humbjes së sigurt.

Exit mobile version